Berati është edhe “qyteti i hebrenjve”, ja 38 familjet që strehuan 600 burra, gra dhe fëmijë në Luftën II Botërore

4878
“Hebrenjve – Berati është edhe qyteti juaj…” 

Sa herë që afrohet 27 janari i çdo viti mendja të shkon tek dita e Holokausit, tek Lufta II Botërore, viktimat, nga të cilit vetëm Hebrenjët ishin 6 milionë. Ndryshe nga vendet e tjera shqipëria ofroj për Hebrenjët strehimin e mbrojtjen e tyre. Vetëm në Berat gjatë kohës së luftës erdhën mbi 600, burra, gra dhe fëmijë. Të shkruash për këtë popull sa të vuajtur po dhe aq fisnik të duhet shumë kohë, punë, mund dhe djersë. Fasha e gjerë e kësaj teme tregon se sa herë që ulesh të hulumtosh po dhe aq herë të dalin detaje e histori të reja të pa publikuara më parë. Një temë të tillë në këto dy dekadat e fundit ka trajtuar edhe publicisti e studiuesi Simon Vrusho, për këtë punë të vyer të deritanishme, por dhe për zbulimet e reja rreth kësaj fushe i morëm këtë intervistë. 

Gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit ju keni shkruar e botuar mjaft mbi praninë hebarike në Berat, libra, shkrime, studime, reportazhe, portrete, etj. Madje në disa shkrime e intervista për këtë temë sa interesante po dhe aq jetike për hebrenjët, thuajse nga mesjeta e deri në kohën e para e pas luftës së dytë botrore e në vijim u jam referuar juve. Por edhe kur mendohet se kjo temë është ezauruar apo shteruar ju, sërisht, befas, nxirrni, zbuloni, publikoni fakte, dokumente, detaje të reja. Pyetja ime është : 

Cili ka qenë zbulimi i fundit në lidhje me këtë temë ? 
I fundit është Miki, Miki, një hebre me tabaka në duar, strehuar në kohën e Holokaustit në Berat (1942-45) tek familja e Vangjel Budës, tek Budat, brez pa brezi argjendarë, me origjinë, ka gjasë dhe hebreje, argjendarë të spikatur edhe në punime ikonash me gdhendje, kuposje, derdhje dhe veshje me sava… Vangjeli vdiq i ri, më 1968, 50 vjeç… I dhënë pas argjendarisë, pas librave dhe “Zërit të Amerikës”… Vdiq me “Zërin e Amerikës” tek veshi… Argjendarinë si profesion ia la të birit Dhimitrit, Taqos, i cili ua trashëgon djemve Gavril e Valirian… Miki u mbajt si djalë shtëpie deri më 1945, kur Vangjel Buda e përcolli deri në Durrës, ku ishin mbledhur dhe hebrenj të tjerë, që riktheheshin në vendet nga kishin emigruar… Nasho Qytyku, 81 vjeç, fqinj me Budat, e mban mend Mikin, se, duke qenë moshatarë, edhe luanin bashkë në rrugët e “Vakëfit”… Mesa duket, ja pse numri i turistëve hebrenj, izraelitë po shënon rritje në qytetin e Beratit. 

Iu intereson prania e të parëve të tyre në këtë qytet, gjurmët, dëshmitë, jehona? 
Kur dëgjojnë apo shikojnë se hebrenjtë kanë pasur një lagje të tyre, një lagje të vendosur në qendër të qendrës së Beratit nga ana urbanistike, midis xhamisë së Plumbit dhe Mitropolisë, atje ku rruga mban emrin “HEBRENJTË”, kur mësojnë se komuniteti i hebrenjve ka pasur të drejat e tij të njohura e të mbrojtura, kur kishin përfaqësues në drejtimin e qytetit, kur kishin sinagogën e tyre, sigurisht që ndjehen mirë… Por ata nuk kanë qenë në qendër vetëm nga pikëpamja urbanistike, por edhe ekonomike, edhe financiare, derisa komuniteti tyre apo hebrenj tregtarë financonin dhe hyqymetin në kohë të vështira… Por kanë qenë në qendër edhe nga aspekti kulturor, derisa përfaqësues të tyre përfshiheshim me zell në konkurset apo garat letrare që organizoheshin në qytet, ku merrte pjesë paria apo elita e qytetit, të themi… Nga fillimi i 1500 lagjia hebreje kishte 11 familje, pas disa dekadash u bënë 25 familje dhe më vonë arritën në 100 familje… Gjurmët e tyre gjenden gjithandej, në Bilçë apo në Duhanas me toponime kuptimplote, etj. Pra ka një prani historike, një komponent hebraik i pandërprerë me shekuj, natyrisht, kulmi arrihet me strehimin dhe shpëtimin e mbi 600 hebrenjve në kohën e Holokaustit…Po, ky është një kapitull më vete, i lexuar tashmë gjerësisht, megjithëse ka ende vend për ta hulumtuar… Ky strehim, ky shpëtim tregon se ç’ka qenë Berati për hebrenjtë, prandaj duket, ndjehet sikur dhe vetë Berati u thotë turistëve, vizitorëve, studiuesve hebrenj: “Hebrenj, Berati është edhe qyteti juaj!”

