ce radhës të ministrit për kanabisin…

566
Një muaj pas intervistës së parë të vitit 2017, kur Ministri i Brendshëm na informoi se policia do parandalojë prodhimin e kanabis sativës, në ditën e 22 shkurtit u tha se, “Pas një plan-veprimi të ministrit Tahiri, tre mijë forca të policisë nisën operacionin antikanabis në të gjithë vendin për evidentimin e farishteve dhe kubikëve në sera, ish-depo ushtarake, tunele, magazina e banesa të braktisura”. Ishte lajmi i shpërndarë nga mediat vizive i shoqëruar edhe me sekuenca të përgatitura, sikur po ndodh shpesh me “Rilindjen” socialiste. Dhe m’u kujtuan aksionet e muajve të verës së vitit 2016, kur 3500 forcat e policisë të shpërndara në “plantacionet” e vendit, korrnin kanabis sativën për mos t’u mbledhur nga pronarët, të cilët “punësuan” mijëra forca që kishin braktisur punët e tjera të stinës në bujqësi, të ndihmuar nga forcat e qytetit. Aksionet e policisë kishin për qëllim të “parandalonin“ trafikimin nëpër Evropë, por si në asnjë vit më parë vazhdojnë të arrijnë tonelatat. Thuhet se kontrollet do të bëhen dhe nëpërmjet kufirit, për të parandaluar mundësinë e futjes së farërave të kanabisit, kur droga me kilogramë e e kuintalë të prodhimit të vitit të kaluar “eksportohen” nëpërmjet kufirit të gjelbërt. Gjithçka që bëhet nuk është veçse e njëjta propagandë e vitit të kaluar, kur efektivat e policisë korrnin dhe digjnin kanabisin në parcelat e mbjella, që kishin arritur edhe mbi 2 m të larta. Ashtu si propagandohet dorëzimi dhe grumbullimi i armëve e municioneve pas 20 vite të ngjarjeve të ’97-ës apo rritjes së pensioneve dhe faljes së gjobave e borxheve, kamatë vonesave të energjisë elektrike dhe nisma të tjera që me siguri do të na i dëgjojnë veshët, deri në 18 qershorin e ditës së zgjedhjeve parlamentare. Dy ditë më pas fillimit të aksionit të parandalimit të kultivimit të kanabisit, nisën të shpallen rezultatet e rëndësishëm të policisë: “Nga 3100 efektive të angazhuar u kontrolluan 6901 objekte të ushtrisë si tunele, magazina etj, dhe banesa të braktisura e sera, ku u mbajtën proces-verbalë ose deklarata nga pronarët e tyre, se ata nuk do të kultivojnë bimë narkotike”, veprime, sa qesharake, aq dhe antiligjorë; si presione psikologjike ndaj qytetarëve, të cilët jo të gjithë janë marrë apo do të merren me bimët narkotikë, mbështetur vetëm në një plan-veprim të firmosur dhe nxjerrë nga një person politik, ministri, si mënyrë për t’u justifikuar me përrallat e tij edhe për të ardhmen. “Në vitet e pushtetit të opozitës së sotme, vetëm 7% e kanabisit korrej e asgjësohej, pjesa tjetër tregtohej për eksport, ndërsa pozita e sotme ka korrur dhe asgjësuar 99% të prodhimit, të mbarë vitit 2016” – na ka thënë ministri në seancën plenare të 15 shtatorit në parlament, kur diskutohej, se çka ndodhte me kanabis sativën. Dhe menduam se shumë pak kishte mbetur në fushë ose thuajse aspak, kur në fund ishte 1% e prodhimit të mbetur pa u korrur. Një ditë pas deklarimit të këtyre shifrave, mësuam nga mediat se në rrethet Tepelenë e Vlorë u asgjësuan 35 e 12 mijë rrënjë kanabis sativa, që bashkë me 3000 rrënjë të korrura dhe asgjësuara në Shkodër, bëheshin 50000 rrënjë. Këto sipas ministrit ishin rrënjët e 1%-shit të deklaruar një ditë më parë në seancën parlamentare, pra u asgjësuan dhe rrënjët e fundit të 2016-ës. Shifrat e padëgjuara dhe të pa hedhura më parë, paditur se sa mijë apo milionë rrënjë kanabis ishin korrur e asgjësuar, të djegura nga punonjësit e policisë, krijoi përshtypjen se trafikimit në Evropë i kish ardhur fundi. Por shifra më e fundit na erdhi nga Drejtori i Antimafies së Italisë, i cili në takimin me Kryeprokurorin Llalla pohoi se, në vitin 2016 dhe në vazhdim sasia e kanabisit të importuar në Itali është rritur tre herë. Prandaj, nuk do të na habisë që trafikimi i kanabisit, kësaj fare të keqe të përhapur prej vite në vendin tonë, e nxitur nga politikanët dhe pushtetarët e çdo krahu, do të jetë më i madh. Kjo do të ndodhë, për sa territori nuk kontrollohet nga struktura të caktuara, të organizuara të shtetit, pyjet priten pa i zëvendësuar me fidanë të rinj, bimët medicinale varfërohen e zhduken, sepse digjen dhe shkatërrohen kullotat, fshatrat braktisen e boshatisen, ndërsa qytetet mbi popullohen për t’u frekuentuar baret, kazinotë, bingot, lojërat e fatit dhe bastet sportive, etj, për të pastruar fitimet marramendëse të drogës e çdo gjëje tjetër të paligjshme. Ministri, duke folur për policimin në komunitet ka thënë: “Duhet të merremi me këtë çështje për t’i dhënë një zgjidhje definitive … Para se ta merrnim detyrën, nuk flitej për luftë kundër kanabisin… Ky është vit vendimtar për t’i dhënë fund një herë e mirë.” Kjo deklaratë është përrallë tjetër që ka për qëllim të justifikojë shifrën e Drejtorit të Antimafies së Italisë.
Sigal