Coronavirusi na tregoi se mbijetesa jonë nuk zgjat asnjë muaj

382
Sigal

Prefektura dhe bashkitë ndihmë për familjet në nevojë për ushqim

Nga Vepror Hasani

 Marsi rezultoi muaji më i vështirë për shqiptarët. Përveç virusit corona që kërcënonte jetën e çdo qytetari, ditët e pandemisë u shoqëruan edhe me një fjalor të rënduar, ku përsëriteshin pambarimisht termat “luftë”, “burg”, “arrestim”, “gjobë”, “heqje lirie”, “konfiskim malli”, “heqje license”, “mosmarje ndihme shtetërore nga paketa financiare e solidaritetit”, “heqje patentash për tre vjet,. “frikë aspak, kujdes po! me hir ose me pahir!” Të gjitha këto thuheshin që qytetarët të qendronin në banesë, të kishte sa më pak viktima dhe gjithçka të përfundonte mirë, por terminologjia ishte stresuese kur dihet që askush nuk dëshiron të vdesë; jeta është e shenjtë. Veç sa më sipër, ditët shoqëroheshin me lajme të trishta: për persona të prekur nga virusi, për të sëmurë të intubuar, për njerëz që ndaheshin nga jeta etj. Ndërkohë numri familjeve që kishin nevojë për ushqim rritej dita-ditës,  banorëve të qarkut Korçë nisi t’u mungonte ushqimi. Qytetarët po trokisnin në dyert e bashkisë, kërkonin ndihma ushqimore. Kjo gjë u bë evidente pa kaluar asnjë muaj. Virusi corona tregoi se familjet e vobekta janë të shumta, mbijetesa jonë nuk zgjat asnjë muaj. Nëse njërëzit do të detyroheshin të dilnin me maska dhe doreza, askush nuk do të ishte në gjendje t’i blinte, çmimi i tyre shkon nga 170 lekë deri në 250 lekë, por duke qenë njëpërdorimshe, vetëm një maskë në ditë sikur të blihej, në fund të muajit duheshin 60 mijë lekë të vjetra, por një familje nuk ka një anëtar të vetëm. Cila nga familjet në nevojë mund ta përballonte, nëse ato nuk do të jepeshin falas nga qeveria?

U rrit numri i familjeve në nevojë

Që numri i familjeve në nvojë për ushqim u rrit, u pohua edhe nga kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, në një deklarim të tij, kur  fondacioni “Fundjavë ndryshe” solli në Korçë për 6 bashkitë e saj, 450 tonë ndihma ushqimore. Me këtë rast Filo tha: “…Situata e emergjencës në prag të Covid-19 na ka përballur me një shtim shumë të madh kërkesash nga familjet në nevojë dhe familjet që kanë kaluar në nevojë; ky numër në rritje kërkesash do të kishte qenë i pamundur të përballohej nga ana e Bashkisë po qe se nuk do të kishim edhe mbështetjen dhe bujarinë e  fondacioneve siç është “Fundjava ndryshe” dhe fondacionet e tjera lokale…”. Fal punës së kryer nga Prefektura e Korçës, nga  6 bashkitë Korçë, Pogradec, Devoll, Kolonjë, Maliq dhe Pustec, nga fondacionet, nga shoqata dhe komuniteteve fetare, u bë e mundur shpërndarja e një sasie të konsiderueshme ndihmash për familjet që kishin nevojë për ushqim dhe sende të tjera. Megjithatë, sërish ka nevojë për ndihma edhe në ditët që vijnë. Në vjim të deklarimit të tij Filo tha: “Shpresoj që iniciativës së  Arbër Hajdarit, “Fundjavës ndryshe” t’i bashkohen edhe fondacione të tjera dhe shoqata të tjera me qëllim që të  ndihmojmë sa më tepër familje në këtë situate”.

Prefektura

Edhe për prefektin e qarkut Korçë, Dhori Spirollari, i cili ka qenë i pranishëm në cdo cep të qarkut, pohon se mbështetja e ofruar nga fondacionet është për t’u falenderur: “U bëj thirrje, -tha Spirollari, –  të gjitha bizneseve, korçarëve, pogradecarëve, Devollinjve, Kolonjarëve dhe banorëve të Pustecit, kudo që ndodhen brenda dhe jashtë vendit, të ndihmojnë në këtë situatë të vështirë. Falenderoj kryetarët e bashkive, gjithë punonjësit e tyre të cilët janë në krye të detyrës deri në skajet më të largëta të njësive administrative, vullnetarët dhe komunitetet fetare që na janë gjendur pranë. Së bashku do t’ia dalim kësaj situate të vështirë”. Aktualisht vijon shpërndarja e ndihmave, gjë që do të ndodhë deri në ditët e daljes nga pandemia e virusit corona, madje edhe në ditët më pas. Por nga kjo situatë gjithkush do të dalë me bindjen se në ditë të vështira, duhet jo vetëm t’i gjendemi pranë njëri-tjetrit, por edhe kujdesi dhe fjala e mirë të jete e tillë që të hyjë në zemrat e njerëzve dhe të ndihmojë edhe për një atmosferë dhe gjendeje shpirtërore më të mirë, sepse njeriu nuk ka nevojë vetëm për bukë.

Dhe, sepse, siç thotë  Ernest Hemingway: “Njeriu nuk është bërë për t’u mposhtur. Një njeri mund të shkatërrohet, por kurrë të mposhtet.”