Buxheti 2024 nuk e mbron qytetarin nga inflacioni, qeveria pa plan antikrizë

22
Sigal

Deputetët miratuan buxhetin e vitit të ardhshëm në 7 mld euro. Teksa kryefjalë e tij duhet të ishin familje në nevojë dhe pensionistët, realisht mbeten të pambrojtur nga kostot e dyfishuara të  çmimeve  të larta të ushqimeve si pasojë e inflacionit të lartë. Indeksimi i pensioneve në tetor më i ulët se inflacioni i ushqimeve.Qendra ALTAX: Taksa e inflacionit e papërballueshme. Rritja e normës së interesit nga bankat po ‘rrjep” bizneset e qytetarët që kanë marrë kredi. Gati vala e dytë e rritjes së çmimeve, ja rreziqet sipas ekspertëve

 

“Inflacioni pranohet nga të gjithë se duhet luftuar me vendosmëri, por fatura financiare për rritjen e normave të ndërmarra nga BSH nuk duket të jetë rruga më e saktë, pasi po ndikon jashtëzakonisht në koston mujore për bizneset, që kanë marrë kredi në dy vitet e fundit”, vijon më tej analiza e ALTAX.

 Jemi mësuar në vitet e fundit që secili draft buxheti i miratuar nga qeveria kishte një emërtim. Për shembull buxheti i vitit 2020 ishte i rindërtimit, ai i vitit 2021 ishte i rimëkëmbjes pas pandemisë, kurse ai i vitit të shkuar ishte buxheti i përballimit të krizës së inflacionit dhe çmimeve stratosferike të ushqimeve, karburantit dhe energjisë. Po buxheti i vitit 2024, çfarë synimi ka? Ky buxhet që parashikon shpenzime në vlerën 735.9 miliardë lekë dhe të ardhura rreth 674.6 miliardë lekë, nuk ka një emër. Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj thotë se kryefjalë e tij duhet të ishte familja dhe kryesisht ato familje që janë në nevojë dhe pensionistët, kostot e të cilëve janë dyfishuar vetëm prej inflacionit të lartë të përqendruar tek shporta e ushqimeve.

“Ky buxhet duhet të kishte patjetër një emër, dhe t’i dedikohej përkrahjes sociale, nuk i referohem vetëm pensioneve. Në këtë buxhet mungoi analiza se si duhet të sillet qeveria me nevojat që ka vendi”,- tha eksperti.

Por çfarë parashikon buxheti i vitit 2024, për një të tretën e shoqërisë, që janë kategoria e pensionistëve? Qeveria thotë se buxheti i vitit të ardhshëm mbështet pensionistët dhe familjet në nevojë, por realisht parashikohet të jepet ndihma ekonomike në të njëjtën vlerë si këtë vit apo asistenca sociale. Kurse për pensionistët është parashikuar vetëm indeksimi.

“Indeksimi nuk është një rritje, por një masë minimale për të mbajtur në nivel pensionet. Kemi shumë shtresa të tjera në nevojë dhe vendi duhet të kishte nisur përgatitjet për të garantuar minimumin jetik”,- thotë Gjokutaj.

Në buxhetin e vitit që vjen është parashikuar të bëhet indeksimi i pensioneve në muajin tetor. Vlera e buxhetit për këtë indeksim së bashku me bonusin e fundvitit është planifikuar rreth 7.7 miliardë lekë.

“Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 4 137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3 650 milionë lekë. Ky fond ndahet midis skemave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave”, -thuhet në projektligjin e buxhetit për vitin që vjen.

 “Inflacioni i lartë gërryen fuqinë blerëse të familjeve, dëmton mirëqenien e shtresave me të ardhura të pakta të shoqërisë, si dhe ul eficiencën e shpërndarjes së burimeve në ekonomi, duke frenuar rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”.

Por sa i mbron pensionistët apo familjet në nevojë masat e përkohshme apo indeksimet?

Përgjigjen, e kësaj pyetje prej kohësh e jep Banka e Shqipërisë, ku shpesh i ka propozuar qeverisë që ta dedikojë mbështetjen me fonde direkte. Po kështu edhe Banka Botërore thotë se ndihma për familjet të jepet në formë subvencioni ose granti.

“Nivelet e larta të inflacionit kanë qenë dhe mbeten sfida prioritare e politikave tona ekonomike”, kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në Komisionin e Ekonomisë më 10 nëntor 2023. Thënë këtë paralajmërim, Sejko theksoi se vlerat e larta të inflacionit po godasin më të pambrojturit.

