Cili ministër meriton një kartolinë urimi? Zonja Kumbaro!

862
Ndriçim Kulla
Një gazetare e një televizioni nga ato që dalin në rrugë me mikrofon dhe kamera televizive për t’iu bërë pyetje kalimtarëve të rastit më ndaloi këto ditë në rrugë dhe më pyeti, se cili ministër, sipas mendimit tim, e meritonte një kartolinë urimi për Vitin e Ri, për punën që kishte bërë. Pyetja më futi në mendime, si qytetar në përgjithësi dhe veçanërisht si botues, si njeri që merret me librin. A e meritonte ndonjëri nga ministrat një kartolinë urimi? Më erdhën ndërmend me radhë ministrat kryesorë të qeverisë. Vështirë se do t’ i dërgoja një kartolinë urimi ministrit të ri të Brendshëm. Jo thjesht, se ai nuk bind pas skandaleve që ndodhën në ministrinë e tij dhe se është përgjegjësia e tij, dhe këtë e them si qytetar, por sepse kam diçka kundër tij edhe si botues. Ai bën pjesë në një qeveri që na detyron t’ i shesim librat në panair me kasë fiskale, dhe nga ana tjetër Policia e Shtetit nuk ka kapur asnjë botues të vetëm pirat të librave, nga ata që skanojnë e riprodhojnë libra të suksesshëm të shtëpive botuese dhe i hedhin në treg. Aq më pak do t’ i dërgoja kartolinë urimi ministrit të jashtëm pas votës së fundit të Shqipërisë në OKB, e cila mund të kishte abstenuar, sipas mendimit tim. Por edhe për shkak se libri shqip nuk bën pjesë në agjendën e diplomacisë shqiptare në botë, përveçse kur ndonjë diplomat është vetë autor dhe promovon librat e tij. As ministrit të Ekonomisë dhe Financave nuk do t’i çoja kartolinë urimi. Ai nuk ka një politikë mbështetëse për librin shqip si kolegët e tij në rajon për librat në gjuhët e tyre, për të mos shkuar më larg në vendet e Bashkimit Evropian. Nuk do t’ i dërgoja një kartolinë urimi as ministres së Arsimit, e cila është me sa duket e vetmja ministre arsimi në Evropë e me siguri edhe në botë, e pa interesuar për futjen në bibliotekat e shkollave të librave të gjysmës së elitës së mendimit të kombit të saj, që në rastin e Shqipërisë ishte përjashtuar për arsye ideologjike nga regjimi komunist. Kujt nga qeveritarët mund t’ i bëj një kartolinë urimi me rastin e Vitit të Ri? Vetëm ministres së Kulturës, zonjës Mirela Kumbaro-Furxhi mendova që t’i bëj një të tillë! Zonja Kumbaro-Furxhi është e vetmja anëtare e kabinetit që mund të rrinte lirshëm dhe denjësisht në postin që mban edhe në qeverinë e një vendi të madh evropian, siç është Franca. E ushqyer që herët me një kulturë evropiane, atë franceze, kjo zonjë ka marrë gradë shkencore në Francë, në disa universitete, duke përfshirë edhe atë të famshëm të Sorbonne-s. Është mbajtëse e titullit Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë, një dekoratë e lartë franceze. Zonja Kumbaro Furxhi është një njohëse e mirë e kulturës dhe mendimit shqiptar, ku ka kontribuar edhe si përkthyese dhe publiciste. Në punën e saj si ministre është treguar shumë dinamike dhe për këtë mjafton të shohësh kalendarin e aktiviteteve të organizuar nga ministria vetëm për këtë vit. Megjithëse asnjëherë që nga viti 2013 ministria e saj nuk ka marrë gjatë ndarjes së buxhetit aq sa meritonte dhe për këtë unë edhe e kam kritikuar publikisht, përsëri zonja Kumbaro-Furxhi, ka treguar aftësi