Deklaratat e ish-të dashurës së McGonigal për raportin me Ramën, Vasili: Kryeministri dhunoi Kushtetutën. Protesta do të shkurtojë ditët e mafies në pushtet

90
Sigal

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratave të ish-të dashurës së ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal dhe raportin me kryeministrin Edi Rama duke thënë se “skandali po thellohet më shumë”.

Në një deklaratë për mediat, Vasili akuzoi kryeministrin se shkelur Kushtetutën e vendit dhe ligjet për interesa private.

Referuar protestës së 11 shkurtit, Vasili tha se ajo datë është “një moment historik për të shkurtuar ditët e mafies në pushtet”.

Deklarata e plotë e Vasilit:

Skandali i lidhjes shumë të errët të Edi Ramës më Mcgonogal thellohet edhe më shumë. Deklarimet publike të ish-partneres Alison Guerrero i vënë vulën faktit se marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Mcgonigal ishte një marrëdhënie korruptive dhe për qëllim mafioze dhe personale. Alison i ka vënë vulën faktit që komunikimet Rama-Mcgonigal ishin shumë më të shpeshta sesa ato që deklaron Rama duke gënjyer publikisht.

Alison konfirmon se dhe komunikimi i tyre konfidencial sigurohej me një aplikacion të koduar ‘Viasat’ dhe sigurisht ka qenë një komunikim që nuk ka lidhje as më çështje shtetërore dhe as më çështje rajonale siç gënjen Edi Rama. Këto takime kanë qenë takime të dy njerëzve që u shërbenin influencave dhe interesave ruse dhe nuk i shërbenin aspak as Amerikës dhe as Shqipërisë.

Këto marrëdhënie kanë qenë në dëm të raportit Shqipëri-Amerikë dhe të parimeve shumë të shëndosha demokratike dhe politike që kanë udhëhequr këtë raport për 100 vjet. Ato përbëjnë sigurisht momentin më të errët në këtë raport 100 vjeçar të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edi Rama është sot qartësisht nën akuzë:

1.Për ‘Shpërdorim detyre’

2.Ndikim të paligjshëm të zyrtarëve publikë

3.Minim mafioz të pluralizmit politik

4.Trafik të paligjshëm influencash

5.Korrupsion aktiv

Edi Rama e ka kthyer zyrën e kryeministrit në një zyrë aferash të paligjshme private, e ka trajtuar Shqipërinë si pronë private dhe ka shitur dhe ka dhënë kontrata vetëm për interesa private dhe në dëm të interesit publik.

Veprimtaria shtetërore në zyrën e kryeministrit ka qenë një çerdhe interesash të pista në prani të privatëve të kompromentuar dhe pa asnjë lidhje me institucionet e sigurisë kombëtare në vend të cilat, qëllimisht Edi Rama i ka mënjanuar dhe evituar për të vazhduar në errësirë veprimtarinë e tij.

Pas refuzimit të raportimit dhe dhënies llogari në Parlament, Edi Rama është sot një kryeministër jo legjitim dhe i vetë shkarkuar, pasi ka dhunuar haptazi Kushtetutën dhe ligjet e shtetit shqiptar.

11 shkurti është një moment historik për të shkurtuar ditët e mafias në pushtet.

11 shkurti është momenti ku populli do të kërkojë llogari deri më një për tradhëtimin e të gjithave interesave të tij, kombëtarë dhe ekonomike.

Shkurti është muaji i rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës pra kur populli vendos të përzërë këdo që guxon të shesë dhe të blejë interesat më të larta të tij.

Çdo qytetar në 11 shkurt do të jetë në shesh për të kërkuar llogari sepse asnjë shqiptar nuk mund të pranojë kurrë që zyra e kryeministrit të jetë zyra e mafias dhe jo e ligjit, zyra e vjedhjes dhe jo e krijimit të të mirave për popullin, që të jetë zyra që rikthen monizmin dhe kërkon të asgjësojë pluralizmin.