Banorët: Largoni tonelatat me helme dhe acide luftarake, po na vdesin fëmijët

670
Repartet dhe efektivat ushtarake në Elbasan ndodhen prej kohësh në kolaps të plotë. Një situatë kaosi e shoqëruar me akte antiligjore ndaj pronave ushtarake dhe efektivave, po shoqëron prej disa vitesh këtë sektor në rajonin e Elbasanit. Së fundi atje po ndodh diçka e pabesueshme. Burime të besueshme nga ky qytet i thanë “Telegraf”, se “prej disa muajsh reparti 4025, që ndodhet në rrugën e ullishtes, tek ish-NSHU, dhe ku banojnë mbi 16 mijë familje në zona informale, ndodhet në mëshirën e fatit, pasi atje ndodhen tonelata me acide dhe helme luftarake, të cilat gjenden në depo dhe pothuajse të pambrojtura nga trupa ushtarake, duke përbërë rrezik serioz për jetën e atyre njerëzve”. I njëjti burim tha se “depot ku gjenden acidet dhe helmet luftarake, kanë brenda tyre edhe pajisje dhe mjete shëndetësore të viteve 1980-1990, kryesisht kineze, si dhe pjesë këmbimi automjetesh të vjetruara, që qëndrojnë atje nuk dihet përse, ndërsa në 12 maj 2016, Ministria e Mbrojtjes ka bërë çregjistrimin e repartit ushtarak 4025, çka do të thotë se ai repart ka dalë jashtë vëmendjes së ministrisë, duke lënë gjithçka në mëshirën e fatit”. 
Alarmi i banorëve
Por ndërkohë, banorët e lagjes së ullishtes (tek ish-NSHU) kanë dhënë alarmin sepse fëmijët e tyre dalin, luajnë dhe futen në depot e repartit 4025, duke trazuar helmet dhe acidet, duke u rrezikuar jetën. E rrezikuar mbetet edhe toka, ajri, uji dhe gjithçka tjetër që ka ajo zonë. Ata kanë kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes, nga zonja Mimi Kodheli dhe Prefektura e Qarkut, masa urgjente, vendosjen e rojeve si dhe largimin e tonelatave me acide dhe helme si dhe pajisjeve të vjetruara mjekësore, pasi ndotja dhe rreziku për jetën dhe mjedisin atje mbetet tepër i madh. Të njëjtat burime ushtarake thanë se “muajt e fundit gjithë trupave ushtarake në rajonin e Elbasanit, (Mengël, Labinot, Mirakë, Mjekës dhe Gramsh) u janë ulur rrogat në masën 5300 lekë, pasi kushtëzohemi nga gjetja e informatorit, i cili disa herë i ka dhënë informacione “Telegraf”, një gjë e pakuptueshme, e pandodhur gjëkundi, por ja që ndodh në Ministrinë e Mbrojtjes e cila mban peng ushtarakët e saj në këtë rajon, duke u bërë presion me gjoja reforma, me largime dhe gjëra të tjera, vetëm e vetëm të gjejë “spiunin” që ka brenda radhëve të saj”. 

Në fakt situata mes efektivave dhe strukturave ushtarake në rajonin e Elbasanit mbetet prej kohësh kaotike, duke treguar se atje nuk funksionon asnjë levë drejtuese, dhe gjithçka ka mbetur në dorën e matrapazëve të pronave ushtarake, dhe persona të paaftë. Pronat, si repartet, depot, tunelet, tokat e rrethuara me mure prej dekadash, janë duke u shitur dhe trajtuar sikur të ishin çifliqet e disa pseudoushtarakëve, që vetëm me ushtrinë nuk i lidh asgjë. Dega e shoqatës së Ish-ushtarakëve në Elbasan e indinjuar nga situata në të cilën gjenden repartet ushtarake sot dhe mungesa e disiplinës dhe profesionalizmit, apelojnë pranë Ministrisë Mbrojtjes për reflektim dhe nxjerrjen para ligjit të kujtdo që guxon të luajë me gjakun dhe djersën e qindra e mijëra ushtarakëve, dhe që sot po shemben dhe shiten për të mbushur xhepat e drejtuesve të paaftë dhe të korruptuar”. Nga ana tjetër edhe banorët e zonës së ullishtes tek ish-NSHU, kanë paralajmëruar Ministrinë e Mbrojtjes dhe kanë njoftuar edhe Avokatin e Popullit se “në rast se nuk merren masa, ata do të ndjekin rrugën ligjore, duke denoncuar të gjitha shkeljet dhe abuzimet që janë bërë dhe po bëhen me jetën e tyre dhe fëmijëve të tyre, duke shkelur të gjitha të drejtat e liritë e njeriut hapur fare”. 
Sigal