Biora Vojka: Pse nuk ka ndjeshmëri Bashkia e Tiranës për bibliotekat publike në territorin e saj?

809
Sigal

Administratorët dhe të zgjedhurit vendorë në Tiranë e bëjnë gjumin rehat, pavarësisht faktit tronditës, që kryeqyteti 101 vjeçar i Shqipërisë në 30 vitet e fundit nuk ka ndërtuar asnjë bibliotekë të re publike, ose siç quhen bibliotekë lagjeje. Mungesa e interesimit të administratorëve dhe të zgjedhurve vendorë për qarkullimin e librit dhe dijes tek qytetarët nuk njeh cak: Tirana e kohës së demokracisë ka më pak biblioteka publike se Tirana e kohës së diktaturës.

Makutëria për të betonizuar qytetin, për të ngritur kudo godina shumëkatëshe ka joshur administratorët dhe të zgjedhurit vendorë në Tiranë. Madje i ka futur në sherr kush e kush të marri përqindjen më të lartë si favor për biznesin fitimprurës të kafshimit dhe asgjësimit të pronës publike. Kuptohet që nga kjo lukuni të babëziturisht mos prit që të projektojnë dhe ndërtojnë ndonjë bibliotekë të re publike.  Sallat e bibliotekave janë në favor të dijes, ndihmojnë dhe mbështesin qytetarët të jenë më të ndërgjegjshëm dhe më të përkushtuar – kundër korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë.

Territori i Bashkisë ka 11 njësi administrative, ku tre prej tyre nuk kanë fare bibliotekë publike. Janë jo pak, por 182 mijë banorë, të cilëve nuk iu ofrohet ky shërbim. Pa llogaritur këtu banorët në zonat rurale të komunave, që i janë bashkangjitur zonës që administrohet nga Bashkia. Pra, Tirana ka mbetur me 8 biblioteka lagjeje, ku njera prej tyre (ajo në ish Kombinatin tekstil) është jashtë funksionit nga dëmtimet e tërmetit të nëntorit 2019.

Bazuar në një studim monitorimi dhe analize mbi funksionalitetin e bibliotekave të lagjeve, realizuar nga qendra studentore ABC Tirana Club, kryeqyteti ka nevojë emergjente për biblioteka të reja. Kurse ato ekzistueset duhet të rimodelohen, duke aplikuar shërbime dhe komunikime online. “Imagjinoni që bibliotekat ekzistuese kanë sipërfaqe sa një apartament banimi, rreth 90 metra katrorë. Nuk kanë skedarë online, nuk shëbejnë online, si dhe nuk kanë pajisje kompjuterike në dispozicion të frekuentuesve” – është një prej konstatimeve të ABC Tirana Club, që mbështetet në projekt nga Lëviz Albania, financuar nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

 

Qendra studentore ka zhvilluar një sondazh me qytetarët, si dhe disa takime ballafaquese mbi gjendjen e bibliotekave, nga ku është evidentuar dhe se fondi i botimeve të tyre është mjaft i varfër, jo tërheqës për frekuentuesit. Edhe kushtet e sallës janë të pafavorshme për ata që ju duhet të shfletojnë librat aty. “Tani në kohën e internetit dhe zhvillimit teknologjik të pandërprerë, bibliotekat e lagjeve vijojnë aktivitetin si para 30 viteve”, shprehen aktivistët e ABC Tirana Club.

Vetë Bashkia ka injoruar takimet ballafaquese që kanë zhvilluar studentët, duke e “kompesuar” mjerimin e bibliotekave me propagandë në media të ndryshme, sikur gjoja “bibliotekat e lagjeve po dixhitalizohen” apo se “të rinjtë po afrohen gjithnjë e më shumë në sallat e tyre”. E vërteta është se të rinjtë, nxënës apo studentë, janë larguar nga mjediset e bibliotekave, që nuk u ofrojnë as shërbim e as komunikim virtual, pa pasurim të fondit të botimeve, ku raftet “po thyhen” nga tejmbushja me tituj mediokër dhe pa asnjë interes.

Bashkia kapet “si i mbyturi” pas një projekti quajtur “BiblioTech”, që financohet nga UNICEF dhe po zbatohet nga Shoqata Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm në katër prej bibliotekave të lagjeve. Projekti po nxit të rinjtë në aftësimin teknologjik, që të marrin njohuri dhe shprehi për internetin, për të hapur faqe interneti. Kjo është shumë pozitive, sepse mjediset e bibliotekave shfrytëzohen për kualifikimin e të rinjve. Mund të ketë dhe fokuse të tjera kualifikimi, në ndihmë të të rinjve, p.sh, mund të bëhen kualifikime për aktorë, për vallzim, për make up, për licencë automjeti etj.

Por, këto funksionalitete nuk mund të anashkalojnë funksionin kryesor të një biblioteke publike, qarkullimin e librit dhe shërbimeve të tjera të dijes tek qytetarët. Nëse ky funksion çalon, nëse ky funksion kryhet si 3 dekada më parë, atëherë kemi ndihmuar në rrënimin e tyre, kemi larguar njerëzit prej tyre, shprehen aktivistët e ABC Tirana Club, bazuar dhe në mendimet që janë shprehur gjatë takimeve ballafaquese me qytetarët dhe ekspertët.

Në mënyrë paradoksale, “BiblioTech” ndihmon realisht të rinjtë se si të hapin dhe të menaxhojnë një faqe interneti. Nga ana tjetër, biblioteka e lagjes ku ata marrin këto njohuri të vlefshme nuk ka vetë faqe interneti.

Ndaj dhe për rrjetin e bibliotekave publike kërkohet një strategji konkrete ndryshimi – e cila fillon me ndërtimin e bibliotekave të reja, që të lokalizohen në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e qytetit; dhe vijon me modernizimin e bibliotekave ekzistuese. Çdo prezantim “dixhitalizimi” që nuk investohet te fuksioni primar i një biblioteke publike është thjesht propagandë bajate, është fasadë, për të justifikuar pandjeshmërinë e administratës dhe të zgjedhurve vendorë në Tiranë, për bibliotekat dhe për makutërinë për ndërtesa shumëkatëshe në çdo cep të territorit të Bashkisë.