Buxheti 2018, borxhi dhe farsa e bashkëqeverisjes

581
Koço Broka
Ekonomist

Një nga pretendimet kryesore të pas zgjedhjeve të Qershorit të këtij viti, të kryeministrit, mbasi fitoi i vetëm mazhorancën, ishte dhe mbetet pa dyshim, bashkëqeverisja. Koha e harxhuar në takimet e drejtpërdrejta të anëtarëve të kabinetit kryeministror dhe vetë Kryeministrit me qytetarët, në fakt është mbresëlënëse. Nëpër biseda të njerëzve të zakonshëm, rëndom ka filluar të qarkullojë qarja e hallit të Ministrave, apo deputetëve të ndryshëm të mazhorancës, se në cilën bashki do të të jenë të shtunën apo të dielën, për të shoqëruar kryeministrin?! Në se hap faqen e Kryeministrit, lexon, “Bashkëqeverisje me njerëzit në të gjithë procesin politik-bërës dhe vendimmarrës” “Bashkëqeverisje me qytetarët për ndërtimin e një administrate në shërbim të publikut” Me qytetarët për prioritetet e qeverisjes”, ” Me qytetarët për të ndërtuar mekanizmin e bashkëqeverisjes” “Zyrat e shtetit të jenë të njerëzve të zakonshëm” “Së bashku mund të zgjidhim problemet e krijuara nga burokracia” “Buxheti 2018 në konsultimi me qytetarët e…”“Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarë” …etj. Platforma on line është fakt një fakt real, po ashtu dhe takimi me koordinatorët e zyrës së bashkëqeverisjes me njerëzit:.. Ndërkohë mendoj se pavarësisht nga ballafaqimi i fortë e kryeministrit me gazetarë dhe median, kundërshtitë e para filluan të pasohen me shfaqe elementësh sinergjie. Nuk janë të pakta ndodhitë, dhe qëndrimet e mjedisit të medias por dhe gazetarëve të ndryshëm, përfshi fakultetin përkatës, të kthejnë sytë nga vetja, nga mangësitë e raportimit të saktë…për tu bërë më të besueshëm. Evropianë, duke filluar nga drejtuesit e Deutsche Welle, apo gazetarë të shumtë kanë ardhur në Tiranë për “Ditët e Medias në Ballkanin Perëndimor” duke shkëmbyer e ndarë ide mbi rritjen e rolit të medias në shoqërinë e sotme…Megjithatë nuk ka vend për ngazëllim. Një pjesë e medias, sidomos asaj investigative, ka ngritur problemin e nivelit shumë të lartë të fitimeve të ndërmarrjeve koncesionare, krahasuar me ato të ndërmarrjeve të tjera private. Është folur shumë për transparencën që duhet të bënte e bëjë Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve, megjithatë, mjafton të mbahet parasysh se dhe vetë kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës nuk e ka mundësuar këtë informacion dhe shumëkush ndan të njëjtin shqetësim me të për të kërkuar. Pavarësisht se nuk është lehtë të vendoset kufiri se ku vazhdon demagogjia, dhe ku është angazhimi për të përdorur këta elementë të demokracisë, si një burim dhe forcë për ti shpënë punët më përpara si të Qeverisë por dhe mbarë ekonomisë shqiptare; në vetvete nuk kam asnjë dyshim për rolin e posaçëm të këtij aspekti të demokracisë, bashkëqeverisjes me qytetarët. Sapo kishim kaluar nga tetëvjecarja në gjimnaz, isha ende adoleshent, por nuk mund të mos na të tërhiqte vëmendjen të gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës, rrëfenja e mësuesit të Vizatimit Teknik, në klasën e IX-të, pesëdhjetë vjet më parë. Nga kushdo mund të mësosh,- do të na nënvizonte Ai gjatë pauzave kur ne bënim vizatimin dhe Ai na mbikëqyrte.:- Në Greqinë e lashtë, ishte një burrë shumë i ditur, shkencëtar siç i themi sot, më i mençuri… Donte të ndizte duhanin dhe i thotë të nipit, shko më sill një thëngjill për të ndezur çibukun. Por kur u nis fëmija, burri bëhet merak, si nuk i thashë të marrë diçka për të vendosur thëngjillin, mos e sjell në dorë, ka për të djegur dorën?! Dhe u nis dhe vetë aty ku ishte prushi, ku ishte zjarri. Por nuk duhet të bënte shumë hapa se i nipi po kthehej. Ai kishte hedhur një shtresë të trashë me hi në pëllëmbë të dorës dhe mbi të kishte vendosur thëngjillin të ndezur… Kjo nuk i kish vajtur në mendje burrit të mençur. Nga kushdo mund të mësosh në se do, do t’i thoshte vetes burri i mençur. Në radhë të parë është, nëse realisht do të mësosh, e jo vetëm