Basha takon policët pas protestës: Kush pranon një qeveri të tillë është bashkëfajtor

592
Sigal
Partia Demokratike kërkon sërish sot largimin e qeverisë dhe ngritjen e një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme. 9 ditë pas protestës së parë, opozita ka thirrur sërish qytetarët në tubim para parlamentit kësaj radhe, kundër qeverisë.
Ndërkohë sot rreth 10:00 protestuesit u mblodhen para parlamentit. Ata mbanin në duar, vezë, miell, mandarina, patate, domate etj. Madje duke tentuar të qëllojnë drejt parlamentit, ata kanë qëlluar me miell e vezë edhe policinë që ndodhej kordon para institucionit. Deputetët hynë në sallën e seancave, shumica nga dera anësore. Madje ata ndryshe nga herët e tjera nuk i kanë parkuar as automjetet para parlamentit.
BASHA MBYLL PROTESTEN
Ora 13:41- Në fjalën e tij kryedemokrati Basha tha se gjendja ekonomike e vendit ishte ajo që ngriti shqiptarët në protestë dhe që rrëzoi Ramën e Metën.
“Ekonomia e vendit, gjendja juaj pa dallim bindjesh politike është e para që i rrëzoi këta të dështuar, Ramën e Metën. Në dy vite të keqqevirisjes u shkatërruan qindra mijëra vende pune. Në këto 2 vite ekonomia e rrëzoi Raman, Metën tregoi se ra kreditimi, ra punësimi, u rrit varfërua, krizë e paparë. Këto do mjaftonin për të ngritur zërin e për të thënë Rama ik, Rama ik”.
Më tej Basha tha se kjo qeveri i ka nxjerrë nga puna demokratët, ndërkohë që socialistët e kanë të pamundur të gjejnë një vend pune pa ryshfet. “ I ka zëvendësuar Rama me tutorët dhe kriminelët”.
“Korrupsion, trafik, drogë dhe askush nuk përgjigjet para ligjit. Në cilin vend kapet ministri që vë mjetin e tij në dispozicion të trafikantëve dhe nuk pushohet e çohet prapa hekurave, kryetaksisti i drogës urdhëron dhunimin kërbaçin ndaj berberëve”, shtoi Basha duke shtuar se kush lejon një qeveri të tillë është bashkëfajtor.
Më tej, kryeopozitari tha se kjo është një protestë paqësore. “Kush shikon dy xhama të thyer? Këta janë shqiptarët, jo dhunës por për largimin e Shqipërisë. Nuk prekim asnjë kapele dhe asnjë fije floku policisë sonë”. 

10:40-DEPUTETET E PD FJALIME PARA PROTESTUESVE, PARA PARLAMENTIT
IMAMI: QENIT KUR I VJEN NGORDHJA PSHURR NË DERË TË XHAMISË
Ish-ministri i mbrojtjes, deputeti demokrat Arben Imami ka gjetur një shprehje jo shumë të këndshme për ta krahasuar me deklaratat e kryeministrit. Ai tha se “Qenit kur i vjen ngordhja pshurr në derë të xhamisë” për të goditur deklaratën e Ramës të bërë disa ditë më parë për alpinët.
“Mos kujtoni se kur foli për alpinët foli padashje, por do të krijojë përçarje pasi ndihet shumë ngushtë. Duhet të jemi sëbashku që ta çojmë këtë vend drejt Europës. Liria dhe demokracia është një gjë për të cilën duhet luftuar. Kjo luftë nuk pushon, sepse mostrat e krimit, të komunizmit janë aty. Ta detyrojmë të largohet nga qeveria. Rama ik! Liri, demokraci!”, tha Imami.

