“Bomba” me ujësjellësit, kreditë llogariten mbi 100 milionë euro

1270
Ëngjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”
Sigal

 

Borxhet e ujësjellësve një “bombë e madhe”. Kreditë llogariten mbi 100 milionë euro

Një gjë është e saktë, ujësjellësit janë të të gjithëve dhe të askujt, pasi duke qenë shoqëri anonime, ato kanë pavarësi dhe vendimmarrje. Në hipotekë kanë vënë të ardhura nga taksat, nëse nuk e shlyejnë e autorizon firmën që t’i sekuestrojë të ardhurat nga taksat ose ujësjellësin

Kryeministri Rama para disa muajsh ose më saktë, para fushatës elektorale të 2017-s deklaroi nisjen e një aksioni për kthimin në normalitet të kaosit, vjedhjes dhe babëzisë me ujësjellësit. Por ndoshta fushata e pengoi dhe iniciativa e dytë, pas fushate nuk zgjati shumë pasi ujësjellësit kanë kaluar në vartësi të pushtetit lokal. Por duhet pranuar që përgjegjësinë për katrahurën ndër vite dhe atë të tanishmen e kanë ministritë e linjës, vetë buxheti i qeverisë, për shkak të lejimit dhe pranimit të kredive të shumta sipas kushteve të njëanshme që kanë vënë bankat, të cilat mund të marrin, jo vetëm taksat që do mblidhen, por në fund, në pamundësi të mbledhjes së këtyre taksave edhe vetë ujësjellësin, pasi kështu janë bërë kontratat e ujësjellësve me bankat private, kryesisht të huaja. Më poshtë do të shpjegojmë këtë fenomen dhe lojën që është bërë me blerjen e sahateve në distancë (wireless ), sallave të komandimit, të cilat sot nuk i ka as Gjermania dhe jo më të aplikohen në vendin tonë. Këtij skandali të fshehtë, po t’i shtojmë edhe sigurimet e papaguara, atëherë kjo bombë bëhet shumë më e rrezikshme dhe qeveria do kujtohet vetëm kur të gjendet e kapitulluar. E theksojmë, jo se janë kusure të kësaj qeverie, por të të gjitha qeverive në këto 15 vitet e fundit, pasi drejtuesit dhe bordet, për shkak të ligjit janë kthyer në bajraktarë dhe grup mafiozësh, që vetëm zhvatin e grabisin, ndërsa rritjen e çmimeve, si të ujit por edhe të energjisë e vuajnë qytetarët. Qeveria, duhet të mendojë dhe gjykojë, se nuk ka nevojë për reforma të mëdha dhe “ndëshkim” personash që bëjnë lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm apo nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm, por më parë duhet të japin llogari administratat dhe, veçanërisht, Drejtorët (Administratorët) e Shoqërive të Ujësjellësve sh.a, Këshillat e Administrimit, të cilët nuk e kanë kryer punën për të cilën paguhen dhe që me veprimet apo mosveprimet e tyre (pasi kuadri ligjor ka ekzistuar por nuk zbatohet) kanë lejuar lidhjet e paligjshme duke ligjëruar “vjedhjen” e vlerës së ujit të pijshëm. Pra, zbatimi i ligjit duhet të fillojë nga këta të fundit, pastaj të kalojnë tek qytetarët. Mos të merret si shembull energjia elektrike ku u ndëshkuan qytetarët dhe asnjë drejtues i OSHE apo i Zyrave të Shpërndarjes Energjisë Elektrike në rrethe, nuk u vu para përgjegjësisë ligjore

Po çfarë janë sahatet me wireless apo matësit në distancë të sasisë së ujit që konsumojnë qytetarët në çezmat e shtëpive ?

Verifikimi; Sahatet me wireless me tre-fishin e çmimeve..

