Basha: Deklarata e Ramës, e papërgjegjshme. Asgjë e dykuptimtë në deklaratën e PD

580
Edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha vizitoi dy efektivët e plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në Lazarat, ku një koleg i tyre mbeti i vrarë.
Pasi shprehu ngushëllime për familjen e efektivit Ibrahim Basha, kreu i opozitës tha se ka kërkuar nga policia që në orët e para që të merren të gjitha masat për të mos pasur më humbje jetësh si nga radhët e policisë, ashtu edhe nga radhët e civilëve, por edhe transparencë.
“Grupi i efektivëve që është goditur ka qenë në skenën e operacionit në një automjet të papërshtatshëm. Ky nuk është momenti për t’u ndalur këtu por një analizë e plotë dhe e gjithanshëm për humbjen dhe vënien në rrezik të jetës së efektivëve duhet kryer”, tha Basha.
Basha iu përgjigj edhe deklaratës së kryeministrit Edi Rama, që cilësoi më herët po nga i njëjti vend, si “të dykuptimtë” deklaratën e Partisë Demokratike.
“Kryeministri vendit, njeriu që duhet të mbajë përgjegjësi, të bëjë transparencë për këtë ngjarje, gjeti rastin për të sulmuar opozitën në derën e spitalit me një deklaratë të papërgjegjshme dhe djallëzore që e hedh poshtë me neveri. Nuk ka asgjë të dykuptimtë në deklaratën e PD. Nuk ka asgjë të dykuptimtë për mbrojtjen e jetëve të efektivëve. Deklarata e Ramës është një deklaratë e papërgjegjshme, djallëzore dhe e errët”, u shpreh Basha.
Sigal