Bardhyl Berberi: Një ese për një takim të deputetëve të sotëm!

695
Deputetët e sotëm të veshur firmato, të mbathur, të krehur, të ngrënë, të pirë, të shëndetshëm, të pispillosur, me nga dy tre dashnore, me dy diploma false të marra në Tetovë apo në Bullgari, me numra llogarie pa fund parash, që nga Qipro në Zvicër e gjetkë. Këta janë nënprodukti i një klase politike mediokre që mendon vetëm për përfitimet e saj dhe ky takëm deputetësh iu duhen si numuror topi partive respektive. Këtë racë deputetësh Shqipëria e ka pasur edhe më parë, atëherë kur ishin ata të nënës parti. Por kanë qenë një takëm të paaftësh që vinin nga galeritë e minierave apo ndërtimi që dinin të ngrinin vetëm kartonin …Ata diplomat nuk i kishin false, por vinin në parlament, pasi kishin bërë shkollën e partisë në Laprakë. Por ishin të pa zararshëm, shihnin punën e vet, nuk kishin makina, vila, numra pafund llogarish nga korrupsioni e tenderët, nuk merrnin zarfe me para për emërimet që bënin në dogana apo tatime, nuk hipnin nëpër jahte luksoze në Malin e Zi, që të paguanin nga 5000 euro nata për një prostitutë. Edhe këta të parët mund të kishin ndonjë dashnore, por hapi tyre shkonte deri në një dhomë hoteli…Ata në Tiranë vinin me tren dhe vetëm udhëtimin kishin gratis dhe një dietë të zakonshme dhe qëndrimin tek hotel “Drini”. Atëherë nën zë mes shokësh thoshim: ç`janë këta deputetë çapaçulë që nuk flasin një herë në parlament, por qëndrojnë si manekinë .. Për këtë takëm njerëzia thoshin; sa të tillë ka bota, nuk janë vetëm këta tanët. Mirëpo me ndërrimin e sistemit në vend që të pakësohen filluan që të shtohen; Një takëm i atyre të dikurshmëve hynë deputetë dhe në sistemin e ri…Kush e hodhi dhe si mbiu kjo fare hibride? Si ndodhi që na u shtuan kaq shumë këta debilë? Të paftë, me nivel mediokrish, pa asnjë ide për të bërë diçka të dobishme apo thënë ndonjë gjë me sadopak përmbajtje, deputetët tanë shfaqen kudo të kollarisur sikur kanë gëlltitur okllainë… Me pamje të jashtme si babaxhanë që s’kanë haber ku ndodhet puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, zgjidhja e problemeve. Ata nuk dinë muhabet tjetër, veçse Tender, koncesion euro, aeroplanë, o restorante, dreka, darka, plazhe ekzotike, udhëtime nëpër vende të huaja.

Tani në prag zgjedhjesh ata duken fisnikë që vijnë dhe takojnë popullin, bëjnë mullarë me premtime, me kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta dhe, natyrisht, gafa të pafund, që nuk dinë se çfarë është VETINGU. Janë një takëm deputetësh të adoptuar që luftojnë si Don Kishoti me mullinjtë e erës, intelektualë pa bukë, hipokritë, pseudomodernë të shëmtuar. 

A i keni parë si dremitin në sallën e parlamentit me celular në vesh, kompjuter përpara,.

palestra, masazhi, plazhi, celulari i markës së fundit, rrjetet sociale, janë shokët e pandarë të një takëmi deputetësh. Ata janë të pranishëm në jetën tonë të “bukur “ për t’ia “kollajtësuar” jetën dhe për të na i bërë të padurueshme me budallallëqet e tyre të pafund
Sigal