Bizneset të mbyllura, por nuk po pezullojnë dot aktivitetin, do detyrohen të paguajnë taksa

105

Bujar H., që ka një subjekt agjencie turistike iu drejtua Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) për të pezulluar aktivitetin deri në verë, pasi për vetë natyrën e biznesit dhe situatën ku ndodhemi nuk pret të ketë punë këto muaj. Ai nuk ka detyrime dhe kërkon ta mbyllë përkohësisht në mënyrë që të mos paguajë taksa, kur nuk ka aktivitet dhe njëkohësisht të lëshojë dhe ambientin që ka me qira, për të cilin është i detyruar të paguajë tatim mbi qiranë. Ndërkohë, ai i ka larguar punonjësit. Por, në sportelet e QKB-së i thanë se ofrojnë shërbim të kufizuar vetëm për subjektet farmaceutike dhe ushqimore.

Në shërbimet online të publikuara nga QKB (kliko këtu) mund të aplikosh për regjistrim fillestar person fizik, ndryshim në të dhënat e regjistrimit të personit fizik, depozimin e pasqyrave financiare, revokimin e lejeve/licencave etj, por nuk parashikohet pezullimi.

Këto ditë ku shumica e bizneseve janë mbyllur për shkak të pandemisë Covid, ndërmarrjet e vogla dhe mesme nuk po munden të kalojnë në statusin pasiv edhe pse nuk kanë detyrime dhe plotësojnë të gjitha kushtet për këtë hap. Mimoza Plepi një ekonomiste që kujdeset për procedurat e disa bizneseve të vogla kryesisht në kryeqytet tha se, kalimi në pasiv i bizneseve është bllokuar nga QKB-ja për shkak se janë ndaluar shërbimet në sportele. Ky shërbim nuk ekziston online pohoi ajo, ndërkohë që shumë nga bizneset të cilave ajo u mban llogarite kanë mbyllur aktivitetin.

Por ekonomistja është shqetësuar se pasi nuk po kalon bizneset në pasiv, tatimet bëjnë telefona për të paguar detyrimet që lidhen me sigurimet shoqërore apo dhe TVSH.

Në muajin mars të vitit 2020, praktikisht nga data 1 deri me 24 kanë kaluar në statusin pasiv vetëm 167 biznese, nga 366 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2019, kur ishte një periudhë normale aktiviteti, sipas listës së subjekteve pasive që përditësohet përditë nga tatimet (të dhënat u përpunuan nga Monitor).  Ka ditë kur asnjë subjekt nuk ka kaluar në status pasiv, ndryshe nga periudha normale kur janë minimalisht 10 apo 15 biznese që kalojnë në pasiv çdo ditë. Sipas ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore, Administrata Tatimore transferon regjistrimin e tatimpaguesit nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, pasi subjekti deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka tha se, bizneset e mëdha ende nuk kanë shfaqur ankesa të kësaj natyre, por tha se bizneset që kanë një problematikë të tillë mund të kalojnë ‘de fakto’ në regjistrin pasiv. Kjo mundësohet duke mos deklaruar punonjës, duke shkëputur kontratat e ujit dhe të dritave dhe ato të qirave. Kështu ato mund të zhvishen edhe nga pagesa e detyrimeve.

Jaka tha se qeveria duhet të çlirojë sektorin e prodhimit nga kufizimet dhe të rishikojë masat pasi ekonomia jonë nuk ka rezerva të mjaftueshme për të përballuar situatë më shumë se një muaj. Nëse kjo situatë zgjat më shumë ai parashikon skenare të vështira për punësimin, varfërinë dhe të ardhurat në buxhet.

Një nga kërkesat që Dhomat e Tregtisë Tiranë dhe Durrës kishin për qeverinë ishte që “Të mund të pezullohet me ligj (duke i zeruar të gjitha detyrimet) aktiviteti i subjekteve të pezulluara me urdhër nga qeveria (bar, restorante, palestra, transport publik, etj.)”