Berberi i ARRSH “pret me gërshërë” 12 milionë euro, shpall fituese firmën që ofroi 600 milionë lekë më shumë

141
Sigal

Autoriteti Rrugor Shqiptar është “me fat” që ka në krye të tij një person të quajtur Evis Berberi. Pasi ndryshe nuk do të kishte aspak kuptim që dikush tjetër të “priste më gërshërë” miliona euro nëpër tendera e të mos kishte mbiemrin “e duhur”. Duket se Evisi është një “berber” i vërtetë për të “rruar e qethur” mbarë e prapë paratë e taksave të shqiptarëve. Themi kështu pasi së fundmi ky zotëri nëpërmjet institucionit që drejton ka dhënë plot 12 milionë euro me TVSH në një tender ku të tjerët ofruan 600 milionë lekë më pak sesa fituesi, e megjithatë nuk u morën në konsideratë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-42844-09-21-2022 dhe me objekt “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Plani i Bardhë”. Duke konsultuar dokumentacionin e tenderit mësohets e rivitalizimi dhe sistemimi i skarpateve përfshin aksin rrugor Ura e Vashës – Qafë Buall, që shtrihet në Rajonin Qendror Malor të Shqipërisë. Ky segment rrugor zhvillohet përgjatë dhe në shpatin verior të luginës së lumit Mat. Në luginën e lumit Mat gjendet edhe fshati Plan i Bardhë, nga i cili ka marrë dhe emrin segmenti rrugor. Fondi limit i kësaj procedure është 1,170,234,457 lekë të reja pa TVSH ose rreth 12 milionë euro me TVSH. Shikohet se janë paraqitur në garë 6 operatorë ose bashkime operatorësh. Nga këta fitues është shpallur bashkimi i operatorëve SELAMI SHPK + COMPANY RIVIERA 2008 + GARDEN LINE për ofertën prej 1,146,500,000 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 12 milionë euro përfshirë TVSH. Por duke krahasuar ofertat e të gjithë pjesëmarrësve, rezulton se dikush tjetër ka dhënë ofertë më të lirë, madje me një diferencë të frikshme prej mbi 600 milionë lekësh të vjetra me TVSH më pak sesa fituesi. Për habi kjo ofertë kaq e ulët nuk është marrë në konsideratë nga Berberi ,i cili me sa duket ka vazhduar i qetë të “presë me gërshërë” paratë e shqiptarëve. Nga ana tjetër vlera fituese është gati sa 98% e fondit limit, duke ngritur dyshime të forta se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar që në fillim.