Bashkia apel të pastrehëve nga tërmeti, nesër afati i fundit për të lënë hotelet

532
Sigal

Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi shumë banesa dhe si pasojë, la të pastrehë rreth 300 banorë të Kurbinit. Momentalisht këta banorë qëndrojnë në disa hotele të Shëngjinit dhe ata u njoftuan nga bashkia se duhej të gjenin strehim tjetër deri më 31 janar.

Në pamundësi për të gjetur banesa me qira dhjetra banorë të Kurbinit, të cilët mësuan se duhej të dilnin nga hotelet ku janë strehuar deri më 31 janar, janë të revoltuar dhe të pashpresë.

“Shteti na ka lënë në mëshire të fatit. Duhet që të ndërhynë ata për ta na gjetur shtëpi sepse nuk mundemi të gjejmë. Bonusi që më kanë dhënë nuk është i mjaftueshëm, pasi çmimi i qirave është rritur dhe skem me çfarë ta paguaj”, tha Baftjar Agolli.

Por nga ana e saj bashkia e Kurbinit tha se me miratimin e bonusit të qirave këta banorë po i rëndonin dyfish taksapaguesve dhe se duhej të gjenin shtëpi me qira dhe të linin hotelet.  “Normale është që ata që kanë përfituar bonusin e qirase, të kerkojnë strehim se nuk mund të jenë dyfish në kurriz të taksapaguesve. Hotelet ishin zgjidhje e momentit të emergjences imediate, tani duhet të sistemohen në mënyre më të qendrueshme”, tha kryetarja e Bashkisë së Kurbinit Majlinda Cara.

Kjo e fundit tha se njoftimi është bërë vetëm për familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë, sipas të cilit çdo banorë përfiton 3 mijë lekë për qira mujore. “Ne po i ndihmojmë banorët në çdo menyrë, po burimet financiare duhet të përqendrohen tek rindërtimi për të kthyer të gjithë Kurbinin në normalitet, jo tek hotelet”, tha Cara.

Më herët më 6 janar, kur u ngrit fillimisht ky shqetësim,  Cara i pati thënë BIRN  në një bisedë telefonike se asnjë nga banorët nuk do të nxirrej nga hoteli pa gjetur më herët banesa me qira.

Por së fundmi bashkia ka vendosur 31 janarin si afatin e fundit për të liruar hotelet ku qëndrojnë të strehuar që pas tërmeti të 26 nëntorit. Këtë vendim ju kanë komunikuar banoreve të Kurbinit të strehuar në Shëngjin, përfaqësuesit e Bashkisë paraditen e së mërkurës. Kjo kërkese i ka irrituar banorët shumë prej të cilëve thonë se ende nuk e kanë përfituar bonusin e qirasë dhe se nuk kanë gjetur strehim.

“Unë kam jetuar në pallat në lagjen numer 2. Tërmeti i ka dëmtuar dhe e kanë shpallur të pabanueshem dhe na sollen këtu në Shëngjin. Jam bashkë me familjen këtu. Kanë ardhur përfaqësuesit e Bashkisë dhe na thënë të lirojmë hotelet deri datë 31 janar të gjithëve pa perjashtim. Unë kam aplikuar për bonus qiraje, por s’mi kanë kaluar paratë. Se ku do shkoj nuk e di”, thotë një banor.

Të tjerë banorë thanë se ishte tepër e vështirë të gjeje banesa me qira, pasi çmimi ishte rritur. “Jam me ditë të tëra që po kërkoj për shtëpi, por skam mundur të gjej. Dua të largohem sa më parë nga këtu, por s’kam ku shkoj”, tha një banore, ajo po ashtu tha se bonusi ishte shumë i ulët dhe me aq para nuk mund të gjenin shtëpi.

Në 3 hotelet e Shëngjinit janë aktualisht 700 banor nga 1400 që kanë qenë në ditet e para të tërmetit. Të strehuarit në Shëngjin janë banor të Lezhës, Kurbinit dhe Thumanës, ndërsa deri më tani në Bashkitë Lezhë e Kurbin është miratuar bonusi i qirase për afro 1 mijë familje, por shumë prej tyre ende nuk i kanë marrë paratë.

Tërmeti i 26 nëntorit, shkaktoi 51 viktima dhe la pas mbi 4 mijë të pastrehë, pjesa më e madhe e tyre në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë.