Batërdi abuzimesh në administratë, KLSH zbulon 1 miliard euro dëme

116
Sigal

 

Vetëm për 9 muajt e parë të vitit abuzimet më të mëdha janë me tenderat. Në Prokurori janë kallëzuar 6 persona të konstatuar me shkelje të rënda, të cilët janë drejtues të nivelit të lartë e të mesëm

Abuzimet në administratën shtetërore kanë kapur majat. Kontrolli i lartë i Shtetit ka zbuluar se dëmi ekonomik i shkaktuar vetëm për 9 muajt e parë të vitit ka shkuar në nivele stratosferike. Pak kohë më parë KLSH publikoi shifrat për periudhën janar-qershor, ndërkohë që tani ka zbuluar të dhënat edhe për periudhën janar-shtator.

Në buletinin e fundit rezulton që ky dëm për të dy zërat të jetë 122 miliardë lekë (mbi 1 miliardë euro), 38% e të cilës vjen nga të ardhurat dhe shpenzimet dhe pjesa tjetër nga shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave.

KLSH, në përfundim të auditimeve të kryera përgjatë periudhës janar – shtator 2022 ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në shumën totale prej 47.078.634.000 lekë. Ndërkohë për të njëjtën periudhë KLSH ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare në vlerën totale 74 miliardë lekë.

Abuzimet më të mëdha janë me tenderat. “Dëmi ekonomik në “shpenzime për investime” në vlerën e përgjithshme 454,511 mijë lekë është konstatuar si në fazën e zhvillimit të procedurave të prokurimit, ashtu edhe në fazën e zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve Dëmi ekonomik në fushën e prokurimeve publike konstatohet si rrjedhojë e shkeljeve në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit; llogaritjen e vlerës së kontratës; respektimin e kufijve monetar/ përzgjedhjen e procedurës së prokurimit publik; paraqitjen dhe pranimin e ofertave; hapjen dhe shqyrtimin e ofertave të paraqitura në konkurrim; në njoftimin e fituesit, në procedurat e prokurimit me një ofertues, në lidhjen e kontratave dhe marrëdhëniet me nënkontraktorët, arkivimin e dosjeve për tenderat e zhvilluar; zbatimin e kontratave nga kontraktorët në përputhje me kushtet e përgjithshme etj”, shprehet KLSH.

Në total, për periudhën janar – shtator 2022, vetëm nga auditimi i procedurave të prokurimit dhe zbatimit të tyre është konstatuar një dëm ekonomik në shumën 454.511.000 lekë nga të cilat vlera 33.618.000 lekë në procedurë prokurimi dhe vlera 420.893.000 lekë gjatë zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, po ashtu ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74.097.057.000 lekë nga të cilat:

– 21.007.564. 000 lekë në fushën e të ardhurave, ku veçojmë vlerën prej 10,182,517 mijë lekë (ose rreth 48% e totalit) e konstatuar në ALBPETROL sha, në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore; si dhe

– 53.089,493.000 lekë në fushën e shpenzimeve të kryera jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likujdimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor, ku veçojmë vlerën 32,817,583 mijë lekë (ose rreth 62% e totalit), konstatuar në Ministrinë e Financave, më konkretisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit dhe Drejtorinë e Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj.

Nga auditimet e realizuara gjatë nëntë mujorit të vitit 2022 ka përcjellë në Prokurori 1 kallëzim penal.

Konkretisht, në auditimin e kryer në DVASHK Sarandë me kallëzimin penal të përcjellë në Prokurori janë kallëzuar 6 persona të konstatuar me shkelje të rënda, të cilët janë drejtues të nivelit të lartë e të mesëm.