Censi i popullsisë dhe i banesave pritet të nisë në shtator, INSTAT: 8 mijë persona të angazhuar për procesin

124
Sigal

Censi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri pritet të nisë këtë shtator. Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, bën me dije se procesi i mbledhje së të dhënave në terren do të zgjasë 6 javë. Për herë të parë përgjigjet do të regjistrohen në tableta.

“Ne kemi menduar të angazhojmë afro 8 mijë persona që janë staf anketues, kontrollorë, mbikëqyrës, por mbikëqyrës dhe të TIK sepse do përdoren tableta për mbledhjen e informacionit, por dhe mbikëqyrës për sistemet e hartëzimit,” – u shpreh Dhuli për euronews. Anketuesit e trajnuar do të trokasin në çdo derë, për mbledhjen e të dhënave dhe përgjigjet do të jenë detyruese për qytetarët. “Qytetarët do të pyeten për kushtet e ndërtesave dhe banesave, për statusin e tyre individual, për statusin e punësimit, për statusin e arsimit, shëndetësisë, gjithashtu është dhe një modul për ata që zotërojnë tokë bujqësore ose të angazhuar në  proceset e bujqësisë, pra është një modul për bujqësinë,” – tha Dhuli. 16,9 milionë euro është kostoja e këtij projekti gjithëpërfshirës, që në përfundim do t’ju vijë në ndihmë së pari politikbërësve, studiuesve dhe të gjithë qytetarëve.

“Iu  nevojiten në radhë të parë hartuesve të politikave për marrjen e vendimeve sa më të drejta, jo vetëm në nivel qendror por dhe lokal, për të pasur një informacion të saktë bazuar në shifra, sa shkolla duhet të ndërtohen, sa spitale duhet të ndërtohen, ku duhet të ndërtohen, ku janë nevojat emergjente, cili është statusi i punësimit të personave të cilët janë forca aktive pune në Shqipëri dhe shumë informacione të domosdoshme. Së dyti është shumë i rëndësishëm për kërkuesit dhe studiuesit shkencorë për të bërë analiza të thelluara,” -u shpreh Dhuli.

Panorama e qartë e popullsisë shqiptare me të dhënat e detajuara, mbi kushtet e jetesës së shqiptarëve, numrin e popullsisë rezidente në Republikën e Shqipërisë do të publikohet në qershor të vitit 2024, duke ju dhënë kështu në dorë të gjithë aktorëve, dokumentin më të rëndësishëm bazuar në shifra për Shqipërinë.