Pak qumësht vendi, me çmime shumë të shtrenjta, por një numër në rritje paketimesh me qumësht serb apo italian. Raftet e supermarketeve shqiptare po pushtohen nga importi, teksa sektori i prodhimit dhe përpunimit të qumështit po përballet me një krizë të vërtetë.
Vitin e shkuar, prodhimi vendas i qumështit të lopës ra në nivelin më të ulët historik, përsa kohë që INSTAT mban të dhëna për këtë produkt, në vetëm 824 mijë tonë. Nga ana tjetër, në vetëm 5 muajt e parë të vitit, vendi importoi 5.7 milionë litra qumësht.
INSTAT e rendit qumështit si produktin kryesor të shtrenjtuar në vend me gati 50%, ndërsa llogarit edhe një rritje me gati 20-30% tek bulmetet. Industria e sheh problemin kryesor dhe shkakun për paaftësinë për të konkurruar produktet serbe e italiane tek skema e subvencioneve, që nuk favorizon prodhimin apo formalizimin, me së paku 86% të tregut në të zezë, raporton A2.
Në total, midis qumështit, djathit, gjalpit dhe produkteve të tjera të kësaj kategorie, Shqipëria importoi plot 24 milionë euro mallra për periudhën janar-maj 2023.






















