Sigal

Ndërkohë që pensionistët i gëzoheshin shpërblimit të gjysma-gjelit, qeveria qendrore dhe ajo vendore nga datat 24-28 dhjetor likuiduuan 150 milionë euro tdenderë dhe para të mbajtura “peng” nga… harresa. Nga 2031 Janar me firmën e ministrave të larguar si dhe kryebashkiakëve u kryen 9284 transaksione, 157 tenderë dhe vetëm në datë 31 dhjetor u zhvilluan 23 tenderë. Ja lista

Fundi i muajit dhjetor që njëkohësisht përkon edhe me mbylljen e vitit 2018 solli për një pjesë të mirë të qytetarëve shqiptar shpërblime, të cilat për pensionistët dhe njerëzit në nevojë ishin në vlerën e gjysmës së gjelit pasi çmimi i plotë i tij i kalonte të 100 mijë lekët. Gjithashtu një pjesë e administratës mori shpërblime më të majme, kurse një pjesë tjetër dhe, sidomos sektorët strategjikë; si policia edhe ushtria edhe pse kanë vështirësi të mëdha dhe përballje me krimin u vlerësuan në mënyrë simbolike. Por kishte edhe sektorë të rëndësishëm, sikurse është ai i arsimit që u shpërfillën, duke mos përfituar as pagën e 13-të dhe asnjë shpërblim modest, edhe pse gjatë vitit këtyre punonjësve u mbahet nga rroga një pjesë e vlerës, e cila duhej ti rishpërndahej në fundvit. Kjo tablo kishte të bënte me pjesën e asaj shtrese, të cilën politika e do vetëm për fasadë dhe për vota, pasi pjesën e luanit që arrin në rreth 150 milionë euro iu shpërnda bizneseve të preferuara të pushtetit qendror dhe lokal si klientëve të shtetarëve apo atyre që janë pranë tepsisë së qeverisë së Rilindjes. Në një investigim tejet profesional të (open data) mbi tenderime dhe pagesat publike në javën e fundit të muajit Dhjetor 2018, institucionet shtetërore kanë nxituar të mbyllin prokurime dhe koncesione të shumta, por edhe të realizojnë likuidime marramendëse për llogari të firmave dhe kompanive që janë të preferuarat e pushtetit qendror të rilindjes dhe pushtetit vendor. Transaksionet, sipas kësaj qendre, kryhen nëpërmjet thesarit, i cili është një shërbim që ofrohet nga organizata AIS me qëllim informimin, transparencën, monitorimin dhe llogaridhënien për qytetarët. Shërbimi u jep mundësi taksapaguesve të mësojnë si shpenzohen paratë nga qeveritë dhe institucionet publike. Duke analizuar rekordet e kësaj databaze të mirë-strukturuar, mund të kuptohen dhe monitorohen”:

Si i shpenzon paratë administrata publike?

Ku shkuan fondet e alokuara?

Sa paguhet për shërbime/raste te ndryshme?

Sa para ka përfituar një kompani e dhënë, nga një institucion i dhënë, në një interval të dhënë kohe?

Sa ka shpenzuar çdo institucion?

Sa para janë shpenzuar në intervale të shkurtra kohe?

Tenderë në Bashki, javën e fundit të Dhjetorit 2018

Për muajin dhjetor 2018, madje në fund të tij, rreth157 tender janë shpallur vetëm në javën e fundit të vitit, nga 61 Bashki të vendit, ku 23 vetëm në datën 31dhjetor  2018. Dy nga këto tenderë kanë vlerën mbi 100 milion lekë.

