Beqir Sina sjell në Tiranë librin “Rob – Një biografi për dy kohë”

275
Sigal

Një libër i ri për lirinë, shpresën dhe të ardhmen

Gazetari shqiptaro-amerikan Beqir Sina paraqiti më 8 shtator në Tiranë librin me titull “Rob – Një biografi për dy kohë”, një event që ngjalli interesim të pazakontë.

Libri prej më shumë se 400 faqesh, botim i “Tirana Times”, paraqet jetën e autorit nën komunizëm dhe lirinë që ai gjeti në Amerikë.

Autori lindi në internim, në Savër të Lushnjes në vitin 1957 dhe fati i tij ishte i vulosur që nga ai çast. Në mënyrë sureale, pa lindur mirë, atij i ishin mohuar të gjitha të drejtat njerëzore dhe duhej që jetën ta kalonte në mjerim.

Autori Sina përshkruan brutalitetin e regjimit, por këtë e jep në një formë të re. Ai sjell një rrëfim të pa sforcuar, flet me vetpërmbajtje dhe me të njëjtin durim që ai dhe familja e tij treguan në vitet e gjata të vuajtjeve në Savër.

“Ky libër është një homazh për qëndresën e kësaj pjese të shoqërisë shqiptare gjatë komunizmit. Është gjithashtu një himn për lirinë,” tha Albert Rakipi Kryetar i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë.

Aktivisti dhe biznesmeni Ekrem Bardha, ish i arratisur, tha se “komunizmi në Shqipëri ishte një diktaturë e rreptë, e paimagjinueshme dhe ne i dimë vuajtjet e të gjithëve, por një mesazh dua t’ju jap, që shumë pak njihen krimet e komunizmit, vuajtjet e shqiptarëve.”

Studiuesi Ilir Ikonomi, ish gazetar i VOA, u shpreh: “E njihja Beqirin prej kohësh, por ai nuk mburret me ato që ka hequr… Vetëm kur lexova këtë libër mësova se vuajtjet e familjes Sina kishin qenë të përmasave që unë nuk i përfytyroja. Ato mund të përshkruhen vetëm nëpër libra dhe nuk thuhen dot me gojë”.

Në libër, Beqir Sina flet edhe për lirinë që gjeti në Amerikë, ku punon si gazetar prej tre dekadash. Ai reflekton për komunitetin e shqiptarëve të Amerikës, flet për udhëheqësit e tyre dhe shpjegon se përse në Shqipëri është e nevojshme që të luftohet për të ruajtur liritë e fituara me aq shumë përpjekje.

THANË PËR KËTË LIBËR:

Leka II, Princi i Kurorës
Një rrugëtim pasionant rrëfyer mjeshtërisht nga i talentuari Beqir Sina, nga internimi në Shqipëri deri në zbulimin e lirisë së shumëpritur në SHBA. Një çelës për të përjetuar të kaluarën dhe për të kuptuar të tashmen!

Eliot Engel, ish anëtar i Kongresit amerikan
E kam takuar autorin Beqir Sina në shumë prej aktiviteteve të mia si kongresist, në Uashington dhe në Nju Jork. Ai është një gazetar i palodhur për të thënë të vërtetën dhe jam i sigurt që rrëfimi i tij në këtë libër do të pritet me shumë interesim. Historia e jetës së tij do t’i shërbejë edukimit të brezave të ardhshëm.

Harry Bajraktari, aktivist dhe biznesmen
Një libër që tregon të vërtetën, me fakte dhe hollësi interesante. Gazetari Sina vuajti në internim dhe Amerika i hapi një të ardhme të bukur, atij dhe familjes së tij. Është një libër që frymëzon. E falenderoj gazetarin Beqir Sina për sakrificën e tij dhe të familjes të tij. Me punën që ka bërë në vite si gazetar e ka pasuruar jetën e komunitetit shqiptar në SHBA.

Sami Repishti, studiues
Ky libër ashtë nji ngjarje me randësi për bashkësinë shqiptaro-amerikane dhe kontribut çmueshëm për lexuesët shqiptarë kudo që jetojnë. Për lexuesët e huej, dedikimi pa kushte i shqiptarëve dhe veçanërisht i Diasporës në Amerikë mund të jetë nji revelacion. Libri pa dyshim ashtë nji konfirmim i dokumentuem i këtij dedikimi, nji dhuratë për breznitë e ardhme.