Çorba e thesit të miellit i detyron shqiptarët të emigrojnë me gomone!

85
Sigal

Biora Vojka

Përgjatë zgjedhjeve elektorale vota nuk blihet vetëm me lekë apo me euro, por edhe me një thes miell. Nënproduktet e grurit nuk janë joshëse vetëm për zonat e varfëra në vend, por mund të jenë mall shkëmbimi për votën.Kjo i ka sjellë zgjedhjet shqiptare në pikën kur diskutohet se vota kushton 30 mijë, 40 apo dhe 50 mijë lekë të vjetra. Komentet mund të jenë të ndryshme, si mosfunksionimi i shtetit, mosfunksionimi i strukturave që monitorojnë zgjedhjet, megjithatë ky model tregu i votës është vetëm një turp kombëtar.

Një fakt i tillë i blerjes së votës vë në pikëpyetje gjithë sistemin që kemi ndërtuar përgjatë 25 viteve. Sepse rezulton se partitë, ligjet dhe çdo gjë që e quajmë sistem demokratik është vetëm një fasadë. Në fund, çdo gjë llogaritet me një thes miell, apo me 40 mijë lekë për një votë. Kaq kushton demokracia?! 30 mijë lekë të vjetra mbarojnë shumë shpejt, me një thes miell një familje mund të shtyjë ca vakte. Më pas u mbetet të “hanë” çorbën e keqqeverisjes të gatuar me miellin e kandidatëve. Në fund të fundit, kontrata politikan-votues përfundon kur mbaron mielli.

Dhe pasi ky proces mbaron, ajo që mbetet të provohet është arroganca e  deputetëve, pasi nuk i hedhin më sytë në vendin, ku janë lëpirë aq shumë se do përmirësojnë jetën e qytetarëve, është dhe indinjata e shqiptarëve për tu larguar. Si për tu thënë atyre që i mashtruan se do u jepin paga më të mira, shkolla, infrastrukturë: plasni sytë po largohemi nga ju të babëzitur. Sipas Eurostat janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian, fakt që flet qartë për  krizën demokrafike me plakjen e popullisë, dhe dhimbje koke për ato që mbeten në vend, duke numëruar qindarkat e si t’ia dalin deri në fund të muajit, shkaktuar dhe nga rritja e çmimeve.

Shqipëria quan si arritje se është anëtare e NATO-s dhe kandidate për në Bashkimin Europian. Çfarë vlere kanë gjithë këto procese kur shoqëria dhe politika ka mbetur në nivelet, kur e blenë votën në mënyrën më të shëmtuar dhe në mes të ditës?