Bunkerizohet Posta e Elbasanit shefat kërcënohen të mos flasin

628
Filiali i Postës së Elbasanit pothuajse është bunkerizuar dhe zyrtarët e tij gjenden nën terror psikologjik, për të folur gjysëm fjale me asnjë jashtë godinës lidhur me çfarë konstatuan grupi kontrollit të Auditit të Brendshëm. Prej 2 muajsh një ekip kontrolli ishte në Filialin e Postës së Elbasanit, nga ku kontrolloi, verifikoi, zbuloi dhe konstatoi abuzime, shkelje flagrante të detyrave, kompetencave dhe ligjit. Ndërkohë ditën e hënë tre përfaqësues të Auditit kanë ardhur në Filialin e Postës së Elbasanit dhe kanë bërë prezent raportin përfundimtar të ekipit të kontrollit, ku janë konstatuar shkelje ligjore, abuzime dhe shpërdorime. Burime nga Filiali Postës së Elbasanit i thanë “Telegraf” se “ekipi kontrollit ka bërë qilizëm në institucionin tonë, ka zbuluar dhe konstatuar shkelje flagrante ligjore, mosrakordime të faturave financiare të abonentëve mes Postës dhe OSHEE, Ujësjellësit, AlbTelecomit, apo edhe me pensionet dhe paratë e ndihmës ekonomike dhe kompesimet e energjisë për shtresat në nevojë, mangësi të cilat kanë dhënë efektet negative duke kapur dhe arrestuar 8 punonjës abuzues dhe 4 të tjerë të kallëzuar penalisht për shkelje ligjore dhe abuzime financiare”. Abuzimet që nisin nga sportelistet e reja të “partisë”, e përfundojnë tek stafi drejtues i Postës, janë bërë objekt analize dhe hetimi nga organet kompetente, pasi edhe sot e kësaj dite, Prokuroria ka të hapura disa çështje penale për zyrtarë dhe punonjës të këtij filiali. Pikat postare në komuna pothuajse janë jashtë kontrollit të Filialit të Postës, ndërkohë që janë konstatuar nga KLSH shkelje dhe abuzime me tarifimin dhe shërbimet e reja të hapura në 2 vitet e fundit.

 Ndër propozimet e bëra nga KLSH lidhur me mangësitë e konstatuara nga ekipi kontrollit, janë edhe ato që kanë të bëjnë me “shkarkimin e disa zyrtarëve dhe stafit drejtues së Filialit të Postës, duke propozuar penalitete edhe ndaj disa përgjegjësve të shërbimeve postare në komuna, duke nisur nga Dragostunja e largët e Librazhdit e duke përfunduar në Gjinar, Gostimë apo edhe Gracen”. Por sikur të mos mjaftonte situata e krijuar dhe shkaku qëndron tek punësimet klienteliste dhe politike, në Filialin e Postës së Elbasanit, nuk ka vend për mediat. Asnjë gazetar nuk mund të takohet të flasë dhe të marrë informacion për punën e tij nga asnjë zyrtar, pasi ata janë nën terrorin psikologjik, për “të mos folur me asnjeri, ndryshe flaken në rrugë”. Shërbimi postar në Elbasan ka marrë rrokullisjen drejt regresit, dhe kjo duket edhe tek ankesat e qytetarëve të çdo shtrese. Pensionistët ankohen se “nuk marrim në datat e caktuara pensionet dhe paratë e kompesimit të energjisë prej 3-4 muajsh”, kurse paraplegjikët dhe tetraplegjikët ankohen se “kanë prej qershorit që rrinë tek bordurat e Postës për të takuar postierët dhe për të marrë paratë e bukës së gojës që na takojnë”. Ankesa kanë edhe qytetarët që dërgojnë dhe presin letra dhe pako nga brenda dhe jashtë shtetit, pasi vonohen, humbasin, hapen ose cenohen, duke kryer kështu shkelje të rënda ligjore. Por krahas këtyre fakteve mbi të cilat qëndron situata e krijuar kaotike mes tij dhe qytetarëve, Filiali Postës Elbasan ka probleme ligjore dhe financiare edhe me Filialin e OSHEE, Ujësjellësin, AlbTelecomin, Bashkinë, Prefekturën, dhe vetë Drejtorinë e Përgjithshme të Postave, lidhur me mosrealizimin e të ardhurave, menaxhimin aspak efiçent të shpenzimeve, dhe mosrealizimin e programit të zhvillimit. Pavarsisht se po mbahet e fshehtë, mësohet se Auditi i Brendshëm i Drejtorisë së Përgjithshme së Postës ka propozuar masa administrative dhe ka kërkuar shkarkimin pothuajse të gjithë stafit drejtues të Filialit të Postës Elbasanit, gjë e cila pritet të vendoset në ditët në vijim nga DPPSH. 
Sigal