Pogradeci dje kishte veshur petkun e festës. Mijëra qytetarë pogradecarë dhe mysafirë kishin ardhur në Pogradec për çeljen e sezoni turistik. Kryetari i Bashkisë Eduart Kapri, i cili ka çelur këtë ceremoni mbresëlënëse, aty kanë përshëndetur qytetarë dhe miq të ftuar nga Ohri, Struga, nga Gjermania, Holanda, etj. Ndër të tjera ai ka theksuar se ky sezon turistik e gjen Pogradecin krejt ndryshe: me një ndriçim bashkëkohor të ri në gjithë qytetin, me parkun që ua kemi kthyer qytetarëve, me një plazh të pastër si asnjëherë tjetër duke u kërkuar qytetarëve që ta ruajmë këtë pasuri që na ka falur natyra. Ndër të tjera kryebashkiaku Kapri ka theksuar se Pogradeci nuk i përket vetëm Shqipërisë, mysafirë të përhershëm të këtij qyteti tashmë janë bërë mijëra turistë të huaj që vijnë e banojnë në këtë qytet magjik. Padyshim që Pogradeci i Lagushit, Mitrushit dhe shumë talenteve të tjera ka dimensione specifike.


Jeta e natës
Miqtë, pasi kanë shijuar drekën e shijshme dhe çlodhjen në hotel mbrëmja të afron një fresk karakteristik që në orët e mbrëmjes duhet edhe një triko rezervë. Surpriza të tjera janë shëtitorja buzë liqenit, me parkun e madh prej 340 mijë metra katrorë, lulishtet e shumta me muzikë live. Gjithashtu janë edhe tri disko midis tyre dhe një verore e porsa përuruar në breg të liqenit dhe dy të tjera në qendër të qytetit. Këtë vit, si asnjëherë tjetër, shëtitorja buzë liqenit gjatë 24 orëve do të jetë e bllokuar për makinat ajo do t’ju kthehet qytetarëve. Ka dhe një surprizë: Bashkia ka arritur që të sigurojë një traget për Pogradecin me ndihmë të holandezëve, i cili do të realizojë shumë shpejt ëndrrën për t’u lidhur me Ohrin e Strugën me anën e tragetit që do të niset nga Pogradeci në Ohër dhe Strugë dhe do të kthehet në Pogradec. Kjo nuk është si më parë ëndrra e një nate vere, por një realitet.
Çfarë mund të vizitoni në Pogradec
Qyteti i Pogradecit rezulton që në kohën e neolitit 6 mijë vjet përpara erës sonë. Ju që do të pushoni në Pogradec mund të vizitoni:
1. Kishën palokristiane dhe Mozaikun e Linit të ndërtuar në shekullin e V e VI të erës sonë.
2. Urën e Golikut, ura e rrugës Egnatia.
3. Kalaja e Pogradecit që i përket shekullit të V të erës sonë deri në shek XIX.
4. Kulla e Shpatit të Blacës, që ka një shtrirje kohore nga shekulli XII para erës sonë deri në shekullin e III të erës sonë.
5. Varret monumentale të Selcës që datojnë shekullin IV para Krishtit.
Gatimet
Padyshim që tava e koranit me zarzavate është një nga specialitetet që e kanë të gjitha lokalet në Pogradec. Në disa lokale korani mbahet i gjallë në vaska dhe gatuhet i freskët pasi është zgjedhur më përpara nga klienti. Edhe mish i pjekur edhe pulat e fshatit në gatime tradicionale nuk mungojnë në shumë lokale. Padyshim pijet karakteristike si vera artizanale dhe rakia perlë dhe muskat gjenden nëpër lokalet pogradecarë.
Pasaporta e qytetit të Pogradecit
Popullsia e qytetit me 55 mijë banorë në sezonin veror dyfishohet nga pushuesit vendas dhe të huaj. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km2, rrugë të asfaltuar 14 km, sipërfaqe të gjelbëruar 340 mijë m2.
Emri –Liqen i Ohrit
Mosha- 4 milion vjeçare.
Gjatësia -30 km.
Gjerësia -14, 5 km.
Thellësia max – 289 m.
Bregu liqenor – 88 km.
Lartësia mbi nivelin e detit – 595 m.
Sipërfaqja e liqenit – 358 km2.
Tejdukshmëria e ujit -18 m, uji i liqenit ndërrohet një herë në 60 vjet.
Ushqimi -70 % liqeni ushqehet nga liqeni i Prespës dhe 40 lumenj dhe përrenj që derdhen në liqen.
Në liqen rriten 40 specie të rralla dhe mbi të gjitha peshku i rrallë i koranit që gjendet vetëm në këtë liqen.
Temperatura mesatare në verë, 27 gradë C.