Banorët: Nuk dalim të gjallë nga shtëpitë. Me qiranë e paguar i kemi blerë dy herë!

504
Sigal

BANESAT E ISH-PRONARËVE/ Akti normativ i Qeverisë, debat në Këshillin Bashkiak në Vlorë

Akti normativ i nxjerrë nga Qeveria për të liruar shtëpitë e pronarëve më 1 nëntor, ka sjellë debate në Këshillin Bashkiak në qytetin Vlorës, ndërkohë që është organizuar një protestë përpara institucionit të Prefekturës. Pasi nuk kanë marrë një përgjigje nga Prefekti, tubuesit të revoltuar, kanë bllokuar aksin e rrugës në afërsi të këtij institucioni. Nga ana tjetër zëdhënësi i BKT në Vlorë, ka thënë për gazetën “Telegraf”, se Banka është në pritje të listës me emrat e qytetarëve që do të marrin kreditë dhe pas kësaj fillojnë menjëherë procedurat. Vëmendja e komunitetit vlonjat është tërhequr nga ky problem social në ditën e sotme.

Këshilli Bashkiak

Akti normativ i Qeverisë, ka ngjallur debat edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, që u zhvillua të enjten. Pas debatit, këshilltarët e majtë dhe të djathtë, kanë rënë në një mëndje dhe i kanë kërkuar administratës së bashkisë dhe BKT, që të mënjanohen zvarritjet dhe shkurtohen procedurat për qytetarët që do të marrin kredi të butë, në mënyrë që më 1 nëntor, që ata do të lërojnë banesat, të fillojë edhe kredidhënia. Aty u deklarua se nga Bashkia e Vlorës kanë aplikuar 600 familje për të përfituar kredi të butë, ndërsa në proces e sipër, janë vetëm 100 familje. Edhe pse këshilltarët u vunë në dijeni për protestën që organizohej përpara Prefekturës, asnjë këshilltar nuk u ndal tek kjo pikë. Këshilltarët e djathtë theksuan në debatet e tyre, se nuk ka kthim prapa, se akti normative i Qeverisë do të zbatohet pikë për pikë, detyra që shtrohet është të përshpejtohen procedurat.

Protestë përpara Prefekturës

Një turmë e madhe qytetarësh, pikërisht ata që preken nga akti normative i Qeverisë, që i detyron të largohen nga banesat e pronarëve, kanë tubuar paraditen e të enjtes përpara institucionit, që përfaqëson Qeverinë shqiptare. Me pankarta në duar ku shprehen: “Nuk dalim të gjallë nga shtëpitë”, ” Shtëpitë i kemi paguar me qiranë që kemi shlyer”, “Qeveria të na falë shtëpitë,” etj., etj., turma ka kërkuar, që një përfaqësi të bënte një takim me prefektin e Vlorës, z. Eduard Veçani. Me një peticion të firmosur prej tyre, ata kanë dashur të vënë në dijeni Prefektin, se nuk kanë ndërmend të dalin nga shtëpitë, ku jetojnë  për më shumë se një gjysmë shekulli.