Çmimi i naftës, replikojnë Basha e Rama

557
Sigal

TIRANE – Çmimi i naftës do të vazhdojë të ulet. Është kjo përgjigja që kryeministri Edi Rama jep përballë akuzave të opozitës se qeveria rriti çmimin e naftës. Kreu i qeverisë thotë se sot shqiptarët e paguajnë naftën 20 % më pak se sa një vit më parë, kur çmimi i naftës ishte 195 lekë për litër. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se qëllimi kryesor që kanë opozitarët është të gënjejnë qytetarët, pasi kjo sipas tij është e vetmja mënyrë me anë të të cilës ata mund të justifikojnë sot pushtetin e tyre të humbur. Në këtë kontekst kryeministri përmend faktin se në tetë vite qeverisje të djathtët e rritën çmimin e naftës me 200 %, ndërsa vetëm në 16 muaj qeveria e koalicionit PS-LSI e ka ulur çmimin me 20 %.
 
“Në 2013 çmimi i naftës ishte 195 lekë për litër, ndërsa në vitin 2015 është165 lekë për litër dhe ulja do të vazhdojë”, thotë kryeministri Rama.

“Ju thanë që çmimi do rritet si askund në botë. Që veturat, kamionët, anijet, madje edhe furrat e bukës do ndalen. Tani ju thonë pse nuk ulet më shumë se kudo në botë… Sepse kanë vetëm një dëshirë; T’ju mërzisin sa të munden! Vetëm një punë: T’ju gënjejnë sa të munden! Vetëm një qëllim: T’ju përdorin si të munden! Për një arsye të vetme: Pushtetin e tyre të humbur! Ngrenë gishtin dhe akuzojnë përditë për plagët e panumërta që hapen vetë. Për borxhet e mëdha. Për gropën e energjisë. Për kancerin e korrupsionit në arsim e shëndetësi. Madje kanë kurajon të na akuzojnë deri edhe për drogën e për krimin që i mbollën dhe rritën në prehrin e pushtetit të tyre”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama ka zgjedhur t’i japë përgjigje edhe disa komenteve online në rrjetet sociale, ku thotë se krahasimi i Shqipërisë me vende me ekonomi të fortë si Gjermani dhe Anglia nuk është i logjikshëm, në kushtet kur vendi ynë, thotë Rama, “sapo ka nisur të dalë nga gropa e madhe e para një viti dhe nuk mund të rimëkëmbet siç duam, përveçse me kontributin e të gjithëve”

Rama thotë se krahasimin me ekonomitë e fuqishme ja ka lënë qeverisë së shkuar, duke theksuar se  kjo qeveri është zgjedhur për të bërë shtet dhe për të siguruar respektimin e ligjit.

“Të tjerat janë politikë e vjetër ose muhabete që s’na nxjerrin asgjëkundi”, përfudon Rama. 

***

Postimi i z.Basha në FB 

Vajmedeti nuk del dot nga bunkeri i mashtrimit dhe propagandës. E ka kuptuar që bojatisja e gënjeshtrave nuk pi më ujë, ndaj është rikthyer te sporti i tij i vjetër: Ia hedh fajin kujt të mundet por vetë nuk pranon asnjë përgjegjësi. E ka kot! Nuk mashtrohet më askush nga ky nastradin. Shqiptarët po i provojnë në kurriz bëmat e tij.

Premtoi ulje të çmimit të energjisë por e rriti; premtoi ulje dhe subvencionim për naftën por e rriti në nivelin më të lartë në Ballkan dhe Europë; premtoi shëndetësi falas por i ktheu spitalet në kuplara; premtoi reformë në arsim por i ktheu drejtoritë arsimore në motele për pushtetarët; premtoi 300 mijë vende pune por shpunësoi mijëra kryefamiljarë, të rinj e të reja. Punësoi vetëm riformatot, kolumbianët dhe bandat e lidhura kokë e këmbë me të, që e kthyen Shqipërinë në Kolumbi të Europës. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Durimit të njerëzve i ka ardhur fundi.

Të hënën, në ora 11.00 startojmë protestën e madhe qytetare. Ndalim 5 minuta qarkullimin në të gjithë vendin dhe nisim aksionin e madh qytetar kundër çmimit të naftës, kundër çmimit të energjisë, kundër çmimeve dhe taksave të larta, kundër papunësisë, varfërisë dhe padrejtësisë.