Baret hapen më 18 maj, po kafen si do e pimë?

346
Sigal

Dje qeveria i dha përgjigje sesi do të punojnë bar-kafetë. Më datë 18 maj, baret dhe restorantet do të rinisin punën, por vetëm duke zbatuar protokollin e masave higjieno-sanitare të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Këto subjekte do të lejohen të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 17:30.

Për ata subjekte që do të vazhdojnë aktivitetin pas kësaj fashe orari, qeveria ka parashikuar masa të ashpra me gjobë deri në pezullim të aktivitetit.

Bar-kafetë dhe restorantet duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e personelit dhe klientëve, ku përfshihen dorezat, dezifektantët dhe maskat për stafin, ndërsa për klientët do të vendoset një higjienizues për duart, në hyrje të subjekteve.

Tavolinat do të vendosen në 2 metra largësi midis njëra-tjetrës për të respektuar distancën fizike ndërmjet klientëve. Sa i takon dezinfektimit të ambienteve të bareve dhe restoranteve, ky proces parashikohet të kryhet 2 herë në ditë.