Sahatet e wireless e bëjnë matjen ne largësi dhe secili ujësjellës i ka marrë me tender dhe i ka ndarë në shuma 2-3 milionë euro secilin. Një nga sahatet e wireless që zëvendësojnë sahatet që kemi në çdo shtëpi në Shqipëri por edhe në 90% të popullatës në botë, shkon 200 mijë lekë (të vjetra) plus TVSH (240 mijë lekë), po t’i shtojmë edhe montimet e të tjera, kostua vete në nivele shumë më të larta. Por për të funksionuar dhe për t’u ndjekur këto lloj sahatesh (wireless ) duhet të bëhet një sallë komandimi, e cila kushton mbi 600 mijë euro, këta lidhen me një lagje në distancë. Dhe matësi funksionon si celulari, dhe çdo sasi uji që hyn e mat në mënyrë automatike telefonike. Nëse nuk paguan ujë të pritet në mënyrë automatike. Është kosto e lartë. Në Berat fjala bie është marrë një lagje si projekt pilot, banorët po heqin të zitë e ullirit, sepse paguan edhe ajrin. Atëherë lind pyetja: “Kur s’i bën Gjermania, pse t’i bëjmë ne?!” Po ato duan garanci, energji të rregullt, pa ndërprerje, tension të plotë, ujë të rrjedhshëm, sepse po nuk kanë ujë pompat dhe tubat qarkullojnë ajër atëherë sahati vazhdon dhe matë sikur harxhohet ujë. Të vazhdojmë më tej me çuditë e këtyre wireless-ve apo sahateve që masin në distancë: Ato kanë një gominë që kushton 7 mijë lekë të vjetra, kjo është leverdia e tyre, sepse dëmtohen shpejt gominat. Të gjitha këto do i blejë qytetari vetë. Shkurt matësit me wireless kanë dështuar, nuk ka vetëm matësin, është edhe salla e komandimit që ka shumë procese, janë pajisjet, janë personeli dhe që të gjitha do paguhen nga qytetarët. Nuk është për ne. Pastaj, lind pyetja: Cila ministri ra dakord për këtë ? Cili ent shtetëror e ka miratuar dhënien me kredi të pasurisë kombëtare sikurse është uji?! Përveç wireless-ave çfarë nuk kanë bërë ujësjellësit. Borxhet e ujësjellësve janë një bombë e madhe. Këtu qeveritë shqiptare mund të paguajnë miliona lekë, po nuk e dinë që ujë është marrë me borxhe. Ai drejtori i ujësjellësit që ka marrë kredinë, Bordi apo Këshillat Administrativë sikurse quhen tani nuk duan t’ia dinë se në fund të fundit kredinë do e paguajë shteti shqiptar dhe pasojat do rëndojnë mbi qytetarët kur të paguajnë faturën e ujit. Ujësjellësit janë në mëshirë të fatit dhe Pogradeci, Kuçova, Berati, Lushnja, Kavaja, Elbasani, Tirana, Durrësi , Fieri, Korça, Shkodra kanë problem të mëdha. Po si ka mundësi që në shumicën e këtyre rretheve që kanë marrë kredi ka vetëm një fitues dhe ky fitues është i njëjtë ?

Pse nuk ka efektivitet wireless-i, çfarë është bërë pas kaq kohësh?!

Mendojmë që tema e borxheve të pushtetit vendor është histori më vete. Po financat dhe ato të linjës që mbulon ujësjellësit duhet të bëjnë publike çdo tre muaj listat e borxheve. Ka dy rrugë për zbardhjen e listave të borxheve ose tek bashkitë ose ministrisë së Financave dhe ministria që i mbulon së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve. Bashkitë e kanë me numër faturash, me numër gjendjesh, të dokumentuara. Që është mbi 100 milionë euro. Nuk e thotë dot kërkush. Duke biseduar me një kryebashkiak të Shqipërisë së mesme deklaron se ka 300 milionë fatura të palikuiduara. Kur të ardhurat nga taksat i ka 100 milionë. Pra ai duhet të punojë tre vjet t’i shlyejë faturat. Tani ky kryebashkiak është larguar, por firmat deklaronin nën zë, se që të merrnin kredinë në një bankë të huaj që kryen aktivitetin në Shqipëri. Vetë kryebashkiaku i thoshte firmës dhe drejtorit rajonal të ujësjellësit se unë të lejoj të marrësh kredi, por mua do më jepni pjesën time. Kjo ndodh, pasi banka do ë mbledhë të ardhurat nga taksat dhe, në fund, në pamundësi sekuestron ujësjellësin. Ky është një krim që bëhet ndaj pasurisë kombëtare.

