Çudira me pak humor, nga zgjedhjet e zhvilluara në PD

514
Përparim HALILI
Janë disa fakte, që kanë shoqëruar fushatën 20 ditore të zgjedhjeve në PD dhe 24 orët pas shpalljes së rezultatit. Por ajo që të bie në sy ka të bëjë edhe me disa absurditete, që ende kanë mbetur në mendësitë dhe praktikat e PD, disa prej të cilave i kemi evidentuar në këtë përmbledhje skicash
Kandidati Selami, me 500 litra naftë siguroi 5000 vota
Pasi mësoi rezultatin e votimit me 7% vota të fituara në 73 qendra votimi të 68 degëve të PD, kandidati rival Eduard Selami, i cili dukej sikur kishte humbur një lojë bilardoje e jo një garë për kryetar partie, në dalje tek porta e PD, “ngushëlluesve” të tij, u ka dhënë këtë përgjigje “Epo, çfarë do të bëja unë, me 500 litra naftë që më dha kryetari për fushatën!?” Është një përgjigje që konfirmon faktin, që kandidati edhe në garë ishte “vartës” që i përcaktoheshin të drejtat e garës, por gjithsesi, bilanci i tij në procesin zgjedhor “1 anëtar, 1 votë” në këtë fushatë nuk ka qenë aq i keq, mbasi me 500 litra naftë, Selami ka kapur 5000 vota, ose 10 vota për çdo 1 litër naftë!
Vapa detyron numërimin e votave… natën!
Kryetari i komisionit zgjedhor në PD, Jemin Gjana, ka pasur propozim nga kandidati rival Eduard Selami dhe nga shumë anëtarë të PD, që kutitë të mos “udhëtonin” natën drejt Tiranës, por të niseshin në mëngjesin e ditës së diel, mbasi zona më e largët është maksimumi 3 orë nga Tirana! Iu bë edhe propozimi, që votat të numërohen në degët e PD, atje ku kanë votuar anëtarët! Po kështu, kryetar Jeminit, iu propozua nga një grup “i vogël” demokratësh, kryetarësh dege të PD dhe ish-funksionarë të saj të lartë, që numërimi i votave të bëhej ditën e jo natën. Kryetari Gjana, i kundërshtoi të 3 propozimet e bëra, me këto argumente: 
1. Kutitë duhet të sillen në Tiranë për gjithë natën, mbasi ekziston rreziku i manipulimit në zona dhe kjo bëhet në respektim të dyshimeve që ka shprehur kandidati Selami. 
2. Nuk mund të bëhet numërimi në degët e PD në zona, mbasi në zona nuk ka “ekspertë” të numërimit të votave. 
3. Numërimi i votave do të bëhet natën, për shkak të vapës së që është ditën, referuar parashikimit të publikuar prej shërbimit meteorologjik, që tha se ditën e diel, temperatura do të rritet me 7 gradë, ose aq përqind të votave sa mori Selami! 
Ja çfarë do të bëj Basha, pas fitores
Unë do të njoh si të rregullt procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD, me parimin demokratik “1 anëtar, 1 votë”. Brenda 31 korrikut 2017, do të hartoj listën e re të anëtarëve të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë. Nuk do prek asnjë nen të Statutit të PD, deri pas zgjedhjeve të 22 korrikut 2021. Do të përzgjedh emrat e drejtuesve të departamenteve të PD. Do të jap porosi, që kryetarët e 68 degëve të PD në rrethe, t’i dërgojnë kryetarit të ri të PD, përshëndetje për fitoren e madhe që arriti brenda partisë me 93% të votave! Pasi të kem përfunduar këto procedura, do të mbyll zyrën, do t’u lë disa detyra ministrave teknikë në qeveri dhe do iki me pushime. 
Ja çfarë do të bëj Selami, pas humbjes
Eduard Selami: Unë do dal edhe disa herë në media, për të hedhur edhe 2-3 parulla denoncuese, për zgjedhje pa standarde në PD. Do sigurohem që do jem anëtar kryesie i PD, pa llogaritur një post të lartë drejtues, që më kanë premtuar në stafin e ngushtë të kryetarit të ri të PD. Pastaj do nisem drejt SHBA, në pritje të ndonjë njoftimi nga kryetari për ndonjë garë tjetër të mundshme. Para nisjes për në SHBA, do shkoj të takoj doktorin për t’u garantuar, nëse është i kënaqur me detyrën që më la e që realizova, për të zhvilluar rivalitet korrekt në këtë garë historike për ringritjen e PD. Edhe pse nuk fitova, unë jam shumë i lumtur që edukova demokratët deri në zonat rurale, me modelin tim të votimit transparent e komplementar, siç ishin realisht zgjedhjet e zhvilluara brenda PD.
Kur Saliu nuk fliste, thoshin: “Po ky, pse nuk flet”! Tani që foli, thanë: “Po ky, pse flet?!” 
Të 20 ditët e fushatës zgjedhore për kryetarin e PD, u shoqëruan me një pyetje që bëhej brenda e jashtë kësaj partie, sidomos nga kundërshtarët e Bashës, por edhe në medie e në mjediset publike. Të gjithë pyesnin: “Pse nuk po flet Sali Berisha?! ” Kjo pyetje, bëhej, mbasi edhe pas dorëheqjes së Berishës më 22 korrik 2013, opinioni publik dhe anëtarësia brenda PD është mësuar, që për çdo zhvillim në këtë parti, të dëgjojnë fjalën dhe vendimin e Saliut, duke pranuar dhe cilësuar atë, si kryetarin e përjetshëm udhë-rrëfyes të saj. Pas humbjes së 25 qershorit, Saliu foli për zgjedhjet e 22 korrikut dhe përgjegjësinë e humbjes! Të gjithë thanë: 

– Po ky, pse flet”?! 
Gjatë 20 ditëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit, Saliu nuk foli fare! Të gjithë thoshin: 

– Po ky, pse nuk flet?! 
Ditën e votimit më 22 korrik 2017, Saliu foli për të drejtën e kryetarit Basha, për kandidim. Të gjithë thanë: 

– Po ky, pse flet?! 
Është një çudi e madhe me qëndrimin ndaj Saliut: Kur ai fliste, thoshin: “Pse flet”! Kur nuk fliste, thoshin” Pse, nuk flet”? Tani që foli, thanë: “Po ky, pse flet?” 
Sigal