Biseda brenda Ministrisë: Dua 25 shkarkime”. Si “Aktivisti” i PS kërcënon punonjësit e administratës

132
Sigal

– Sa veta ke ti?

– 25

– Dua 25 shkarkime të aplikacionit!

– Po ç’është kjo? Si mund t’i detyroj njerëzit?

– Nuk është për diskutim kjo!”

Kjo bisedë është zhvilluar brenda zyrës së një drejtori në një ministri në kryeqytet, ku nuk bëhej fjalë për shkarkime të aplikacioneve të qeverisë, por për atë të “Aktivistit” të Partisë Socialiste, nga ku burojnë like-t, share-t dhe numrat e mëdhenj të shikuesve të videove live në mediat sociale të ministrave kryesorë të qeverisë dhe kryeministrit, të cilët sipas dëshmive të siguruara, janë shumica nga punonjës të administratës publike.

“Diskutimi kryesor korridoreve është: sa pikë ke ti?”, – thotë një zyrtar në një ministri në kushtet e anonimatit. Gjatë bisedës me të, ai shpjegon se si funksionon ky aplikacion.

“Çdo institucion ka 4 deri në 5 veta, të cilët janë përgjegjës për aplikacionin, shkarkimet e tij, ndjekjen e aktivizmit politik etj. Janë të emëruar politikë domethënë”, – tregon ai duke shtuar se në institucionet qendrore dhe vendore kryhen mbledhje të rregullta për të ndjekur mbarëvajtjen e aplikacionit dhe përdoruesit e tij.

“Nuk e kuptoj se pse është kjo dhunë, dhunë ndaj njerëzve në 2023! Duan numra, nuk u intereson mendimi”, – vazhdon rrëfimin zyrtari duke pohuar se në institucione është përhapur paniku i pasigurisë së vendit të punës. “Nuk është puna për të cilën vlerësohesh, por aktivisti”.

Nisur nga kjo bisedë, nëpërmjet një verifikimi në Google Play Store rezultoi se ky aplikacion kishte më shumë se dhjetë mijë shkarkime, ndërkohë në App Store të Apple është e pamundur gjetja e numrit të shkarkimeve, por popullariteti i këtij aplikacioni kap shifra tejet të larta, duke u renditur si rrjeti social i gjashtë më i shkarkuar në Shqipëri.

Ajo çfarë është e përbashkët, në të dyja platformat e ndryshme, janë komentet, të cilat e cilësojnë këtë aplikacion si një mjet propagande dhe ushtrim presioni ndaj administratës publike.

“Ky hap është duke u përdorur nga qeveria për propagandë. Dhe nuk ndalon vetëm aty: Është duke shkelur çdo të drejtë të punonjësve dhe duke mbledhur të dhëna personale”, – thuhet në njërin prej komenteve në platformën Google Play Store, ku ndër të tjera theksohet se ky aplikacion është duke u përdorur nga Partia Socialiste, e cila është edhe partia qeverisëse në Shqipëri, për të detyruar të gjithë punonjësit e administratës shtetërore për ta shkarkuar dhe për të shpërndarë propagandën e qeverisë.

“Duhet t’i bësh like, koment dhe share në facebook etj, posteve të Kryeministrit, partisë etj. Nëse dikush nuk pranon të marrë pjesë në këtë aplikacion, kam frikë se shantazhohet dhe madje pushohet nga puna”, – shkruhet në komentin e qytetarit E. Gjergji.

Nga ana tjetër, as në platformën App Store nuk kanë munguar komentet e ngjashme ku njëri prej tyre thekson se ky aplikacion përdoret nga qeveria, e cila detyron nënpunësit për ta marrë pjesë në propagandën politike të PS.