Bashkia e Tiranës vazhdon prishjen e objekteve pa leje në Njësitë Bashkiake nr.1 dhe nr.5

561
Sigal

 Inspektorati Ndërtimor ka vijuar edhe dje aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Gjatë orëve të paradites, ky aksion ka konsistuar fillimisht në prishjen e një lavazhi në rrugën “Shyqyri Ishmi”, pranë Xhamisë së Tabakëve, në Njësinë Bashkiake nr.1. Objekti në fjalë ishte i paligjshëm, pasi nuk kishte leje për zhvillimin e aktivitetit dhe nuk dispononte leje për ndërtim lavazhi. Pas depozitimit të një numri të madh ankesash nga banorët e zonës përreth, nisur edhe nga ndotja e madhe mjedisore dhe akustike që krijonte, por edhe nga shpërdorimi pa kriter i ujit të pijshëm, Inspektorati Ndërtimor ka ndërhyrë duke e kthyer këtë objekt në gjendjen e tij fillestare. Një tjetër objekt i paligjshëm i është nënshtruar dje prishjes nga ana e Inspektoratit Ndërtimor dhe ka qenë një shtesë anësore në katin e tretë të një pallati, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, pranë stadiumit “Dinamo”, pjesë e Njësisë Bashkiake nr.5. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës vijon me identifikimin e ndërtimeve pa leje si dhe sekuestrimin e betonierëve apo objekteve të tjera, të cilat do të goditen me forcën e ligjit nga ana e INU. Inspektorati u rikujton qytetarëve, të mos ndërmarrin iniciativa të cilat bien ndesh me ligjin, duke shprehur kështu vendosmërinë për të mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në territorin e bashkisë së Tiranës.