Roli i organizmave financiare ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë dhe dokumentet false për punime të pakryera

Gjatë një takimi të organizuar nga Banka Botërore një ekspert pjesëmarrës i dorëzon ekspertëve të bankës listat me faturat e paguara, të papaguara dhe të ardhurat. Përfaqësuesi i një bashkie pjesëmarrëse, dokumentet e të cilave iu dorëzuan ekspertit të BB, u trondit pasi ujësjellësi i qytetit në fjalë, përsëri në Shqipërinë e mesme kërkonte të merrte kredi të dytë, por FMN të jep një farë kredie, po s’jep kredi për të shlyer borxhet. Lëre që ato, një pjesë mund të jenë edhe false. Mund të ketë objekte nga viti 2010 që mund të kesh marrë. Ke fituar një tender ti, ke mbaruar punimin, nuk ta financojnë, firma dorëzon faturat, por bashkitë thonë se nuk kanë fonde. Është si lufta që u bë një herë, për të shlyer faturat e mirëmbajtjeve, mirëpo pushtetin vendor si i pavarur nuk e luajti fare. Tani po del fenomeni tjetër. Formaliteti, po ia marrin pesë-fish, p.sh në Pogradec, ka një firmë pastrimi, ajoi e ka hedhur bashkinë në gjyq për përfitimin e mohuar, i ka marrë 3-fishin me vendim gjykate të formës së prerë. Sigurisht që në këto raste duhen hetime të thella për të ndëshkuar atë person që bëri një tenderim pa pasur fonde. Dhe këto gjëra i nxisin po specialistët e brendshëm të bashkive dhe financierët si ustallarë që janë, duke u thënë: “Bëje, fitim të munguar dhe merrja me gjyq”. Realisht gjykatat kanë të drejtë, por organet e auditit të brendshëm dhe shteti duhet patjetër të fusin në lojë edhe KLSH, pasi KLSH në shumë raste nuk futet dot, se ato janë me 51% aksione vetadministruese. Apo një rast tjetër: Në Peshkopi, një firmë i kërkon bashkisë dhe ujësjellësit 80 milionë lekë, 75, me vendim gjykate ka bërë një tender në një komunë pa pasur fonde para 5 vitesh, tani i thotë, se ka vendim gjykate dhe i merr 70 milionë. Çfarë duhet të pritet më për të vënë para përgjegjësisë këta drejtues që kanë abuzuar dhe sot janë larguar nga komunat, bashkitë apo drejtoritë e ministrive?!

Kur Basha erdhi në krye të bashkisë së Tiranës ,mori të trashëguara miliona borxhe nga paraardhësi i vet, Rama. Por edhe Basha kur u largua nga Bashkia e kryeqytetit i la Veliajt rreth 2 miliardë borxhe. Aksioni për mbledhjen e faturave të prapambetura bëri që Velia të mbledhë për një periudhë të shkurtër si pagesa të prapambetura rreth 900 milionë lekë. Megjithatë Tirana ka rreth 7 miliardë të ardhura dhe nuk është se i ndjen shumë vonesat që krijohen prej faturave.

