Çfarë po ndodh? Euro e nis vitin 2023 me revansh të madh ndaj Lekut

181
Sigal

Euro po shënon një rritje të fortë në kursin e këmbimit me Lekun gjatë ditëve të para të vitit 2023. Sipas kursit zyrtar të bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 116.09 lekë, në rritje me 1.55 pikë krahasuar me të mërkurën dhe me 1.86 pikë krahasuar me fundin e vitit 2022.

Sipas burimeve nga tregu, besohet se në fund të dhjetorit ka pasir një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, që ndali zhvlerësimin e shpejtë të kursit të Euros kundrejt Lekut.

Më datë 28 dhjetor Euro ra në vlerën e 112.83 lekëve, niveli më i ulët i të gjitha kohërave në kursin e këmbimit me Lekun. Pas këtij momenti, besohet se Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg për të blerë Euro, veprim që e ka ndalur nënçmimin e mëtejshëm të monedhës europiane.

Gjithashtu, në ditët e fundit të muajit dhjetor, sipas agjentëve, ka pasur edhe një rritje të kërkesës për Euro. Kjo kërkesë mund të jetë nxitur nga lëvizjet jashtë vendit të shqiptarëve për festa, por edhe nga sjellja oportuniste e aktorëve që kanë nevojë për Euro dhe që kanë shfrytëzuar kursin shumë të ulët për të blerë. Këtu mund të përfshihen bizneset, por edhe shumë familje që kanë kredi apo shpenzime të tjera të planifikuara në Euro.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë dhe rritja e kërkesës në ditët e fundit të vitit 2022 sollën një ringritje të shpejtë të kursit të Euros. Agjentët e tregut besojnë se efektet e këtyre faktorëve po vijojnë edhe në ditët e para të janarit. Bankat dhe institucionet financiare që kanë shitur Euro në fund të dhjetorit, për t’iu përgjigjur kërkesës nga faktorët e mësipërm, tashmë mund të kenë kaluar në blerje, për të mbyllur pozicionet e hapura nga shitjet në volume të mëdha.

Nga ana tjetër, agjentët besojnë se lëvizjet e forta në një kah të caktuar të kursit krijojnë zakonisht një efekt të fortë psikologjik në treg, për shkak se krijojnë pritshmëri se kursi do të vazhdojë të lëvizë në të njëjtin drejtim. Gjithashtu, pasiguria e lartë bën që agjentët e këmbimit valutor të rrisin ndjeshëm marzhet e tyre të këmbimit.

Agjentët mendojnë se, në mungesë të faktorëve të tjerë nga ana e kërkesës apo ofertës, efektet e zhvillimeve të fundit të vitit 2022 priten të përthithen gradualisht gjatë ditëve në vazhdim dhe kursi i këmbimit Euro-Lek të stabilizohet.

Vitin e kaluar, kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi nivelet më të ulëta historike, duke arritur kulmin në fund të muajit dhjetor. Sipas ekspertëve, rënia e Euros ka ardhur për shkak të një oferte të lartë të shkaktuar nga burime formale, si turizmi, remitancat apo investimet e huaja, por gjithashtu edhe nga prurjet e larta informale nga jashtë. Mbiçmimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron e ndihmoi ekonominë shqiptare të përthithte pjesërisht rritjen e fortë të çmimeve të importit, duke ndikuar (veç faktorëve të tjerë) në nivele më të ulëta të inflacionit krahasuar me Eurozonën dhe ekonomitë fqinje./Monitor