prej nikoqireje libohovite për të administruar buxhetin sa më mirë për nevojat e kulturës shqiptare. Një arritje e madhe e saj që do t’ i njihet edhe kur të jetë larguar nga posti është selia e re e ministrisë në mjediset e ish-Kinostudios. Nëse viziton selinë e re të ministrisë vë re dorën e kujdesshme të një zonje shtëpie, e cila ka ditur që nga një ndërtesë e kohës sovjetike të nxjerrë një gjë të re, duke e shndërruar në diçka me stil modern që të kujton shumë mënyrën se si shumë pallate apo chateau të vjetra franceze që janë bërë seli e institucioneve atje, janë shndërruar nga dora e titullarëve të aftë. Zonja Kumbaro-Furxhi ka ndërmarrë një projekt ambicioz për rikonstruksionin e selive të institucioneve kryesore kulturore të vendit. Ashtu si selia e re e ministrisë është një projekt që, nëse del me sukses do t’ iu rezistojë kohërave. Gjatë mandatit të saj do të kemi Teatrin e Operës dhe Baletit, Bibliotekën Kombëtare etj, të shndërruar totalisht. Do të kemi më në fund edhe një Teatër Kombëtar të ri e të denjë për kryeqytetin e një vendi evropian. Kjo padyshim do te sjellë edhe një afrim të publikut pranë këtyre institucioneve dhe do të ndikojë në aplikimin e një forme edukimi kryesisht tek gjeneratat e reja. Raporti i intelektualit me qeverinë ka qenë gjithmonë delikat në atë pjesë të botës ku aspirojmë të integrohemi, për arsye se nga intelektuali pritet që të jetë kritik dhe kur lavdëron shihet me dyshim, madje akuzohet si i shitur. Por një gjë po aq e keqe është edhe nihilizmi total. Unë nuk jam dakord me këtë qeveri, aq më tepër kur vetë kryeministri thotë shpesh, se është njeriu më i pakënaqur me performancën e saj. Por objeksionet e mia nuk kanë si origjinë nihilizimin, mohimin total të gjithçkaje të mirë që është bërë dhe po bëhet. Qëndrimi im ndaj qeverive, duke përfshirë edhe qeverinë e sotme, do të varet nga vëmendja që tregojnë ato ndaj librit shqip, të cilit i kam kushtuar jetën time si intelektual dhe si botues. Për këtë arsye jam i mendimit se ministrja e Kultur,s, duke qenë se në këtë post erdhi dhe po vijon të marrë përgjegjësitë, së pari si njeri i letrave dhe më tej si zyrtare, duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj në dobi të librit shqip, botimit, përhapjes, afirmimit të tij. Nuk mund të ketë përfaqësues dhe përgjegjës më të rëndësishëm për librin në nivelet drejtuese dhe qeverisëse të vendit se sa vetë Ministri i Kulturës. Dhe nëse do t’ i kërkohet kjo gjë Zonjës Kumbaro-Furxhi atëherë duhet t’i njihet asaj e drejta që të kërkojë mbështetje nga faktorë dhe aktorë të shoqërisë sonë, të interesuar të vullnetshëm dhe të përgjegjshem për mbrojtjen e librit shqip që janë vetë krijuesit, studiuesit, përkthyesit dhe botuesit shqiptarë. Kujdesi për librin nuk do të thotë vetëm konservimi në Bibliotekën Kombëtare, pa mohuar rëndësinë e këtij institucioni. Nëse libri i mirë, veçanërisht kolanat e mendimit shqiptar nuk shkojnë te rinia, te nxënësit, studentët, të cilët do të jenë ata që do të krijojnë shoqërinë e nesërme shqiptare, të përparuar, evropiane, atëherë libri nuk do të luajë rolin e tij si gjenerues i vlerave dhe ideve, i llojit të testamentit më të mirë intelektual të etërve. 
Sigal