Banorët e Postribës në Shkodër protestë për ujin e pijshëm: Nuk pihet! Kërkojmë zgjidhje!

222
Sigal

Banorët e Njësisë Administrative Postribë në Shkodër kanë protestuar ditën e sotme sërish në lidhje me ujin e pijshëm.

Sipas banorëve uji në rubinetat e tyre vjen gjatë gjithë kohës i ndotur dhe shkak për këtë është një gurore e ndërtuar rreth tre vite më parë për nxjerrjen e mermerit, ndërsa shtojnë se, nëse nuk zgjidhet situatë, ata do t’i përshkallëzojnë protestat e tyre.

“Kjo është një çështje që na përket të gjithëve ne. Unë në pension detyrohem të blej dy mijë lekë ujë në ditë. Ky është një problem që mund të zgjidhet nëse gurorja largohet prej aty.

I bëjmë thirrje Bashkisë, pushtetit vendor e me radhë sipas hierarkisë kush ka hedhur firmën, deri te ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, te ai që është në burg, na kërkojmë vetëm të drejtat tona.

Po e paguajmë 640 lekë ujin e pijshëm ky është i papijshëm. Protestat do t’i vijojmë dhe më shumë se kaq do bllokojmë rrugën te gurorja. Uji ka qenë i pijshëm, tani vjen i turbulluar dhe nuk bën.”, tha një qytetar.

Ndërkohë, një tjetër banor bëri me dije se do t’i drejtohen SPAK në lidhje me këtë çështje pasi me tenderin e ujësjellësit është bërë korrupsion, madje ata shprehen se do ta çojnë deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Banorët kërkojnë që sa me shpejt firma te ndalë ndotjen e ujit dhe të gjendet një zgjidhje.

“Janë shpenzuar 1 miliardë e 400 milion për të pirë gjashtë fshatra ujë. Ju e patë ai ujë as për bagëti nuk bën. Edhe në SPAK dhe në Gjykatën e Hagës do t’i çojmë. Këtu ka korrupsion. Janë shkel pesë nene të Kushtetutës”, tha banori.

Kjo nuk është hera e parë që këta banorë protestojnë për këtë çështje, që sipas tyre është kthyer në një problem të madh, pasi po i rrezikon çdo ditë jetën atyre dhe fëmijëve të tyre.