të pretendosh se do të dëgjosh të tjerët, e mbylli mësuesi i vizatimit teknik rrëfenjën e tij. Dhe kishte të drejtë. Përvoja 50-vjeçare e ka konfirmuar më së miri këtë. Por le të shohim më nga afër një nga prioritet e deklaruara të qeverive të mëparshme apo dhe qeverisjes aktuale, uljes të borxhit publik, madje në 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, pas disa vjetësh në vitin 2021, ose të paktën se ai do të ulet me 2.5% për vitin 2018. Kjo do të ndodhë kur rriten investimet publike dhe ato shkojnë në 86.1 miliard lekë ose më shumë se 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Nuk investojmë duke rritur faturën e fëmijëve tanë, investojmë në funksion dhe stimulim të ekonomisë” thekson kryeministri. Kjo dhe për faktin se që nga viti 1993-1994, ndjek çdo muaj, realizmin e buxhetit të konsoliduar të shtetit, apo çdo debat për buxhetin e vitit të ardhshëm, por sidomos edhe për rolin dhe rëndësinë e sidomos për sfidën që ka në vetvete për vendin tonë, kjo alternativë zhvillimi… Të sigurosh një ritëm rritje me mbi 4.2 për qind në vit duke ulur njëkohësisht borxhin publik është në radhë të parë realisht një sfidë konceptuale dhe shkencore. Dihet se kur studentet që marrin njohuritë fillestare në shkencat ekonomike, në hyrje në ekonomi në universitetet tona, kufizohen, fillimisht në atë se prodhimit konceptohet dhe realizohet nëpërmjet rrugëve që në mënyrë të përmbledhur sintetike shprehet në formulën: Q= f (K,L) ku Q=Madhësia e produktit, (prodhimit) të prodhuar. f=funksion, K= Kapitali, L= Puna. Pra produkti i prodhuar, madhësia e tij, PBB-produkti i brendshëm bruto, në fund të fundit është funksion i dy faktorëve kryesore, kapitalit, dhe punës të përdorur, në një gjendje të dhënë të teknologjisë. Ndërsa në fakt koha dhe vetë objektivi për sigurimin e një ritmi rritjeje prej mbi 4.2 për qind në vit, në kushtet e uljes së borxhit publik kërkon që aktualisht rezultati i prodhimit të konceptohet e realizohet nëpërmjet rrugëve dhe metodave inovative që shprehen në formulën: Q=A*f (K,L) Ku si më lart Q=Madhësia e produktit, (prodhimit) të prodhuar; f=funksion, K= Kapitali, L= Puna dhe A= Faktori total i produktivitetit, i cili nënkupton zhvillimin e teknologjisë-teknikës, ndryshime, përmirësime të dukshme institucionale dhe atë të politikave ekonomike. Por çfarë vendi kanë zënë trajtimi dhe analiza e tyre në debatin publik për buxhetin?! Nuk mund të mos të bëjë përshtypje se qëndrimi i opozitës është përqendruar, në atë se “Buxheti i 2018,paraqitet si një mekanizëm gjigant i krimit dhe pastrimit të parave “ duke qenë shumë larg, qoftë nga qëndrimit luajal të ish Ministrit të Financave, z Bode, për çështjen e buxhetit. As që nuk bëhet fjalë të prezantohet mekanizmi i premtimit elektoral, për të mundësuar punësim të mirëpaguar…etj si këto. Ndërkohë kryeministri, ka deklaruar se një nga tiparet kryesore të kësaj qeverie që po qeveris e vetme, është:-“ Aftësia vetëkritike, si cilësi e procesit qeverisës.- Natyrshëm lind pyetja, si dhe sa po shfaqet ky tipar dhe kjo aftësi kur bëhet fjalë për, ndërrimin real, të kursit qeverisës të realizuar gjatë dekadës së fundit, nga ajo me anë të rritjes mbi bazën e rritjes të borxhit publik, në atë me uljen e tij?! Duke trajtuar këto probleme tre vjet më parë, në fjalën e vet të mbajtur më 17 Nëntor 2014-, “Buxheti, rritje ekonomike pa masa shtrënguese” Kryeministri z. Edi Rama ka nënvizuar :”…ne sot jemi plotësisht në gjendje të themi se objektivin minimal, për të arritur rritjen ekonomike 4.5% në 2017-ën, e kemi plotësisht në dorë. Nga ana tjetër, objektivin e vendosur për ta ulur borxhin nga 71% në 65.5% në 2017-ën, përsëri e kemi plotësisht në dorë.” Në kushtet kur viti 2017 nuk është mbyllur dhe mbetet ende vlerësim, po i referohem vitit 2016, dhe Kuadrit Makroekonomik e Fiskal përkatës për vitin 2016-2018, ku ishte parashikuar realizimi i këtij objektivi për borxhin publik në vitin 2017. Sipas tij për vitin 