Bardhyl Berberi/ Misteret e zhdukjes së veturave luksoze dhe kapja e trafikantëve

632
Dy doganat e Pogradecit, ajo e Qafë-Thanës dhe e Tushemishtit, kanë qenë shumë të preferuara për trafikantët e huaj dhe ata vendas për trafikimin e makinave. Një rrjet i tërë vepronte në këtë zonë sidomos me disa trafikantë italianë të cilët bashkëpunonin me ata vendas. Kështu në vitin 2001 policia kufitare e doganës së Tushemishtit bllokon një veturë tip “Porsh”, prodhimi i vitit 2000, ngjyrë gri metalixato. Vetura po trafikohej nga një trafikant italian makinash, emri i të cilit është Xhuzepe Martineli.
Gjatë kontrollit nga policia dhe më pas nga Interpoli, rezultonte që vetura i ishte vjedhur një turisti francez në Itali dhe më pas me një numër fallco shasie u tentua të kalohet në Pogradec ku pritej prej tre shqiptarëve, dy prej tyre policë nga Shijaku. Që të tre arrestohen, por vetëm pas pak ditësh gjatë masës së sigurisë gjyqtaria e gjykatës së Pogradecit, Luljeta Mançellari e le të lirë Xhuzepe Martinelin vetëm me detyrim paraqitje në gjykatë duke e justifikuar këtë veprim me një raport që kishte lëshuar një mjek nga drejtoria e burgjeve në Tiranë, ku thuhej se Xhuzepe Martineli nuk mund të qëndronte në qeli pasi kishte probleme kardiake! Por Xhuzepe Martineli, sapo sistemohet në një hotel të qytetit, brenda natës zhduket nga Pogradeci dhe kalon kufirin në mënyrë klandestine në Maqedoni pasi pasaportën e kishte të bllokuar. Kjo lajthitje e gjyqtares Luljeta Mançellari bëri bujë dhe mblidhet urgjentisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e Presidentit të asaj kohe, z. Rexhep Mejdani, dhe asaj i hiqet titulli i gjyqtares. Sa për kuriozitet vetëm para pak muajsh vjen nga Italia një letër porosie në komisariatin e Pogradecit e cila kërkonte të dinte se ku po e vuan dënimin Xhuzepe Martineli pasi i kishin dalë probleme të tjera me drejtësinë italiane. Vetura “Porsh” ka qëndruar vetëm dy javë në oborrin e policisë dhe është zhdukur natën. Vetëm pas pak muajsh bien në dorën e policisë një trafikant tjetër italian, 52 vjeçari Klaudio Makabiani nga Breshia e Italisë, i divorcuar dhe atëherë bashkëjetonte me një amerikane. Klaudio Makabiani, siç doli në gjyq, kishte hyrë dhe kishte dalë në Shqipëri disa herë dhe kishte sjellë vetura të viteve të fundit të vjedhura në vendin e tij dhe si për koiçidencë, siç doli gjatë hetimit me të njëjtat dokumente të falsifikuara. Klaudio Makabiani kishte sjellë disa vetura nëpërmjet doganave të Qafë-Thanës dhe Tushemishtit dhe më pas largohej me avion nga Rinasi. Klaudio Makabiani arrestohet në doganën e Qafë Thanës pas verifikimit të dokumenteve. Ai ishte duke trafikuar një xhip “Pajero”, prodhim i vitit 2001. Makabiani ngelet në burg dhe pas disa seancash gjyqësore dënohet me katër vjet burg për trafikim të mjeteve motorike. Vetura e tij Xhipi “Pajero” që ish oficerët e policisë dyshojnë se ishte vetura që bëri aksident me prokurorë, ka qëndruar mbi dy vjet pa u ndezur në oborrin e policisë dhe kur kanë ardhur për ta marrë shoferët nga prokuroria e Përgjithshme makina është ndezur me kavo. 
