Berat/E padit adoleshentja, 30-vjeçari rezistencë ndaj policisë: Po më arrestoni padrejtësisht, unë vetëm e pashë

641
Sigal

Një i ri nga Berati ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi akuzohet për vepra të turpshme të kryera ndaj një vajze të mitur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenovicë të Beratit, ndërsa i arrestuari është Dashnor Begaj, 30 vjeç.

Arrestimi i tij u bë nga Specialistët e Seksionit për Krimet, pas denoncimit të bërë në Polici nga një vajzë adoleshente. D. S., 17 vjeçe, ka deklaruar para oficerëve të Policisë se Begaj ka kryer ndaj saj vepra të turpshme.

Në momentin që forcat e Policisë kanë shkuar në banesën e 30-vjeçarit për të bërë ndalimin e këtij të fundit, Dashnor Begaj ka reaguar më fort duke kundërshtuar. 30-vjeçari ka bërë rezistencë duke deklaruar se nuk ka kryer asnjë veprim të turpshëm ndaj vajzës, por vetëm e ka parë në sy.

“Nuk kam kryer asnjë veprim të turpshëm, po më arrestoni padrejtësisht”, mësohet të jetë shprehur ai.

Por pavarësisht këtij pretendimi, Begaj është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje, lidhur me denoncimin e bërë nga vajza adoleshente.

Tashmë, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprat penale, “Vepra të turpshme” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.