“Inflacioni i lartë gërryen fuqinë blerëse të familjeve, dëmton mirëqenien e shtresave me të ardhura të pakta të shoqërisë, si dhe ul eficiencën e shpërndarjes së burimeve në ekonomi, duke frenuar rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, vijoi më tej guvernatori.

Përpos këtyre paralajmërimeve, parashikimet buxhetore për vitin 2024, flasin për një situatë tepër optimiste, edhe pse tashmë është paralajmëruar vala e dytë e inflacionit e ndikuar tashmë jo vetëm nga lufta në Ukrainë, por edhe nga lufta e nisur në lindjen e Mesme, Izrael-Palestinë, që mund të shkaktojnë një rritje të fortë të karburantit dhe ushqimeve, por që efekti mund të jetë zinxhir. Edhe pse me një sërë rreziqesh përpara në këtë buxhet të konsideruar më të madhin që ka pasur ndonjëherë vendi, nuk ka një paketë të dedikuar krizës së inflacionit.

Indeksimi i pensioneve në tetor më i ulët se inflacioni i ushqime

Në fund të muajit shtator 2023 Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për indeksimin e pensioneve me 8.6%, vendimi hyri në fuqi më 1 tetor dhe kostoja e kësaj rritje ishte 3.1 miliardë lekë.

Sipas ministrisë së Financave ky indeksim mbulon rritjen e çmimeve prej gushtit 2022 deri në gusht 2023.

E vërteta është se indeksimi i pensioneve bëhet duke marrë në konsideratë inflacionin mesatar të vitit, dhe jo inflacionit sipas grup mallrave që përdorin qytetarët.

Sipas një përllogaritje të bërë nga Gijotina, rritja e çmimeve të produkteve të shportës për periudhën janar-shtator 2023 ishte në nivelin 10.2%, kurse pensionet u indeksuan me 8.6%, pra ndjeshëm më pak se sa kostoja reale e pensionistëve.

Në mungesë të masave ekstra për të mbështetur njerëzit përballë luftës me inflacionin, barra e normalizimit të situatës duket se ka rënë mbi Bankën e Shqipërisë që vazhdimisht po rrit normën bazë të interesit.

Me rritjen e fundit që ju bë normës bazë të interesit më 1 nëntor, me 0.25% duke e çuar në 3.25%, u bë lëvizja tjetër që synon shtrenjtimin e lekut dhe ngadalësimin e konsumit.

Qendra ALTAX, në një analizë të bërë për faturën e inflacionit thotë se- “Vendimi i fundit i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në fillim të Nëntorit 2023 për rritjen e vazhdueshme të normës së interesit për të luftuar inflacionin, duket se mund të jetë kura e shtrenjtë dhe e papërballueshme për t’u shëruar nga taksa e inflacionit”.

Sipas kësaj analize rritjet e njëpasnjëshme të normës nga banka po ju rrisin kostove bizneseve e qytetarëve që kanë marrë kredi.

“Inflacioni pranohet nga të gjithë se duhet luftuar me vendosmëri, por fatura financiare për rritjen e normave të ndërmarra nga BSH nuk duket të jetë rruga më e saktë, pasi po ndikon jashtëzakonisht në koston mujore për bizneset që kanë marrë kredi në dy vitet e fundit”, vijon më tej analiza e ALTAX.

Nëse banka vazhdon rritjen e normës së interesit efekti do jetë bumerang, dhe do të përkthehet në kosto ekstra për ekonominë e cila do fillojë rënien.

“Vazhdimi i rritjes së normave të interesit nuk na çon në drejtim të rritjes ekonomike, pasi do të frenojë konsumin e mallrave të ndryshme, do të ndikojë në koston e bizneseve dhe do të japë një tjetër valë të re rritje çmimesh duke konsideruar edhe vendimet e politikës fiskale për rritje të taksave për shumicën e profesioneve dhe aktiviteteve të lira. Por në rastin e vendimit për rritjen e pagave të sektorit publik, si një premtim politik i qeverisë aktuale, por edhe nga rritja e detyruar e pagave të sektorit privat për arsye të ofertës së ulët në tregun e punës dhe presionit në rritje të punonjësve duket se lufta ndaj inflacionit ka hyrë në një moment paradoksi”, thuhet ndër të tjera në raport.