COVID-19, Banka Botërore: Ndikim tek projekti për shërbimet e integruara, nuk parashikojmë dot sa do zgjasë vonesa

399
Sigal

Banka Botërore ka bërë të ditur se projekti që mbështet ofrimin e shërbimeve të përqendruara për qytetarët me një vlerë 32 milionë dollarë dhe që ka nisur në vitin 2015 mund të ngadalësohet në zbatim për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Ky projekt pritet sipas kalendarit aktual që të mbyllet në fund të këtij viti por Banka tashmë e ka të paqartë sa do të jetë vonesa që do të shkaktojë koronavirus që ka vënë në alarm gjithë botën.

Në përmbledhjen e bërë për rishikimin e fundit të projektit BB vlerëson se qëllimi i Projektit është të përmirësojë efikasitetin e ofrimit dhe aksesin e shërbimeve të veçanta adminitsative në Shipëri.  Projekti po bën përparim të mirë për të arritur këto objektiva. “Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruar (ADISA) vijon të zgjerojë aksesin dhe të përmirësojë efikasitetin duke hapur qendra të reja të shërbimit qytetar dhe numri i aplikimeve për këto shërbime në këto qendra është rritur në mënyrë të vazhdueshme (nga afërsisht 244,000 në 2017 në mbi 508,000 në 2019); Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka rritur numrin dhe nivelin e automatizmit të shërbimeve on-line të disponueshme në portalin e-Albania; dhe institucionet qeveritare kanë orientuar proceset e biznesit drejt thjeshtimit rregullator dhe shkëmbimit të  informacionit elektronik përmes teknologjisë së informacionit me sisteme mbështetëse për të kohën për dhënien e shërbimeve” vlerëson BB në përmbledhjen e saj duke dhënë detaje për ecurinë e deritanishme të zbatimit.

Po kështu Banka nënvizon se siç është raportuar më parë, rezultatet e një studimi dyvjeçar të familjeve, (i pari në në maj 2016; linja e mesme ishte përfunduar në dhjetor 2018; dhe i fundit përmbyllës pritet në tetor 2020) për të matur mundësinë e qasjes së qytetarëve në shërbime brenda objektit të projektit zbuloi se kjo është përmirësuar me 22 pikë përqindje në tërësi në raport me bazën fillestare (2016), me përfitime të konsiderueshme për gratë (18 pikë përqindje rritje), të varfërit (18 pikë përqindje rritje) dhe romët (17 pikë përqindje rritje).

“Një studim i Mekanizmit për reagimin e qytetarëve (CFM) i realizuar me SMS me një kampion të qytetarëve që kanë marrë shërbime gjatë 6 muajve të fundit për të matur efikasitetin e ofrimit të shërbimeve gjithashtu zbulon përmirësim domethënës.  Për shembull, koha e marrë për të regjistruar një automjet ka rënë nga 5.3 ditë në 2016 në 1 ditë (8.3 orë) në 2019, dhe koha për të marrë një kërkesë për pension pleqësie ka rënë nga 53 ditë në 2016 në 45 ditë në 2019. Procesi i marrjes së Kartës së Sigurimit Shëndetësor tani është dixhitalizuar plotësisht dhe qytetarëve nuk u kërkohet të paraqesin ndonjë dokumentacion kur aplikojnë për kartën; informacioni i nevojshëm është dixhital  dhe shkëmbehet midis  vetë institucioneve përkatëse qeveritare. Si rezultat, ky shërbim ofrohet në një kohë shumë të shkurtër (nën një orë). Progresi i zbatimit gjithashtu ka të ngjarë të ndikohet nga ndërprerjet e shkaktuara nga COVID 19. Duke pasur parasysh pasigurinë e natyrshme në lidhje me sëmundjen, shkalla e vonesës nuk mund të parashikohet në këtë faze” thuhet në raport.