‘Çmendet’ qytetari në Krujë, rrëmben 2 fletë votimi nga KZAZ-ja dhe largohet me vrap, policia në vendngjarje

118
Sigal

Krujë

Rreth orës 13:50, Komisioni i Qendrës së Votimit 1285/2, KZAZ Nr. 20, Krujë, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi shtetasi B. T. kishte marrë 2 fletë votimi nga Qendra e Votimit dhe ishte larguar.

Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe si rezultat kanë kapur dhe shoqëruar në Komisariat, shtetasin B. T., i cili pasi ka marrë me vete 2 fletët e votimit (të veten dhe të nënës), ka dalë nga Qendra e Votimit, i ka dëmtuar fletët e votimit dhe i ka hedhur ato në koshin e mbeturinave.

Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, shtetasi B. T., 44 vjeç, banues në Tapizë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Policia ka sekuestruar 2 fletët e votimit që ky shtetas mori nga Qendra e Votimit.

Në drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.