2016, niveli i borxhit publik ishte parashikuar të ulej në 68.9% të PBB-së. Ky nivel do të mundësohej si për faktin se të Ardhurat e Buxhetit për këtë vit ishin parashikuar, 443.1 miliard lekë(në fakt janë realizuar 407 miliard lekë por edhe se niveli i PBB në vlerë nominale, ishte parashikuar të arrinte në këtë në nivelin e 1595.9 miliard lekëve. Por sa është realizuar ai në fakt sipas publikime më të fundit të Ministrisë së Financave borxhi publik?! Në fund të vitit 2016, niveli i borxhit publik sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka rezultuar të ishte 1,066,6 miliard lekë. Po sipas kësaj Ministrie sipas Aktit Normativ Nr 3 të datës 6 Nëntorit 2017, PBB në vitin 2016, në terma nominale rezulton 1,472,8 miliard lekë (nga 1595.9 të parashikuar në këtë kuadër makroekonomi e fiskal) . Kjo do të thotë se niveli i borxhit publik në vitin 2016, në raport me PBB, sipas botimit më të fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, rezulton 72.4 %, nga 70.07% që ishte ai në vitin 2014, pra me rritje dhe jo me ulje si është pretenduar në vazhdimësi. Pra më e pakta në kushtet e një tipari aftësia vetëkritike si cilësi e procesit qeverisës, kjo do të thotë se vetë Qeveria duhet t’i bëjë publike qytetarëve, se nuk qenka bërë e mundur ulja e borxhit publik por ka ndodhur rritja e tij. Për rrjedhojë duke pasur parasysh ndryshimin shumë të madh midis PBB-së nominale të prognozuar dhe asaj të realizuar, për vitin 2016 por dhe për gjithë vitet e tjera, gjatë hartimit të Kuadrit Makroekonomik e Fiskal, duhet të hiqet dorë nga praktikat për të pasur një prognozë të fryrë të PBB-së nominale për vitet e ardhshme dhe për rrjedhojë niveli i borxhit publik në të ardhmen del i ulët. Qytetarë të zakonshëm në këtë rast me të drejtë do i kërkonte qeverisë të mos i bëjë llogaritë me hijen e mëngjesit për PBB, kur llogaritet borxhin publik për vitet e ardhshme. Natyrisht kjo nuk është thjesht një çështje që zgjidhet vetëm nga kryeministri i vendit, por nga angazhimi i mbarë shoqërisë. Ndërsa një i majtë i viteve nëntëdhjetë, do i drejtohej:- I nderuar kryetar i Partisë, i nderuar z Kryeministër, Ju na tregoni si dini dhe si e kini ulur borxhin publik, krahasuar me ato që kini deklaruar tre vjet më parë, referuar shifrave të prezantuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë! Në se nuk jini të gatshëm të na e tregoni por vazhdoni të përsërisni premtimet e bëra tre vjet më parë, atëherë nuk e kemi rrugën së bashku, vazhdo të tregosh se vetëm dëshiron të ulësh borxhin publik, por kjo (fatura e rritur e borxhit ndaj fëmijëve tanë) nuk është rruga jonë e përbashkët. A do të angazhohet realisht kryeministri z Edi Rama për të mundësuar një rritje ekonomike, pa rritur borxhin publik dhe madje duke e ulur atë deri në 60 %, në vitin 2021? Në se i beson bashkëqeverisjes me qytetarët do e bëjë. Në se për të ajo është farsë, do vazhdojnë të luhet një farsë, por në një trajtë tjetër. Por sidoqoftë mendoj se është e nevojshme të krahasojë, Relacionin i Projekt-ligjit të buxhetit 2018, me atë të vitit 2013. Midis tyre ka një dallim jo të vogël. Në këtë të fundit, Qeveria vë në dispozicion të deputetëve, qofshin të saj qofshin të opozitës, një syth të posaçëm ku trajtohet menaxhimi i borxhit publik, pritshmëria e tij duke dhënë një informacion të plotë e të detajuar si për të, duke u ndalur edhe në strukturën e tij si borxh i brendshëm, borxh i jashtëm, llojet e tjera të strukturës së borxhit, por dhe koston e shërbimit të borxhit (, i ndare ne interesa te borxhit te jashtëm,, interesa te borxhit te brendshëm, por dhe pagesa principalit të borxhit të jashtëm) dhe projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm të tyre, si dhe për buxhetin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kjo merrte dhe merr një rëndësi të posaçme që duhej të ishte trajtuar si në Relacionin e Projektligjit të buxhetit 2018, por edhe gjatë kohës së mbetur për diskutimin e miratimin e tij ne Kuvend. si rrjedhojë e kërkesave të neneve 155-160 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por edhe për mprehtësinë që marrin këto çështje nga vetë shifrat e treguesve fiskalë të buxhetit të konsoliduar për vitet 2017-2018. Mjafton tu hidhet qoftë dhe një sy i shpejtë këtyre treguesve 

