Bylykbashi: Ish-ministri i Brendshëm të hetohet për shitblerjen e votës gjatë zgjedhjeve në Tiranë

759
Tahiri nën hetim të trefishtë, Bylykbashi: Marku të hapë dosje për shitblerjen e votës në Tiranë

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi i ka sugjeruar kryeprokurores Arta Marku të nisë hetimin për Saimir Tahirin për veprën e shitblerjes së votës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013. Me anë të një statusi në Facebook, Bylykbashi shkruan se merr sugjerim nga përgjimi i Habilajve në dhjetor të 2013-s sipas të cilëve Tahiri ka shpenzuar 5 milionë euro në fushatë dhe përgjimi i janarit 2014 sipas të cilit, Habilajt thonë se janë blerë të gjitha votat. Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm, Tahiri është aktualisht nën hetim për lidhje me trafikun e drogës. Nëse merret parasysh kjo kërkesë, do ishte i treti për Tahirin, pas ati që do të bëjë Komisioni Hetimor i grupit të deputetëve të Kuvendit për lidhje me kanabizimin e vendit në vitin 2016-të. Deputeti demokrat thotë se kërcimi i PS-së në Tiranë nga 140 mijë vota në 2011, në 199 mijë vota në 2013, dhe pastaj rënia sërish në rreth 130 mijë vota në 2015, është tregues i qartë, sipas tij, për diçka jo normale që duhet të çojë në hetim. Bylykbashi shkruan se Marku duhet ta ndërmarrë këtë hetim, nëse nuk është “prokurore guackë që aktivizohet vetëm me telefonatë të kryeministrit”.

Statusi i plotë i Oerd Bylybkashit
Krimi on-shore dhe prokurorja guackë‎
Arta Marku, Prokurorja Provizore duhet të nisë hetimin e Sajmir Tahirit, ish-kreu i PS për Tiranën, për veprën korruptive të shitblerjes së votës. Habilajt deklarojnë në dhjetor 2013 që ‎Saimir Tahiri ka shpenzuar së paku 5 milionë euro në fushatë zgjedhore. Fushata zgjedhore para dhjetorit 2013 ishte ajo e zgjedhjeve të qershorit të atij viti. ‎Në janar 2014, Habilajt deklarojnë ‎se është bërë masakër, janë blerë të gjitha votat. E nëse blen kaq shumë, edhe fiton. Këto deklarime janë të regjistruara në Prokurorinë e Catanias, në Itali. Ne fushatën e 2013-s që përmendin Habilajt, PS e qarkut Tiranë me në krye Tahirin, kërceu nga 140.000 vota në 2011 në 199.000 vota në 2013 për të rënë në 130.000 në 2015 (të gjithë e dinë që Saimiri nuk e honeps Erionin dhe as gur per të çarë kokën nuk i jep, jo më para). Një kërcim i paprecedent me plot 59.000 vota që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Tiranë dhe askund tjetër që vetëm shitblerja e votës dhe përfshirja e bandave e justifikojnë. Të shohim a do ta hetojë prokurorja këtë korrupsion politik ‎me paratë e krimit on-shore, vendali, apo është prokurore guackë që aktivizohet vetëm me telefonatë të Kryeministrit.

Tirana Today
Sigal