TOPALLI-RAMËS: IK O DJALË NË SHTËPINË TËNDE, MJAFT E TURPËROVE VENDIN!
Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Para protestuesve ajo tha se Rama kërkon të votojë buxhetin e kolapsit të ekonomisë sonë.
“Edi Rama ik! Edi Rama ik! Edi Rama ik! Sot ne këtu nuk jemi për një arsye të vetme. Aty brenda Edi Rama kërkon të votojë buxhetin e kolapsit të ekonomisë sonë. Kërkon të votojë buxhetin e falimentimit të familjeve. Me buxhetet që ka kaluar në këto 3 vite, ka shtuar para që ka marrë nga sofra juaj 430 mln euro. Ja ka marrë secilit prej jush. Kjo ka vetëm një emër, pashpirtësi, për atë që nuk ka bukë për të ngrënë, që nuk ka lekë me i bel librat fëmijës. Kjo është një nga arsyet. Ne PD kemi rrëzuar etërit e tyre, ne nuk mund të pranojmë që ata të tallen me shqiptarët. ADN ime është protesta si shkodrane. Jo vetëm sot, jo vetëm nesër, jo vetëm më 21 por do të jemi të gjithë bashkë për të protestuar kundër një klike, një bande që kërkon të zbrazë vendin tonë. Jemi kaq pak për t’u zbrazur kaq shumë. Kur ka ndodhur ndonjëherë që 200 mijë shqiptarë të kërkojnë të ikin në Amerikë. Unë këtu në këtë shesh si më 8 dhjetor kam parë frymën e triumfit, të qytetarisë, të njeriut të thjeshtë, të njeriut të ndershëm. Nuk pranoj kurrë në emër të secilit prej jush dhe në emër të familjes sime që ai të dekorojë torturuesit më të mëdhenj të Shqipërisë sonë të dashur. PD kërkoi pushim me një vendim të thjeshtë: O do heqësh dekoratat që ke dhënë o do ikësh. Unë e kuptoj fort mirë frikën e varfërisë dhe dhimbjen e pamundësisë. Unë kam parë protestën tuaj, aty janë shpresat e shqiptarëve. Aty ku është rinia, aty është e ardhmja. U bëj thirrje studentëve, ju na frymëzoni ne, ju jeni të parët. Ju do ndryshoni vendin. PD do iu prijë. Ne duam një Shqipëri ndryshe dhe ne mund ta bëjmë. PD ka treguar në 25 vite se bën gjëra pozitive. Natyrisht ne mund të themi edhe më fal aty ku gabojmë, por është PD që ka bërë Shqipërinë me viza, që futi vendin në NATO, me rrugë. Ka vetëm një rrugë me Edi Ramën. Ai nuk lejon kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj ne duhet të përgatitemi për protesta të forta, të qëndrueshme, paqësore e t’i themi Edi Ramës: Ik o djalë në shtëpinë tënde, mjaft e turpërove vendin”.

ASLLAN DOGJANI: RAMËN S’DO TA LEJOJMË TË NDAJË SHQIPTARËT JUG-VERI
Deputeti Asllan Dogjani deklaroi gjatë protestës se kryeministri Rama në vend që të kërkonte falme dje në Kamzë, për deklaratat e tij kundër veriorëve, filloi të ofendonte sërish. “Mos guxo ti ndash shqiptarët në jug e veri. Ju nuk duhet të guxoni se shqiptarët ju njohin të gjithë. Kanë të njëjtin hall, pamundësinë për të siguruar jetesën. Si në jug e veri i hapën dyert kosovarëve që ikën nga serbi, prandaj nuk mund ti manipulosh”.

