Bardhyl Berberi/ Ja që paraja për njeriun nuk qenka gjithçka

805
Pasurimi në mënyrë të pandershme, si një mundësi për të bërë para me çdo lloj mënyre, ka nxitur tek të gjithë tentativën për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat që të pasurohesh me çdo kusht, kudo që të jesh, në një pozicion pune, aq më tepër për ata që punojnë nëpër dogana e tatime. Lukunia për të zhvatur para në mënyrë të pandershme ka arritur deri atje saqë prindërit e pasuruar në mënyrë të pandershme ju tregojnë fëmijëve në shtëpi modelet e atyre “të shkathtëve” që kanë lekë dhe që blejnë nëpër sallone makina të shtrenjta, ju blejnë vila si brenda dhe jashtë vendit nëpër vendet më të bukura turistike. Gjithë vendi ngjan si një Far-West dhe i suksesshëm është ai që mashtron më shumë apo që vjedh më shumë apo që bën para më shumë. Ndaj edhe shqiptarët, në të shumtën e rasteve, sillen si të ishin në luftë me banda. Ndaj edhe shkolla, të nxënit e ka humbur kuptimin se shqiptari nuk e kupton jetën apo punën si një shërbim, si një mundësi për të çuar një jetë normale, por si një hendek apo si një transhe që do t’i mundësojë të mund kundërshtarin e nesërm dhe t’i rrëmbejë këtij vendi sa më shumë lekë. Në këtë ekstrem korrupsioni papritur na vjen një model ku të identifikohet një polic i ndershëm në doganën e Qafë -Thanës. Le tregojmë thjesht ngjarien:
Polici i ndershëm në Qafë -Thanë 
Shoferi bullgar Valentin Kurtev, me trajlerin e tij CB 4657 AA CL 685 EK, mbrëmjen e kaluar ka humbur në treminalin e doganës portofolin e tij me 3000 euro dhe karta të tjera krediti. Pas di sa minutash, pasi ishte larguar shoferi bullgar, polici i shërbimit Adrian Cekiçi, në një cep të trotuarit ka vënë re një portofol. E ka hapur atë dhe ka vënë re se atje ndodheshin 3000 euro. Pa asnjë mëdyshje ai ka marrë portofolin dhe ka shkuar tek zyra e komandanti të doganës Gentian Mallkuçi dhe i ka vendosur portofolin mbi tavolinë.
– Komandant e gjeta këtë portofol tek terminali, tha ai. 
Nëpërmjet kartës së identitetit ata mësuan se portofoli ishte i shoferit bullgar që kishte kaluar kufirin para disa minutash. Pasi u bë i mundur lajmërimi i shoferit bullgar, ai kthehet në doganën e Qafë–Thanës dhe i dorëzohet portofolin. Shoferi bullgar ka shtangur dhe nuk ka lënë fjalë falenderimi për policin Adrian Cekiçi. 
Natyrshëm lind pyetja: ky polic hallexhi me shumë probleme ekonomike a mund t’i mbante këto lekë të gjetura rastësisht aty në një cep të rrugës në terminal dhe mund të zgjidhte ndonjë nga hallet e shumta. Por pikërisht ky polic fisnik dhe i ndershëm i cili ashtu siç na u shpreh për gazetën “Telegraf“ tha se “ajo ishte djersa e tjetrit dhe kurrsesi unë nuk mund ta përvetësoja. Harrami ngelet harram”.
Të vjen mirë kur dëgjon këtë shembull se në peshoren morale të këtij vendi nuk ka vetëm “mëkatarë” që grabisin dhe vjedhin, por ka dhe njerëz të ndershëm që meritojnë t`i respektosh. Ky shembull godet të pamoralshmit që nuk janë të paktë në këto kohë kur dëgjon lloj-lloj skandalesh. Shqipëria ka nevojë për njerëz të tillë si Adrian Cekiçi se i pasur mund të bëhesh vetëm me dituri dhe ndershmëri jo me para të garbitura dhe i madh bëhesh me mendjen tënde e jo me moshën që ke…Ky shembull i këtij polici të varfër dhe i komandantit të tij në Qafë Thanë është se paraja për njeriun e ndershëm nuk qenka gjithçka.
Sigal