Bie Vlora turistike, 50 milion euro qira vjetore dhe pushtimin e Gjirit nga nafta dhe gazi

199
Sigal

Qeveria do paguaj mbi 50 milion euro në vit qira për pushtimin e Gjirit të Vlorës, nga anijet që do djegin naftë bruto për të prodhuar energji elektrike. Kjo do bëjë që bregdeti i Vlorës të ndotet nga deti, ajri dhe toka. Sikur të mos mjaftonte kjo, pardje qeveria mirëpriti firmosjen e gjigandëve të fosileve Linden Energy dhe Overgas për t’u ngulur në Vlorë e për të blerë e shitur gaz të lëngshëm e të rigazifikuar në gjithë Ballkanin, nga trafiku marramendas i anijeve çisternë, që do hyjnë e dalin midis Sazanit e Karaburunit

 

Paradoksalisht qeveria do paguaj mbi 50 milion euro në vit qira për pushtimin e Gjirit të Vlorës, jo vetëm për territorin e pushtuar, por edhe për ndotjen nga nafta e derdhur në det, ndotjen e ajrit dhe tokës në një rreze prej disa kilometrash

 

Pikërisht në Korrik Vlora turistike merr goditjen e parë knockdoën. Vjen dhe instalohet në breg të detit, tek triporti një TEC notues me kapacitet më të madh se ai i Vlorës firmosur nga Qeveria me konsorciumin Excelerate Energy – Renco. Ky TEC do djegë naftë bruto për të prodhuar energji elektrike. Paradoksalisht Qeveria do paguaj, llogaritet mbi 50 milion Euro në vit, qira për pushtimin e Gjirit të Vlorës, jo vetëm për territorin e pushtuar, por edhe për ndotjen nga nafta e derdhur në det, ndotjen e ajrit dhe tokës në një rreze prej disa kilometrash. Pas 2 ose më shumë vitesh karakatina e naftës mbetet aty në gji të Vlorës, për të çfryrë ndotje nafte, ndoshta edhe në vite të tjera, e më pas mbetet aty si një vorrezë gjigande hekurishtesh. Ky konsorcium do të mbulojë dhe korrupsionin me TEC-in të Vlorës, vërtetuar nga departamenti i investigimit i Bankës Botërore, duke e kthyer me gaz TEC-in e Vlorës, që është tenderuar që të punojë edhe me gaz (ngjan shumë me inceneratorët që gjoja do prodhonin energji) dhe do shtojnë edhe 2 TEC-e të tjerë po aty.

Dje, Rama mirëpriti firmosjen e gjigandëve të fosileve Linden Energy dhe Overgas për t’u ngulur në Vlorë e për të blerë e shitur gaz të lëngshëm e të rigazifikuar në gjithë Ballkanin, nga trafiku marramendas i anijeve çisternë, që do hyjnë e dalin midis Sazanit e Karaburunit.

Kjo marrëveshje i shtohet marrëveshjesh tjetër firmosur vitin e kaluar me Excelerate Energy and ExxonMobil për instalimin e terminalit të gazit dhe rigazifikimit të tij, me kapacitet shumë të madh, sa gjysma e kapacitetit të gazsjellësit të TAP, dhe do ndërtohet gazsjellës nga Gjiri i Vlorës për në Seman, nëpërmjet zonës së mbrojtur Vjosë -Nartë, për ta lidhur me TAP-in.

Të gjitha këto dyndje fosilesh në Gji të Vlorës me ndotjen, që kjo lloj industrie gjeneron, me ndotjen me cipën e naftës, që do mbulojë gjirin e Vlorës, me shkatërrimin e faunës së detit në një hapësirë të madhe detare me ajrin e ndotur që do përhapë përreth e deri në qytet të Vlorës, me sedimentet e djegies së fosileve mbi pyllin e Sodës, lagunën e Nartës dhe ullinjtë e vreshtat për rreth, pa përmendur rrezikun e madh të eksplozionit, do ta fshijnë përfundimisht Vlorën nga harta si një vend turistik. Gjiri i Vlorës do mbetet thjesht një gji nafte, mijra njerëz, që aktualisht jetojnë në sajë të turizmit do mbeten pa punë.

Qeveria me këtë që po i bën Vlorës së paku t’i kursejë milionat për ndërtimin e portit turistik të Vlorës. Nuk ka anije turistike që duan të lundrojnë dhe ankorohen pranë çisternave të naftës e gazit.

Sinjalet e para të këtij pushtimi nga Nafta do t’i ndjejë Vlora këtë verë. Turistët do t’i largohen Vlorës të lemerisur nga era e djegies së naftës dhe detit të ndotur.

Ka vetëm një shpresë. Sapo populli i Vlorës të kuptojë tradhëtinë, që po i bëhet e të ngrihet, siç Ai di e siç ka treguar që ngrihet.