Debatet mbi arsimin e lartë/ Xhufi: “Fuga, ish-anëtar i PPSH”; Reagon akademiku: “Pëllumbi na flet si skifter”

580
Ligji për Arsimin e Lartë ka sjellë përplasje jo vetëm ndërmjet akademikëve dhe qeverisë. Këtë herë, ky ligj i shumë kundërshtuar ka vënë përballë historianin Pëllumb Xhufi me akademikun Artan Fuga. Në një koment të publikuar në Gazetën Panorama, Pëllumb Xhufi, pa lënë mënjanë kritikat për ligjin e ri të Arsimit të Lartë, “sulmon” ashpër profesor Fugën, për të cilin thotë se është një anëtar i dikurshëm i PPSH, që sot vetëkënaqet si intelektual ultra i djathtë.
Duke mbrojtur ligjin, Xhufi deklaron se varianti i katërt dhe përfundimtar i tij e shpëton universitetet nga ata rektorë, dekanë e shefa të përjetshëm.
“Ligji i ri, në variantin përfundimtar, më së paku i shpëton universitetet nga ata rektorë, dekanë e shefa të përjetshëm, që në emër të “autonomisë” e të “lirisë akademike” kanë ndarë tituj, para, bursa e vende pune, kanë bërë shiun dhe breshrin, por rrallë herë kanë qenë në gjendje të bëjnë intelektualin, profesorin e udhëheqësin shkencor…Për sa i përket çështjeve të tjera që ligji trajton dhe që kanë të bëjnë me vendimmarrjen, me lirinë akademike, autonominë universitare, meritokracinë, integrimin e mësimdhënies me kërkimin shkencor, administrimin e parasë publike, marrëdhëniet e universiteteve publike me ato private etj. etj., këto janë çështje që meritojnë çdo lloj skepticizmi e vigjilence nga ana e profesoratit dhe e studentëve. Por, nuk meritojnë absolutisht nihilizmin e A.Fugës dhe të shokëve të tij, që përkunden në komoditetin që u ofron atyre personalisht një universitet i kapur nga mediokriteti, korrupsioni dhe stanjacioni”, shkruan Xhufi.
Historiani nuk lë pa përmendur edhe takimin e Presidentit Bujar Nishani me akademikë e profesorë, për të cilin thotë se ishte një takim me nomenklaturën e partisë të emëruar politikisht nga PD në krye të institucioneve akademike e universitare, pas reform­deformës së viteve 2005­ 2007, që e përçudnoi, e katundarizoi dhe e çoi universitetin dhe kërkimin shkencor në kufijtë e mosqenies.
Duke iu drejtuar akademikut Fuga, Xhufi thotë se ai që ankohet për antikushtetueshmërinë e ligjit është autor i thirrjeve anti-kushtetuese për të futur mësimin e fesë në shkollë.
“Ç’këshilla kushtetutshmërie pret Presidenti, për shembull, nga A. Fuga, një anëtar i dikurshëm i PPSH, i cili sot vetëkënaqet si intelektual ultra i djathtë. E pra, ai që sot e shohim “t’i ankohet” Presidentit për anti-kushtetueshmërinë e Ligjit të Arsimit të Lartë, është autori i thirrjeve antikushtetuese për të braktisur laicitetin e shtetit dhe për të futur mësimin e fesë në shkollë. Z.Fuga dhe ata 3­4 ndjekës të tij, bashkë me ish-­ministrat pëdëistë të arsimit që i nxisin nga selia e partisë, janë bashkautorë të reformës vrastare të vitit 2007, që shpartalloi Akademinë e Shkencave dhe që e ktheu universitetin në një strehë të paaftësisë, të përjashtimit, të ligësisë, të despotizmit, të provincializmit dhe të korrupsionit”, deklaron Xhufi.
Ndërkohë në përgjigje të këtij komenti, akademiku Fuga ka shkruar se nuk ia vlen t’i përgjigjet “Pëllumbit që u zgjua nga gjumi dhe sillet si skifter”. Fuga shkruan se në komentin e Xhufit nuk ka argumente por vetëm sharje e mllefe. Në përfundim Fuga deklaron se ai (Xhufi) nuk i ka lënë vend vetes për ta trajtuar me një identitet të caktuar.
“Pëllumbi (Xhufi) niset në “fluturim”. Miq të mi më thonë se paska shkruar te Panorama ku më sulmon se ne mbrojmë një universitet me feudalë dhe nomenklaturash.
Feudal unë? Kaq pak? Unë jam skllavopronar, dozh venecian, tregtar gladiatorësh, aga i ushtrive otomane, çfarë dëshiron tjetër o Pëllumb? Bëj gërmime edhe në Voskopojë… dhe kam gjetur qenin e ngordhur. Ahahaha, “u zgjua” Pëllumbi nga gjumi dhe sillet si skifter… Më thanë se a do t’i përgjigjesh? U përpoqa të gjej ndonjë argument të tij, por lexova vetëm sharje, mllefe. KU KA ATY ME ÇFARË ME U PËRGJIGJ? Nuk do të përgjigjem por vetëm do qesh. Ai vetëm sulmon Presidentin sepse ashtu është puna, si duket. U “zgjua” edhe Pëllumbi pasi ligji u votua. Nomenklaturash? O i shkreti Pëllumb që kurrë nuk ka drejtuar ndonjë gjë edhe pse ka qenë drejtues kudo ku ka qenë. Ai është parimor jo si disa që kërkojnë të trashëgojnë akademinë e shkencave që duket si pronë me tapi, se këtë, unë ketë nuk e honeps dot. I pafajshëm dhe i thjeshtë si një mjellmë e bardhë. Çfarë është historian apo politikan, shkencëtar apo ambasador, europianist apo nacionalist? Etnocetrik i thekur apo respektues i kulturave diverse etnike në Shqipëri e Ballkan, Hajde gjeje…Polifunksion. Bravo i qoftë, në fakt. Drejtues i PS që shkon te LSI-ja apo drejtues i LSI që shkon te PS, apo i PS që shkon pa drejtim? Si ta besoj në neutralitetin e tij shkencor kur ai nuk i ka lënë vend vetes për ta trajtuar me një identitet të caktuar? Po lëre mos u merr me të”, shkruan Fuga në Facebook.
Sigal