Bruno Lorenxini prezantohet si gazetar i TV Italian “Rai Uno” për t’u përfshirë në trafikun e mjeteve motorike
Dhe pas pak muajsh i vjen radha të bjerë në rrjetën e policisë kufitare 30 vjeçari, Bruno Lorenxini nga Roma, i cili vjen në doganën e Tushemishtit me një veturë Passat “Bora”, prodhimi i viteve 2002. Bruno Lorenxini kur u paraqit në doganën e Tushemishtit, së bashku me dokumentet e makinës paraqiti edhe një dokument si gazetar i TV “Rai Uno” dhe se vinte në Shqipëri për të bërë një reportazh. Pas verifikimeve që i bëri policia, dokumenti rezultoi fallco dhe dokumentet e veturës po ashtu ishin fallco, vetura ishte e vjedhur dhe kishte ardhur për t`u trafikuar. Kështu, Bruno Lorenxini, pas gati një vit e gjysmë qëndrimit në qeli del në gjyq dhe i quhet burg koha e qëndrimit në paraburgim. E veçanta e tij ishte se gjatë kohës që kishte qëndruar në paraburgim me të burgosurit shqiptarë, ai e kishte mësuar brenda vitit gjuhën shqipe dhe komunikimin në sallën e gjyqit e ka bërë shqip. Bruno Lorenxini u vizitua në burgun e Pogradecit edhe nga babai i tij. Lorenxini pranoi në sallë që makina kishte ardhur në Shqipëri për t`u trafikuar, por shpjegoi dhe një mekanizëm, se këto vetura të viteve të fundit me një sistem të lartë sigurie dhe me alarm nuk është e lehtë për t`i vjedhur, por ne, shtoi ai, kemi hyrë në marrëdhënie me pronarët, pasi pronari italian e ka siguruar makinën dhe e mban një vit apo 6 muaj, i mërzitet makina apo i ka bërë një gërvishtje të vogël na e jep neve çelësin e makinës t`a kopjojmë, dhe pasi ne kemi kaluar kufirin shqiptar, ai në Itali e deklaron të vjedhur makinën. Kështu ai merr lekët e plota nga siguracioni, dhe një pjesë që i japim ne nga shitja e makinës që nxjerrim pasi ia kemi shitur trafikantëve shqiptarë.
Pjesë e këtij trafiku edhe automjete të përsonave me emër në Shqipëri
Dhe historitë vazhdojnë me një benz tjetër të viteve të fundit nga një shtetas serb që po e fuste nga dogana e Tushemishtit. Në fund të vitit 2004 në doganën e Qafë-Thanës, bie në rrjetën e policisë një veturë tjetër BMVS6 prodhim i vitit 2003. Vetura drejtohej nga 45-vjeçari Kujtim Kura. Pas dyshimeve të policisë kufitare, zyra e antitrafikëve u lidh me Interpolin dhe rezultoi që vetura ishte e vjedhur në Gjermani në periferi të Mynihut, një shtetasi gjerman madje i ishte marrë çelësi i makinës me kërcënime dhe dhunë. BMVS6, prodhim i vitit 2003, sapo ishte blerë nga shtetasi gjerman 65 mijë euro. Kujtim Kura i tha policisë se ai ishte vetëm transportuesi i mjetit dhe pronarët e tij ishin të tjerët. Para dy muajsh ka rënë në rrjetën e policisë shqiptaro-maqedonase, Telek Hasani nga Tetova e Maqedonisë. Telek Hasani ishte duke u futur në doganën e Qafë-Thanës një veturë tip xhip “ Porsh Kajene”, prodhimi i vitit 2005, me një vlerë prëj 85 mijë euro. Sistemi i doganës gjatë kontrollit konstatoi se kjo veturë, “Porsh Kajene”, ishte vjedhur në Bosnjë-Hercegovinë dhe ishte pronë e një këngëtareje me shumë emër- kanë thënë burimet policore. Një fakt është se veturat luksoze janë të lakmuara nga pushtetarë të fuqishëm ndonëse zhvillohet një tender, por ato merren nga ata që i kanë planifikuar për t`i blerë me një çmim simbolik, siç ka ndodhur me veturën tip “Porsh”, e cila është parë më pas në Tiranë nga bashkëshortja e një ish funksionari të lartë në qeverinë e asaj kohe.
Prokuroria e Pogradecit 
Shkuam në prokurori për të mësuar fatin e këtyre mjeteve të kapura nga trafikantët e makinave. Prokurori na thotë se në bazë të nenit 190 të procedurës penale, me vendim të gjykatës sendet e një vepre penale apo mjetet e trafikuara, sekuestrohen dhe kalojnë në favor të shtetit ku janë kapur. Në bazë të një vendimi, zyra e përmbarimit bën një ankand dhe më pas këto shiten.
Në zyrën e përmbarimit 
Shefi i zyrës së përmbarimit thotë se janë të hapur ndaj shtypit dhe mund t’iu japin informacionin e nevojshëm, por kanë kaluar vite dhe duhet një punë voluminoze për gjetjen e proces verbaleve të ankandeve. Zyra e përmbarimit është e sigurte për xhipin “Pajero”, që iu kap Klaudio Makabianit, i cili i ka kaluar Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, për të tjerat duhen hapur dokumentet dhe kjo do shumë kohë, është një mal me dosje!
Sigal