Damian Gjiknuri : Çelja e akademisë verore me të rinjtë eurosocialistë është garanci për të ardhmen e politikës dhe mirëqenien e qytetarëve

133
Sigal

Vlora mikpriti të rinj eurosocialistë nga 40 vende të ndryshme të botës. Në ceremoninë e hapjes së shkollës verore të YES, i pranishëm ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri i shoqëruar nga Drejtuesi Politik i Qarkut Vlorë, Arben Ahmetaj. Duke u uruar mirëardhjen në qytetin e Vlorë, Gjiknuri deklaroi se PS vijon të jetë forca kryesore edhe pas 9 vitesh të qëndrimit në pushtet, pasi ka gjithmonë të rinj dhe të reja që i bashkohen asaj. “Ne ju urojmë mirëseardhjen në Shqipëri. Ne jemi partia në pushtet prej 9 vitesh dhe vijojmë të mbështetemi nga qytetarët shqiptarë dhe arsyeja është se ne kemi gjithmonë lëvizje në forcën tonë. Ne gjithmonë kemi lidera të rinj, njerëz të rinj, që i bashkohen partisë sonë politike dhe i bashkohen lidershipit tonë. Kjo është arsyeja se pse ne gjithmonë ecim përpara, fitojmë zgjedhjet dhe unë mendoj se po bëjmë më të mirën për vendin tonë”,- theksoi ai. Numri dy i socialistëve deklaroi se Vlora ka qenë dëshmitare e ndryshimeve positive, që kanë ndodhur në Shqipëri nën qeverisjen socialiste. “Vlora një qytet që ka patur një transformim të madh.”,- shtoi më tej Gjiknuri. Ai nënvizoi rëndësinë e aktivizmit të të rinjve në politikë si një mundësi jo vetëm për të formuar karakter, por dhe për të ndryshuar vendin e tyre. “Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për të shkëmbyer eksperienca nga vendet tuaja, në veçanti mbi këto politika. Sigurisht ne mendojmë se pjesëmarrja e rinisë, është garanci për të ardhmen e politikës, sepse çdo organizatë pa pjesëmarrjen e të rinjve është “e vdekur” dhe në veçanti ato politike, edhe pse ndonjëherë në kohët e sotme disa njerëz thonë se kjo nuk është profesionale, por nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të rregulluar një shtet apo për të mbrojtur të ardhmen tuaj, pa pjesëmarrjen direkte në politikë”,- theksoi Gjiknuri.