Çako në Bukuresht në Konferencën Rajonale të Interpolit, takime bilaterale

580
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka qenë i ftuar në Konferencën e 43-të Rajonale të Interpolit që zhvillohet në Bukuresht prej 3 ditësh. Çako, para fillimit të punimeve të konferencës, ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale. Gjatë paradites së djeshme Z. Çako është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Rumune Z. Petre Toba. Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy policive. Diskutimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve në katër drejtime si: Lufta kundër Terrorizmit, Lufta kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, Bashkëpunimi për shkëmbimin dhe analizën e informacionit kriminal, Bashkëpunimi për mbrojtjen e dëshmitarëve. 
Më pas Drejtori i Policisë Çako zhvilloi një takim kortezie në Qendrën për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) në Bukuresht, Rumani, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm z. Gurbuz BAHADIR. Objektivi i SELEC, në kuadër të bashkëpunimit midis autoriteteve kompetente, është që të sigurojë mbështetje për shtetet anëtare dhe për të përmirësuar koordinimin në parandalimin dhe luftimin e krimit, përfshirë krimin e rëndë dhe të organizuar si edhe veprimtarinë ndërkufitare.
Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi rëndësinë e qendrës Selec për Shqipërinë. Kjo qendër është e rëndësishme në lidhje me koordinimin e operacioneve rajonale dhe mbështetje të hetimeve në aktivitetet parandaluese të krimit të Shteteve Anëtare. SELEC kërkon t’u sigurojë Shteteve Anëtare mundësinë për të shkëmbyer informacion dhe inteligjencë kriminale dhe të ofrojë ndihmë operacionale në mënyrë të shpejtë dhe në kohë. Qendra mbledh, analizon, përpunon dhe shpërndan informacion dhe inteligjencë kriminale dhe prodhimi i analizave dhe i vlerësimit strategjik të kërcënimit lidhen me objektivin e saj dhe Shqipëria ka dhënë kontributin e saj në këtë. Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi se është në dobinë e shteteve anëtare bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimtarive të përbashkëta me vendet anëtarë, si edhe me partnerët e Qendrës. Shqipëria do të vijojë angazhimin e saj për të kthyer Qendrën në një Depozitues të praktikave më të mira të zbatimit të ligjit. 
Sigal