Pagesa Thesari në datat e fundit të vitit, arrijnë 150 milionë euro

Në katër datat e fundit të vitit, 24 deri 28 dhjetor, Thesari i Shtetit ka kryer plot 9 284 transaksione për të cilat vlera është 16 816 935 673 (gjashtëmbëdhjetë miliardë e tetëqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre) Lekë. Nga këto transaksione të realizuara në datën 24 deri 28 dhjetor, janë 28 pagesa me vlerë mbi 100 milionë lekë. Në total transaksionet e këtyre katër datave me vlerë mbi 100 milionë lekë kanë shumën 8,4 miliardë.
Ministria e Financave nuk ka publikuar ende, nëse ka pagesa të kryera nga thesari në Datën 31 Dhjetor, pavarësisht se ne sot po nisim botimin e institucioneve që i kanë kryer prokurimet dhe koncesionet, kategorinë,përfituesit, vlerën, faturat përkatëse, degët e thesarit, datat e kryerjes dhe të gjitha të dhënat e tjera, të cilat kanë lënë gjurmë në thesarin e financave të shtetit. Është normale që çdo institucion duhet të kryejë aktivitetin e vet ekonomik dhe financiar, pasi edhe taksat e shqiptarëve, edhe kredimarrja, edhe tenderimet, edhe koncesionet edhe blerjet, edhe shitjet duhet të kryhen pasi ekonomia dhe zhvillimi nuk mund të kuptohen ndryshe. Por ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se, përse këto veprime u kryen pikërisht javën e fundit të vitit dhe nuk u shtrinë në kohë dhe periudha të përshtatshme . Ndoshta këto veprime dhe këto likuidime duken sikur kanë qenë të bllokuara dhe u liruan pikërisht në fund të vitit. A mos vallë duhet të ngrihen dyshime se këto likuidime u bënë pikërisht sapo ministrat po bëhen gati të dorëzojnë dosjet dhe zyrat e tyre dhe me këtë rast po mbyllin edhe detyrimet e fundit? Ndoshta bizneseve u janë bllokuar paratë deri në limitin e fundit të vitit për të shtrënguar dhe për ti detyruar që të negociojnë me ata që kanë të drejtën e firmës për likuidim? Hamendësitë janë nga më të shumtat, por një gjë është e vërtetë që këtyre parave, taksa të qytetarëve shqiptarë iu hap gryka e thesit në javën e fundit të vitit, gjë që nuk ka ndodhur ndër vite, pasi dihet që, pas datës 15 dhjetor, thesari i bllokon veprimet dhe likuidimet e kompanive.

Tender: Sektori-Shëndetësi

Ndërkohë një tender i realizuar nga Qendra Spitalore Universitare nënë Tereza konsiston në asgjësim të mbetjeve (materialeve ) farmaceutike të skaduara. Kosto e parashikuar për këtë shërbim (asgjësim) është 10 milionë lekë të reja.

Koncesioni i datës 31 dhjetor 2018

Në pritje të dekretit për shkarkim, Ministri Gjiknuri, në datë 31 dhjetor shpall koncesion për Termocentralin e Vlorës. Ky është prokurimi i fundit për PPP / Koncesione për vitin 2018. Autoriteti Prokurues është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Objekti i Prokurimit: Dhënie me Koncesion / PPP për rehabilitimin dhe vënien në Punë të Termocentralit të Vlorës dhe të Tubacionit Fier – Vlorë të furnizimit me gaz të TEC. Përshkrim i Shkurtër i Koncesionit / Kontratës së Partneritetit Publik Privat sipas Open Procurement Albania: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur të implementojë projektin e rehabilitimit dhe të operimit të Termocentralit të Vlorës, përfshirë mundësisht një degëzim të tubacionit të gazit Fier – Vlorë. Përzgjedhja e ofertuesit Fitues do të bëhet bazuar në një procedurë të hapur konkurrimi, sipas kritereve specifike të kualifikimit dhe vlerësimit. Kohëzgjatja e Kontratës koncesionare / PPP është 20 vjet, duke filluar nga momenti i rehabilitimit, operimit të TEC dhe pasi të jetë siguruar furnizimi me gaz i TEC-it të Vlorës. Burimi i financimit: Kapital Privat. Vendndodhja e Objektit të Kontratës: Termocentrali i Vlorës (TEC) ndodhet në bregun e Detit Adriatik, 6 km nga qyteti i Vlorës. Gara e hapur pritet të finalizohet në shkurt. Vlera e parashikuar për koncesionin është 58 milionë Euro ose 7.24 miliardë lekë.