Loja me kreditë që pasurojnë bankat, drejtorët dhe varfërojnë shqiptarët

Drejtuesit e bashkive dhe komunave kur largohen i kanë lënë fatura të palikuiduara pasardhësve apo shtetit. Ka marrë kredi Kavaja, Kuçova, Pogradeci, Korça, Elbasani, Vlora etj. Është një ligj për kreditë në këshillin vendor, i cili u lë hapësirë që kjo të përdoret për interesa lokale dhe interesa kombëtare. Por ç’ndodh në realitet?! Që të kuptohet më mirë nga organet shtetërore, ato të kontrollit, krimit ekonomik, KLSH dhe vetë ministrat (pavarësisht se ndonjëri e ka menaxhuar dhe ia ka lënë stafetën pasardhësit). Rasti i Vlorës që ka marrë kredi për disa investime. Vlora, në hipotekë ka vënë të ardhura nga taksat. Ky është një skandal i vërtetë dhe, nëse bashkia apo ujësjellësi nuk e shlyejnë kredinë, kanë vënë një pikë që e autorizon firmën që t’i sekuestrojë të ardhurat nga taksat. Marrëzi e vërtetë, po si mundesh që, si drejtues lokal apo ujësjellësi të bësh pazare me taksat e njerëzve të varfër apo mjafton që.. unë marr kredinë, ia jap tenderin “mikut’ marr pjesën “që më takon” dhe financat lokale dhe të shtetit vafshin në djall!. Edhe tek kredia me wireless-at luan rol interesi. Merret kjo kredi po nuk kemi ligje strikte për vendin, p.sh 1%, nëse ti e merr nga x bankë ta ofron me 3% interes, por të kemi parasysh sa luan një % e vogël. Ne nuk bëjmë tenderë për interesa kredie, sepse nuk kemi përvojë. Nëse ka marrë ai wireless me kredi e ka marrë në tre banka. Ky që ka wireless-in ka edhe Bankën (V.B) . dhe u thotë apliko në bankë me x vlerë si sh.a dhe u thotë me kaq interes… Atëherë çfarë pret shteti, po organet e specializuar, po bashkitë përse merren me tregtarin e domates, fshatarëve që shesin dy fije qepë e një tufë sallatë jeshile apo edhe të rrobave të gabit, si në rastet e policëve bashkiakë të ‘Lali Erit tek fusha Ali Demi që duan para nën dorë dhe sekuestrojnë e zhvatin rroba duke i shitur në dyqanet e lagjeve”.

Kreditë e wireless-ve, pazaret me bankat e huaja dhe heshtja e drejtorisë së patentave

