Bilanci tragjik i 24 orëve: tre vrasje, pesë viktima, asnjë i arrestuar

651
Sigal

Në harkun kohor të vetëm 24 orëve, tre vrasje kanë tronditur opinionin publik vendas. Mëngjesin e një dite më parë u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Besnik Hida, daja e Zamir Latifit, të vrarit gjatë ngjarjes së njohur si “masakra e Lushnjes”. Teksa po pinte kafe, gjysmë ore pasi kishte takuar të atin e nipit të tij të ndjerë, Fatos Latifin, Hida u vra në një distancë mjaft të afërt nga dy persona të maskuar, teksa po konsumonte një kafe në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnje.

Vrasja dyshohet se është kryer nga grupi rival i të fortit të bandës së qytetit, Aldo Bares. Bëhet fjalë për grupin e Laert Haxhiut dhe Orges Bilbilit, që akuzohen edhe si autorë të masakrës së Lushnjës, ku më 11 shtator 2017, u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Teksa na ndajnë pak mëshumë se 24 orë nga vrasja, ende nuk asnjë të arrestuar. Ndërsa, pak më herët, Policia njoftoi sekuestrimin e pasurisë së Julian Sulos, i njohur ndryshe si Juli i Pashakos, rivalit të Bares.

Vrasje e dytë u regjistrua ditën e djeshme në Klos, ku për një gardh u shuan burrat e një familjeje. Sali Dakuçi i mori jetën vëllait të tij, Kujtim Dakuci dhe nipit 19-vjeçar, Flogert Dakucit. Më pas autori i krimit të dyfishtë qëlloi edhe veten me armë zjarri duke e çuar bilancin e viktimave në 3. Ngjarja e rëndë erdhi pas një sherri në familje për gardhin që do të ndante 20 cm tokë. Për këtë arsye, dy vëllezërit, Sali dhe Kujtim Dakuci kishin 6 vite që nuk flisnin me njëri-tjetrin.

Ndërkohë, rreth një orë më parë, në fshatin Zall-Xhuxhë të Mirditës është qëlluar për vdekje 34 vjeçari Eri Zefi. Zefi është gjetur i mbuluar në gjak dhe i hedhur në një kanal nga banorët e zonës. Deri më tani, nuk ka asnjë pistë hetimi. 24 orët e fundit janë mbyllur me tre vrasje që kanë shënuar pesë viktima. Ende nuk ka asnjë të arrestuar për këto ngjarje të rënda, apo qoftë një reagim nga Policia e Shtetit, lidhur me sigurinë, masat e marra, dhe me kontrollet për armët e zjarrit.