Bullgaria arreston të dyshuarit për shitje shtetësie

548
Sigal

Martin Dimitrov/ BIRN 

Të paktën 20 persona u arrestuan të hënën nën dyshimin se morën pjesë në një skemë korrupsioni për dhënien e shtetësisë bullgare qytetarëve të huaj, njoftoi Prokuroria Speciale. Operacioni për arrestimin e të dyshuarve në Sofje, Kyustendil dhe Pleven u fillua pas katër muajsh hetime në emër të Prokurorisë Speciale, e cila përqendrohet në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, raportoi Radioja Kombëtare Bullgare. Midis të dyshuarve të lënë të paraburgim është edhe drejtori i Agjencisë Shtetërore Bullgare për Bullgarët Jashtë Vendit, SABA, Petar Haralampiev, i cili u emërua në post nga koalicioni nacionalist i Patriotëve të Bashkuar, që është pjesë e qeverisë së Bullgarisë. Të arrestuar gjithashtu ishin edhe disa nga stafi i SABA-s, si dhe ndërmjetës të cilët dyshohet se u kërkuan njerëzve nga Maqedonia, Ukraina dhe Moldavia, të cilët nuk kishin rrënjë bullgare, të paguanin ryshfet për të marrë një certifikatë që njeh origjinën e tyre bullgare. Kjo certifikatë është dokumenti i parë i nevojshëm në rrugën për marrjen e shtetësisë bullgare, por kriteret për atë që përbën trashëgiminë bullgare kanë tepër të paqarta. Deri në qershor të vitit 2018, rreth 18,000 njerëz – kryesisht nga Maqedonia (10,252), Ukraina (1,894), Shqipëria (1,510), Serbia (1,013) dhe Moldavia (851) – pretenduan trashëgimi bullgare, tha ministrja e drejtësisë i Tsetska Tsacheva në një konferencë për shtyp në qershor, sipas Dnevnik.bg. Tsacheva tha se pothuajse 10,000 nga këta njerëz morën shtetësi bazuar në këto dokumente. Një përgjigje e Ministrisë së Drejtësisë në një hetim parlamentar tha se 116 000 njerëz kanë marrë nënshtetësi në 15 vitet e fundit, shumica e të cilëve u mbështetën në certifikatat e trashëgimisë nga SABA. Numri i përgjithshëm i aplikuesve për marrje nënshtetësie ishte 185,000. Edhe pse raportet e medias dhe hetimet për skemat e dyshuara korruptive për “të shitur” dokumentet e trashëgimisë bullgare janë publikuar prej vitesh, arsyeja më e mundshme pas hetimit ishte një thirrje nga Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë në qershor për krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar dhënien e pasaportave bullgare për 114 kriminelë që kërkoheshin në nivel ndërkombëtar nga Interpoli. Edhe pse nuk u krijua kurrë asnjë komitet, nisja e hetimit përkoi me zemërimin për dhënien e pasaportave kriminelëve. Edhe pse të tre partitë kryesore brenda koalicionit të Patriotëve të Bashkuar (VMRO, NFSB dhe Ataka) u distancuan publikisht nga Haralampiev dhe thanë se ai nuk ishte anëtar i tyre, ai u emërua si pjesë e kuotës së tyre qeverisëse në vitin 2017 dhe është lider i lëvizjes BG Patriot, një nga anëtarët më të vegjël të koalicionit të Patriotëve të Bashkuar. Haralampiev u bë i njohur në kohën e emërimit të tij, kur u shfaq një postim i tij në Facebook, ku mbante veshur një bluzë “”Wehrmacht”. Edhe pse ai u shpreh se i referohej një bande muzikore rroku, emri është gjithashtu ai që përdorej nga ushtria e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.