BUSHATI: FSHATI DIGJET K… KRIHET, KJO ËSHTË SITUATA E RAMËS
Deputeti demokrat i Shkodrës, Elidon Bushati e cilësoi protestën e sotme opozitare nisjen e një turi për të shporrur qeverinë. Ai tha se kësaj qeverie dhe këtij kryeministri i shkon për shtat shprehja “Fshati digjet k… krihet”. “Ka një fjalë popullore, fshati digjet ku** krihet. Kjo është situata ku ndodhet Edi Rama. 44 jaguarë blen qeveria jo vetëm për të, por edhe pastrueset e kryeministrisë, për drejtorët që i rrinë para mbrapa. Njerëzit vdesin për bukë ai xhiron sekretaret me jaguar”.
TABAKU MË 8 DHJETOR E VRAMË FRIKËN, TANI DUAM SHPRESË
Deputetja Jorida Tabaku deklaroi nga sheshi i protestës se: “Ky shesh këtu, 8 dhjetori tregoi se në të gjithë e vramë frikën bashkë. Ne mundemi, në çdo qytet, në çdo shtet, të flasim me njerëzit, të tregojmë alternativën tonë”. “Ne duam shpresë, jo t’ju marrin qeverinë që të mos i kthehemi të kaluarës së hidhur të para 25 viteve. Sot dekorohen xhelatët që kryen krime në komunizëm”,- tha ajo më tej.
BYLYKBASHI E RISTANI THRRJE PËR RRËZIMIN E QEVERISË
Thirrje për të rrëzuar qeverinë kanë bërë në foltoren e protestës edhe deputetët Arben Ristani e Oerd Bylykbashi. Ndërsa Ristani u shpreh se kjo qeveri mund të mposhtet vetëm me shpirtin qytetar, Bylykbashi shtoi: “Atje brenda është qeveria e krimit e së keqes, sot do fillojmë atë stinë që do i nxjerrim një herë e mirë nga të gjitha institucionet”.
POLLO: PD KA DETYRIM TE DENONCOJE ZULLUMET E QEVERISE, JEMI KRAH POPULLIT
Le të vijmë tek ekonomia që ju po varfëroheni përditë. Shumë prej jush e kanë dhënë votën për atë që e kemi quajtur aleancë qelbësirash, por po ju sot jeni penduar sepse kjo aleancë qelbësirash ka rritur taksat më shumë se cdo vend në Ballkan, nuk ka rritje rrogash, ndihmë sociale, por që kryefjalë ka burgun. Kjo është qeveria që duhet të largohet dhe për ti thënë që fitili ka mbaruar që afati ka skaduar. Je mi mbledhur sot këtu.
A mund të quhet dhunë të shkatërrosh simbolin më të shëmtuar që ka parë bota. Por njësoj si ata që shembën diktaturën 25 vite më parë, e shkatërruan atë bunker.
Basha e thirri këtë protestë se PD ka nevojë dhe detyrimin si dhe ka mandatin të denoncojë zullumet e tmerrshme të kësaj qeverie. Sot jemi në një udhëkryq dhe kemi detyrimin të kërkojmë një zgjidhje për të larguar Rama-Meta dhe t’i japë zgjidhje problemeve dhe t’i japë drejtësi drejtësisë që është plot me probleme.
PALOKA: TË GJITHË MË KËMBË PËR TË RRËZUAR KËTË REGJIM
Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka tha para protestuesve se shqiptarët nuk mund të pranojnë të shkelen ndaj ndodhen sot në protestë për rrëzimin e qeverisë.
“Nuk mund të pranojmë më të shkelemi, të dhunohemi. 25 vite më parë, studentët dhe gjithë shqiptarët i dolën përballë regjimit më të egër, më të frikshëm dhe më absurd që kishte njohur lindja. 25 vite më parë u përballëm me ta dhe i zhdukëm, i hoqëm plehrat që i kishin marrë frymën shqiptarëve, zhdukëm regjimin më të egër. Sot 25 vite më vonë, jemi prapë në këmbë, jemi prapë në protestë. Qeveria është mbledhur për të ndarë plaçkën që i grabit qytetarëve të varfër çdo ditë. Ua marrin ju edhe centin dhe mblidhen t’i ndajnë bashkë. Po bëjmë shtet thotë Edi Rama. Cilin shtet? Shtetin që vret të varfrin. Edi Rama, ky hajdut që vetëm sipas raportit të OSBE-së, sot ka 200 mln euro pasuri. Kryeministri më i pasur i popullit më të varfër. 200 mln euro pasuri dhe një tufë me horra rreth tij që grabisin çdo ditë me miliona. Çfarë është ai buxhet? 60 mln euro janë për VC-të e ministrave. 60 mln euro që të vënë prapanicat e tyre të qelbura ministrat. Ndërkohë që shqiptarët po vdesin për bukë. Pse e mbron bunkerin? Tha do ta shembnin me dru bunkerin. Ai bunker shembet me shpirtin e qytetarëve shqiptarë. Është shpirti i shqiptarëve që shembi regjimin e baballarëve. Rama të hapë rrugën sa nuk është vonë. Të gjithë më këmbë për të rrëzuar këtë regjim”, deklaroi Paloka.
Ora 10:30- Protestës së qytetarëve para parlamentit i janë bashkuar edhe krerët e opozitës. Lideri i PD-së, Lulzim Basha, nënkryetari Edi Paloka, Sekretari i përgjithshëm, Arben Ristani, deputeti Genc Pollo etj, janë pranë protestuesve duke kërkuar bashkë me ta rrëzimin e qeverisë.
MIELL E VEZË, JA POLICI QË E PËSOI NGA PROTESTUESIT
Protesta e sotme e opozitës para parlamentit ka pasur edhe disa risi nga protesta e kaluar. Mielli, vezët, frutat dhe perimet nuk kanë munguar në duart e qytetarëve, që të inatosur janë përpjekur të qëllojnë me to në parlament, por janë penguar nga gardhi i efektivëve të policisë që ndodhen para parlamentit. Duket se një prej policëve ‘ka marrë’ mbi vetë të gjithë mllefin e protestuesve, të cilët e kanë përlyer me vezë e miell.
Ora 10:25- Fatmir Hoxha, ish-i përndjekur politik kërkoi nga kryeministri heqjen e dekoratave për ish-punonjësit e sigurimit në diktaturë dhe figura të tjera të asaj kohe. “Edi Rama të tërheqë dekoratat ose do ta shpallim non grata si antishqiptar”, tha ai.
Ora 10:19- Protestuesit qëllojnë me vezë e miell policinë para parlamentit. Protestuesit mbajnë në duar parulla të shumta: “Edi Rama, kujdes nga veriorët se nga veriorët do të vijë fundi!”; “Azem je gjallë”; “Rama do të varim me litar”; “200 milion euro pasuri”, etj.
Ora 9:58- Protestuesit kanë nisur të mblidhen para parlamentit, ndërsa disa prej tyre kanë në duar vezë dhe patate. Gjithashtu gazetarët tanë nga terreni raportojnë se protestuesit kanë në duar edhe bilbila.
Ora 9:43- Gazetarja Elda Menga tha se protesta e PD-së do të nisë në orën 10:00. Qytetarëve që do të protestojnë do t’u bashkohet edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Deputetët do të dalin herë pas here nga parlamenti për t’ju drejtuar protestuesve.
Ora 9:40- Policia ka rrethuar Parlamentin. Efektivët janë vendosur gardh para parlamentit për të mos lejuar qytetarët të hyjnë brenda ambienteve të parlamentit. Deputetët kanë filluar të hyjnë në parlament. Një pjesë e mirë e tyre kanë hyrë nga dera anësore, jo kryesorja. Sot në buxhet do të diskutohet projektbuxheti nen për nen.
NOA