Ju ia keni dedikuar librin tuaj “Hebrenjtë e Beratit”, Dr.Zino Matathias? 
Po. Dr. Zino Matathia, Qytetar Nderi i Beratit, të cilit i kam dedikuar librin “Hebrenjtë e Beratit”, botuar më 2010. Në vitin 1971, në spitalin e Beratit ka operuar edhe tim atë. Mjek në stafin e spitalit ushtarak izraelit që u stacionua në kampin e refugjatëve kosovarë në Maqedoni, 1999. Prej vitit 1991 banon në qytetin Kamiel, Izrael, ku është nderuar si Qytetar i Vyer i tij. Thuajse çdo vit vjen në Shqipëri, në Tiranë, Vlorë e Berat . Ka punuar si mjek 14 vjet, duke qenë edhe drejtor i spitalit të Beratit. 

Në korrik 2017 një delegacion i Bashkisë Karmiel, Izrael, i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë Adi Eldar, zhvilloi një vizitë në Bashkinë e Beratit, cila ishte risia që solli delegacioni në Berat? 
Vizita u organizua në kuadër të lidhjeve të binjakëzimit ndërmjet dy qyteteve, Berat dhe Karmiel. Në takimin që zhvilluan me përfaqësues të Bashkisë së Beratit në datën 19 korrik u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve, kryesisht në shkëmbimet kulturore, në fushën e arsimit, të bizneseve të agrobiznesit dhe në rritjen e kapaciteteve ndërmjet stafeve. Të pranishëm në takim ishin edhe ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin dhe Konsulli i Nderit i Shqiperise ne Izrael Menashe Getz. Gjatë qëndrimit në Berat, delegacioni i Karmielit zhvilloi një vizitë në Qendrën Historike të Beratit, në Kala dhe Muzeun Ikonografik “Onufri”, si dhe në biznesin e këpucëve “Caterina Firenze”. 
Së fundmi, edhe dy reshta për enët e zbukuruara me,“Yllin e Davidit” të gjetura në një familje në Kostren të Tomorrit ? 
Në fakt të tilla enë me zbulurrime ka shumë në anët tona, në qendër të tyre ndodhet “Ylli i Davidit”dhe sipas meje janë shekullore dhe kjo tregon miqësinë që në shekuj kemi pasur me Hebrenjët dhe që ende e kësaj ditë vazhdojmë ta ruajmë me fanatizëm. Po t’i rikthehemi historisë të Luftës II Botrore, jo më kot shqiptarët mbrojtën jetën e hebrenjve duke rrezikuar jetën e tyre dhe kjo më e dukshme ka qenë në Berat pasi Hebrenjtë në qytetin tonë në vitet e Luftës u strehuan në disa lagje, ndaj dhe ne me plot gojën themi, se Berati është dhe qyteti i tyre. 
Sulo Gozhina 

Familje beratase që strehuan hebrenjtë e ardhur gjatë Luftës II Botërore 
1. Isuf Qojle 
2. Qani Civeja 
3. Mehmet Xhezo 
4. Halil Frashëri 
5. Xhevat Gjergjani 
6. Xhevahir Zaganjori (Shkodrani) 
7. Vexhi Buharaja 
8. Hysen Nallbani 
9. Bari Zeko 
10. Burhan Ruli 
11. Sula Muzhaka 
12. Tajfur Haznedari 
13. Asaf Xhufi 
14. Gani Telegrafi 
15. Sulo Droboniku 
16. Tefik Ruzi 
17. Taq Simsia 
18. Lilo Xhimitiku 
19. Jorgji Naco 
20. Irakli Meroli 
21. Gaq Kajana 
22. Dhimiter Shyti 
23. Llazar Shollla 
24. Toli Dodi 
25. Dhoksi Speci 
26. Siku Gjogu 
27. Kozma Gega 
28. Llukan Gjika 
29. Tasi Bixhonja 
30. Vangjel Sota 
31. Zoi Vesho 
32. Grigor&Peci Shkurti 
33. Jorgji Angjeliu 
34. Resmie Spathara 
35. Ndon Papai 
36. Miti Cania 
37. Vlash Myzeqari 
38. Hiqmet Çipi 


Sigal