Bruçaj uron besimtarët mysliman: Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit, agjërim të lehtë

578
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj, ka uruar mbarë shqiptarët për muajin e Bekuar të Ramazanit, i cili fillon më 18 Qershor 2015. Gjatë urimit të tij Bruçaj shprehet se Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit. Sipas tij Agjërimi në këtë muaj na rikujton detyrimin që kemi kundrejt të gjitha shtresave të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe vëmendjen tonë.
“Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit. Agjërim të lehtë e të pranuar. Nesër është dita e parë e agjërimit të Ramazanit, muajit të paqes, solidaritetit dhe Mëshirës Hyjnore. Agjërimi është një institucion moralo-shpirtëror, që zhvillon te njeriu ndjenja të tilla si: mëshirën, dhembshurinë, respektin ndaj tjetrit, bamirësinë dhe sinqeritetin, por, mbi të gjitha, na afron dhe na bën më shumë falënderues e mirënjohës ndaj Zotit tonë. Allahu i Gjithëmëshirshëm në këtë muaj hap dyert e mëshirës dhe mirësisë për të gjithëbesimtarët, të cilët e kryejnë këtë adhurim me përkushtim e devotshmëri. Muaji Ramazanit është muaji i Kur’anit Fisnik, prandaj le të jetë ky muaj i bekuar, muaji i përkushtimit drejt kuptimit më të mirë të mesazhit hyjnor dhe përfaqësimit të vlerave tona islame. 
Agjërimi në këtë muaj na rikujton detyrimin që kemi kundrejt të gjitha shtresave të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe vëmendjen tonë. Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit. Prandaj, le të shërbejë ky muaj për faljen e mëkateve, për pranimin e lutjeve dhe adhurimeve, për maturimin e zemrave, për fisnikërimin e ndjenjave dhe përkushtimin ndaj fitimit të kënaqësisë së Krijuesit të gjithësisë. Të nderuar motra dhe vëllezër, në Shqipëri dhe jashtë saj, duke ju uruar edhe një herë përzemërsisht muajin e bekuar të Ramazanit, lus Allahun e Madhëruar, që t’ju japë ju dhe familjeve tuaja, shoqërisë dhe kombit tonë, begati e mirësi. Zoti ju bekoftë”, përfundon mesazhin e urimit Bruçaj.
Sigal