Në vendin tonë projektet pilot me wireless dhe kreditë për ujësjellësit janë shtrirë në Korçë, Pogradec, Lushnje, Kvajë, Vlorë, Fier, Tiranë, Elbasan etj. Është e çuditshme se si një bankë e huaj në Shqipëri ka ekskluzivitetin, për wireless dhe dhënien e kredive për ujësjellësit dhe bashkitë dhe kjo ndodh, sepse ne nuk kemi rregulla të qarta për marrjen e kredive dhe se drejtoria patentave hesht, pasi nuk e kupton rëndësinë dhe misionin e saj si drejtori dhe shërbëtore e shtetit. Një ekspert i fushës së auditimeve deklaronte se: Këtu e ka marrë lojën një njëri i vetëm që po pasurohet dhe rrjeti shtrihet zinxhir nga ujësjellësi, bashkitë, këshillat e tyre e deri në ministrinë e Financave dhe atë të linjës. Pra ka qenë i gatshëm rrjeti, vetëm se ka ndërruar duar sipas pushtetit të kohës. E di pse nuk gjendet përgjegjësia? Sepse është e hapur loja. Sipas tyre thuhet se i miraton këshilli bashkiak, ku i dinë këshilltarët pazaret e ujësjellësve dhe kryebashkiakëve me bankat?!. Marrin wireless dhe banka që ka njëkohësisht edhe firmën, e cila më vonë po falimentoi ujësjellësi nga mos pagesat, bëhet pronare në sh.a., duke nxjerrë jashtë loje edhe ujësjellësin edhe këshillin bashkiak. Fjala bie Berati i ka sahatet përjashta. Bokse të mëdha. Në Pogradec janë më të vegjël. E njëjta firmë e ka ekskluzivitetin. U jep kredi vetë. Me mendjen time mendoj kështu. Të jep kredi për të blerë, dhe pastaj ia shlyen. Të shet mallin, të jep kredi, të merr dhe interesin. Lind pyetja: Pse e marrin tek banka që ka edhe firmën e shitjes së sahateve? Sepse kjo e menaxhon. Madje në një qytet të jugut, kryetari i degës teknike është burri i një deputeteje dhe nuk e ka firmosur ende marrjen në dorëzim. Dhe ende s’janë marrë wireless-at në dorëzim. Kanë marrë kredi nga bankat italiane dhe ato gjermane, por lojën më të rrezikshme e bën banka italiane, veprimet e të cilave janë të sofistikuara dhe të denja si ato të krimit ekonomik-financiare të ‘Mafies”. Është koha që të verifikohen, kontrollohen dhe hetohen huamarrjet, kreditë që kanë marrë për blerje matësish wireless (e komandim në distancë) me çmime 200 Euro/matësi. Kanë marrë kredi ujësjellësit si Berati, Korça. Pogradeci, Lushnja, Kavaja, Elbasani, Vlora etj., dhe ende nuk i kanë shlyer, janë shtuar debitorët dhe ende ka qytete që nuk janë vendosur matësit, edhe pse janë marrë kredi. Kush pret t’i auditojë ujësjellësit në Shqipëri ?! Po bordet kush do i auditojë dhe hetojë, pasi caktojnë rroga të kripura për titullarët dhe për veten e tyre. Po si mundet që një drejtor ujësjellësi në Tiranë me mbi 1200 punonjës merr të njëjtën pagë, fjala bie, me një drejtor ujësjellësi në Pukë, Përmet, Librazhd, Kuçovë që kanë nga 10 apo 15 punonjës?. Një drejtor ujësjellësi merr 900 mijë lekë rrogë në muaj, kjo është e papranueshme, por kjo ndodh, pasi paga ishte kompetence e ish-Këshillit Mbikëqyrës apo sot nga Këshillat Administrativë. Në fakt qeveria dhe KM nxori një VKM me nr. 63 dt. 27.01.2016 “Për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura” një vendim shumë i nxituar nga ata që e përgatitën, pasi kishin mungesë të njohurive dhe të realitetit të thellë, dhe që në fund të fundit, megjithë dëshirën e mirë të qeverisë nuk rregullon asgjë. Ka hequr këshillat mbikëqyrës me nga 3-4 vetë dhe ka vendosur Këshillat Administrative me nga 3 persona, pronar janë bërë Bashkitë, por që nuk kontrollohen, pasi ato janë sh.a. dhe kanë auditin e brendshëm. Ndaj kërkohet reformë rrënjësorë sidomos në paga dhe reduktim të punonjësve, në shkallë republike ujësjellësat kanë mbi 5000 punonjës, Tirana 1200 punonjës, Durrësi 650, Fier 400 (shifrat janë me përafërsi) etj. Politika i prishi ndërmarjet e ujësjellësve, pasi këto ndërmarrje janë kthyer prej vitesh ne zyra punësimi me rroga qesharake 20,000-25,000 lekë/muaj, por që vetëm sa shkojnë në mëngjes, për apel dhe gjithë ditën punojnë privat, kurse drejtori paguhet me 900 mijë lekë rrogë në muaj.
Ministria e linjës, vetëm shikon performancën dhe merr disa të dhëna idiote për performancën dhe subvencionin e çezmave në publik apo diferencën e çmimit të ngritjes mekanike etj. Po kështu edhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellësve dhe Kanalizimeve apo Agjenci siç është kthyer para 1 viti ka përgjegjësinë e vet në ndjekje të këtyre skandaleve dhe t’i kërkojë qeverisë bazën ligjore për t’u mbyllur shtegun abuzuesve të ujit dhe të taksapaguesve shqiptarë. Në fund të fundit, kusuret do i mbeten përsëri qeverisë dhe qytetarëve. Ujësjellësit sh.a (Shoqëri anonime) që vazhdojnë të “hanë veten” i domosdoshëm ndryshimi i formës së organizimit. Nga auditimet e KLSH ka rezultuar se kuadri ligjor dhe nënligjor për rregullimin veprimtarisë tyre nuk është i plotë,  madje në mjaft ujësjellës kanë rezultuar mjaft shkelje.