Bizneset që hapen sot, kujdes me aplikimin për vërtetimin: Merret vetëm njëherë

372
Sigal

Kryeministri Edi Rama tha se është gati vërtetimi online në portalin e-albania, për bizneset që janë lejuar të rifillojnë sot aktivitetin e tyre.

Me një shënim në facebook, mbrëmë ku postoi edhe një video në të cilën tregohet rruga se si duhet aplikuar, Rama bën edhe njëherë thirrje për kujdes nga bizneset.

Kryeministri sqaron se vërtetimi merret vetëm njëherë dhe duhet të jetë i disponueshëm në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli.

Ai paralajmëron se mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga ministria e shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale

Postimi i plotë:

gati vërtetimi online në e-albania për të gjitha bizneset e miratuara për hapje nga ministria e shëndetësisë duke nisur nga java që vjen (20 – 26 prill).

ky vërtetim merret vetëm një herë!

🔴 kujdes!

ky vërtetim duhet të jetë i disponueshëm, në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli.

🟡 bizneset e hapura të zbatojnë përpikmërisht protokollin e sigurisë që është i publikuar në e-albania sipas kategorisë përkatëse

* nëse nuk keni një llogari ekzistuese të biznesit tuaj në e-albania, lutemi të kryeni hapjen e saj duke u identifikuar si Administrator me kredencialet tuaja.
Klikoni butonin Regjistro një biznes.

Plotësoni të dhënat që Ju kërkohen.

Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.

Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.

Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-albania.

Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.

Ruani veten, punonjësit Tuaj dhe konsumatorin!

Përdorni e-Albania

mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga ministria e shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale