Bypass i Fierit, kompania italiane i xhiron lekët nga një llogari e paligjshme

666
Sigal

Ndërtimi i korridorit të Bypass-it të Fierit, përveçse kanë kaluar afatet e mbarimit të punimeve duket se po përfshihen dhe në një betejë të fortë mes palëve nën ndikimin e klaneve qeveritare. Tenderin për kryerjen e punimeve në këtë segment e ka fituar kompania italiane ‘Serenissima’. Kjo kompani nënkontraktoi në fillim firmën shqiptare ‘CAE’, por më pas marrëdhëniet mes dy kompanive u acaruan dhe ‘CAE’ paditi në gjykatë kompaninë italiane, duke kërkuar që italianët të shlyenin faturat e detyrimeve dhe situacioneve prej disa milionë euro. Me këtë rast u vendos dhe vendosja nën kontroll i llogarive bankare të kompanisë italiane, me qëllim ekzekutimin e detyrimit. Por duket se kompania ‘Serenissima’ ka arritur të shmangë masat e marra nga organet ligjzbatuese shqiptare. Media disponon një letër që kompania ‘CAE’ i ka dërguar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Genc Sejko, dhe e vë në dijeni atë mbi faktin se italianët janë duke kryer operacione bankare të paligjshme nga një llogari në Itali, e cila është llogari e paautorizuar dhe e shkëputur nga filiali lokal i kompanisë italiane. 

Sipas denoncimit, është filiali shqiptar entiteti që ka tagrin për të kryer operacione pagesash dhe llogaria bankare përkatëse, ndërsa pagesat e punimeve të dala nga konto të tjera bankare janë të paligjshme. Kompania shqiptare ‘CAE’ i kërkon Bankës së Shqipërisë të marrë menjëherë masa për të ndërprerë dhe bllokuar këto pagesa të paligjshme, që nxjerrin jashtë loje vendimet e organeve ligjzbatuese shqiptare. Po çfarë po ndodh? Pse kanë nisur përplasjet mes kompanive? Kur nisën punimet çdo gjë ecte normalisht, palët kishin arritur kompromisin dhe firma italiane bashkë me nënkontraktorët shqiptarë po zbatonin kontratat mes tyre. Por duket se milionat e eurove të investuara në këtë projekt kanë ‘joshur’ klanet e pushtetit të “Rilindjes” dhe në këtë pikë kanë nisur ndërhyrjet. Kompanitë nënkontraktore që kanë hapur procesin gjyqësor kanë refuzuar të japin shpjegime mbi shtysat e konfliktit dhe janë shprehur se do të operojnë vetëm nëpërmjet gjykatës. Nga ana tjetër, kompania e paditur italiane duket se i ka krahët e ngrohta në qeveri. Ajo dyshohet se ka fituar ‘simpatinë’ dhe mbështetjen e disa zyrtarëve të lartë në kryeministri. Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, z.Engjëll Agaçi, prej muajsh është vënë zyrtarisht në dijeni të problemeve, por nuk ka ndonjë gjurmë të ndërhyrjes së tij për normalizimin e situatës. Kompania italiane ‘Serenissima’ dyshohet se ka mbështetjen indirekte të kryeministrit Edi Rama dhe punon nën garancitë personale të njerëzve të tij të afërt./HashtagAL/