Disa tregues fiskalë të buxhetit të konsoliduar 2017-2018, sipas draft-buxhetit 2018
Dhe nga këto të dhëna, të buxhetit të vitit 2018, krahasuar me të pritshmin e vitit 2017, rezultojnë disa dukuri mjaft interesante nga pikëpamja ekonomike –fiskale dhe njëkohësisht mjaft të mprehta për përballimin e tyre. P.sh, në kushtet e rritjes së numrit të pensionistëve, qoftë pa rritjen e nivelit të pensionit, vetëm në kushtet e indeksimit të tyre, deficit i sigurimeve buxhetore rezulton të shtohet me 2877 milion lekë. Gjatë vitit 2018 parashikohet qe interesat për shërbimin e borxhit publik të shtohen me 3600 milion lekë të tjera. Kjo dukur është parashikuar edhe në vitet e fundit përfshire vitin 2017, por në fakt shpenzimet për interesat nga viti 2013 deri ne vitin 2016, kanë ardhur duke u ulur nga një vit në tjetrin nga 43,335 milion lek në vitin 2013, në 36,259 milion leke ne vitin 2016.. Por siç mund të shihet duke krahasuar të dhënat e vitit 2016 me ato të të pritshmit 2017 rezulton se kjo prirje rënëse është stopuar, dhe pritshmëria është që viti 2017, të mbyllet me një nivel shpenzimesh më të larta se sa ato të vitit paraardhës por gjithsesi më të ulet se parashikimi fillestar i vitit 2017. Por fakti që interesat e bonove të thesarit të muajve të fundit janë më të larta, se sa ato të vitit paraardhës, mbështet pritshmërinë që interesat e vitit 2017 të jenë më të larta se ato të vitit paraardhës. Kjo pritshmëri Në kushtet kur rritet dukshëm kërkesa e pritshme e qeverisë për financimin e brendshëm të borxhit publik, është e pritshme që tendenca aktuale e rritjes së normave të interesit të bonove të thesarit apo dhe letrave të tjera me vlerë, të rritet. Nga të dhënat e draft buxhetit rezulton nga njëra anë se pagesat e principalit të borxhit të jashtëm do të rriten jo pak, por në masën e 6791 milionë lekëve. Kjo shtesë e pagimit të borxhit të jashtëm ndodh në kushtet ndodh në kushtet, kur huamarrja e huaj, të vazhdojë të bjerë. Pra një pjesë e borxhit të brendshëm do të shkojë për pagimin e borxhit të jashtëm. Por kjo dukur ka efektet e saj në ecurinë e PBB-së. Ndërkohë dhe mbështetja buxhetore do të pakësohet ndjeshëm, ose në masën e 14000 milion lekëve.. Në këto kushte, është jo vetëm e nevojshme por edhe e domosdoshme, që qeveria tu japin informacion dhe shpjegimin e duhur, mbi efektet qe kanë këto dukuri në stokun tavan të borxhit të publik të parashikuar në ligjin për buxhetin e vitit 2018, jo vetëm deputeteve të opozitës por edhe deputetëve të saj, para se tu kërkojë votën ditën e enjte. Para qeverisë shtrohet një shans që efektet pozitive të rregullit që është vendosur për kohëzgjatjen e diskutimeve të deputeteve në parlament, gjatë kësaj legjislature, të shoqërohet me ofrimin e një informacioni dhe shpjegimi të domosdoshëm që të krijojë truall për një diskutim konstruktiv, nga të gjitha palët, për problemet dhe sfidat që shtrohen para buxhetit dhe ekonomisë shqiptare, pavarësisht se është e pritshme dhe e natyrshme që opozita të mos e votojë atë. Pra është një shans konkret që t’i kthehet bërryli farsës dhe të përqafohet bashkëqeverisja. Kjo bashkëqeverisje do ishte e plotë në se qeveria, e shtrin dialogun dhe diskutimin e problemeve të tilla sfiduese fiskale dhe ekonomike jo vetëm me qytetarët e zakonshëm por edhe me profesoratin e Universiteteve tona qofshin ato publike dhe private. Këto sfida me të cilat po ndeshet buxheti dhe ekonomia shqiptare nuk mund të përballohen pa pjesëmarrjen e këtij profesorati. Por sidoqoftë le te presim se çfarë qëndrimi do të mbajnë në fjalën e tyre, sot në Kuvend, Kryeministri dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë.
Sigal