Bardhyl Berberi: Ku shkojnë fondet për Romët

787
Vila nëpër qytete turistike, vetura luksoze për vete dhe fëmijët e tyre studentë, madje edhe rroga për ta 
– Ndodhesha në qytetin e Bilishtit me mbi dhjetë mijë banorë në skajin juglindor të vendit, ku jetojnë 120 familje rome. Askush prej tyre nuk del në rrugë për të lypur. Janë romë Devolli që, ashtu si banorët e kësaj krahine, i falen vetëm punës. Sepse puna për ta nuk është vetëm pavarësi ekonomike, por në një farë mënyre është edhe çelësi i përshtatshmërisë së tyre, siç është edhe krenari. Prej saj ata janë kushtëzuar ku dhe si të jetojnë. Janë të vendosur këtu prej kohësh, si një komunitet i përhershëm dhe, në përgjithësi, nuk dallojnë nga pjesa tjetër e shoqërisë, për sa i përket strehimit dhe veprimtarisë ekonomike, gjë që dëshmon edhe për kujdesin e vazhdueshëm të saj, por edhe të pushtetit lokal. Po ky, siç thonë devollinjtë, “nuk është diell që t’i ngrohë të tërë”, se edhe fondet aq janë e kush të marrë më parë, por ata që kanë më shumë fëmijë, se sa halle… Ja, gjyshe Nurihane Ajro thotë, “këto ditë rrimë brenda në shtëpi të vegjël e pleq tërë ditën mbuluar me rroba, se nuk kemi zjarr që ta përballojmë të ftohtin siberian. Nganjëherë djegim rrobe të vjetra për t’u ngrohur, se drutë e zjarrit janë goxha lekë, korrenti ca më i shtrenjtë”. Megjithatë edhe pse dimri dhe kriza i kanë mbyllur punët, të rriturit nuk e humbasin shpresën; gratë do të dalin përsëri fshatrave si shitëse ambulante e për të mbledhur bimë medicinale, kurse burrat disa shfrytëzojnë mundësinë e lëvizjes me vizat Shengen e shtegtojnë për punë sezonale, në zonat kufitare me Greqinë, kurse të tjerë kanë bizneset e tyre në qytet e me zotësinë e talentin në tregti, janë konkurrentë veçanërisht për tregtimin e artikujve të veshmbathjes, fruta perime, enë kuzhine, kinkaleri etj. Puna që ata bëjnë, nuk u jep vetëm mundësi për të jetuar, por mbi të gjitha u jep pavarësi. Sepse për romët, më shumë se e shkuara dhe e ardhmja, ka rëndësi e tashmja që duhet jetuar. “Mbase për këtë kemi edhe më pak stres”, na thotë Arben Kosturi, i cili është edhe kryetar i shoqatës së romëve “Isudni Albania” në Korçë .Ai na tregon, se është fakt që në Devoll nuk gjen romë që të lypi : Janë muzikantë, di-xhej e kameramanë që punojnë nëpër dasma, punojnë si bojaxhinj, samarxhinj, merren me rritjen dhe regëtinë e kuajve, thurin kanistra etj. “Në jetën e Romëve, na thotë kryetari i tyre për qarkun e Korçës Arben Kosturi, gjithçka sillet rrotull familjes. Ajo është njësia bazë e strukturës sociale që përbën grupet e familjes; është njësia ekonomike në të cilën bëhet puna dhe gjendet solidariteti që lidhet me punën; është njësia edukative që siguron faktin se shoqëria riprodhon veten dhe kështu jep siguri e mbrojtje për individët.”. Ai sjell një shembull konkret, Nevruz Nuren ose Lulushin si i thoshin, një nga talentet më të mëdha të klarinetës që kishte parë Shqipëria në Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, të cilit si vlerësim i dhanë apartament të ri për të jetuar, në bllokun e pallateve në qendër të qytetit, në Korçë. Lulushi u mendua një javë me çelësat në xhep dhe e ndërroi hyrjen me dikë tjetër. “Nuk mund të largohem, nga pleqtë nga lagja ime”, tha. Dhe aty rrojti deri sa vdiq para kohe, si Demkë Hajroja mjeshtri i serenatave korçare, Sherif Çobani, Fuat Sula apo sazexhinjtë e tjerë të famshëm të Korçës që regjisori i shquar, Viktor Gjika i përjetësoi bashkë me Korçën, në filmin e tij epokal “Gjeneral Gramafoni”. Romët jetojnë, punojnë e vuajnë sëbashku. Madje fëmijët punojnë pranë prindërve të tyre dhe edukohen jo vetëm me ndjenjën e punës, por bëhen më të përgjegjshëm për veten e të tjerët. E kundërta ndodh në Korçë dhe në Pogradec apo qytete të tjera ku të mbytin lypësit romë. “Nuk është mirë të nxjerrësh fëmijën për të lypur, thotë Ramadani, “të detyron halli, por është më keq ta dërgosh për të vjedhur, ose për tu marrë me punë të pista. Më mirë të mbledhë kënaçe mes pisllëkut, se sa të bëjë ato punë që askush nuk ja u ka parë hajrin “. Dhe adoleshenti ose adoleshentja që na shtrin shpesh dorën në bulevard, është një përgjegjësi reale për familjen e vet. Të pyetur se ç’bëjnë me qindarkat e mbledhura poshtë e lart, përgjigja e tyre ishte e vetme, si të qe në një gojë: “ia japim mamit”. Janë lekët e lypura ato me të cilat nëna e tyre ble bukën . Familja për romët është simbol i qëndrueshmërisë. Në Korçë ka rreth 500 fëmijë romë të moshës nga tre deri 15 vjeç, për të cilët bëhet një punë e mirë dhe e vazhdueshme nga familja, shkolla e njësitë e qeverisjes vendore për arsimimin e tyre. Po të paktë janë ata që vazhdojnë studimet e larta, edhe pse rajoni sot ka dy universitete dhe tarifa studentore për ta nuk ekziston. “Vetëm gjashtë studentë kemi në auditor”, thotë rektori i Universitetit “Fan Noli” Korçës. Përballë kohëve moderne, ky është një realitet që të dëshpëron. Nuk mund të vihet gishti për ç’do gjë te varfëria. Tërheqje nga arsimimi i plotë, do të thotë, më pak shanse nesër në jetë, në krahasim me bashkëmoshatarët e tjerë. Por me romet abuzojnë disa fondacione që në fakt duhet të ishin në ndihmë të tyre. E vërteta qëndron ndryshe. Me fondet e dhëna nga Komuniteti Evropian për romët drejtuesit e fondacioneve blejnë makina luksoze dhe shtëpi nëpër vende turistike, madje u japin fëmijëve të tyre rroga duke qenë studentë dhe vetura të fondacionit për t`i përdorur. Ky është fakt. Donatorët duhet t’i kontrollojnë fondet që ata japin, të ndjekin se ku shkojnë dhe si shpërdorohen ato dhe personat përgjegjës të penalizohen, sepse duhet thënë se ka abuzime të tmerrshme. Ka ardhur koha që fondacionet e ndihmës për fëmijët romë duhet t’i drejtojnë vetë romët që kanë mbaruar universitete, madje kanë edhe mastera, vetëm atyre mund t’iu dhimbsen këto fonde dhe të mos abuzojnë ashtu siç po abuzohet nga disa drejtues fondacionesh me lekët e tyre që Këshilli Evropës jep për romët.
Sigal