Banorët e Kumanovës apelojnë
Kjo thirrje bëhet nga Këshilli emergjent për ndihma që është formuar për t`i dalë në ndihmë banorëve të Lagjes së Trimave ku ndodhën përleshjet dhe terrori i paparë për banorët.
“Përveç një komunikate të lëshuar në mëngjesin e parë të së shtunës, kur kishin filluar krismat në Lagjen e Trimave, partia shqiptare në pushtet është mbyllur në heshtje. Pse heshtin, pse nuk dalin të flasin dhe të sqarojnë çfarë është puna, çfarë ka ndodhur. Ata janë njerëzit që i njohin që ishin këtu si pjesëtar të grupit të armatosur. Është e pafalshme kjo që po ndodhë dhe turp për politikën shqiptare. Ata duhet të japin sqarime dhe llogari, përfshirë edhe do parti tjera”, ka theksuar një aktivistë i këtij Këshilli për emergjencë për të ndihmuar banorët e Lagjes së Trimave. Në lagjen ku ndodhën luftimet është një fotografi rrënqethëse. Banorët nuk shpresojnë shumë se do të ndodhë diçka e mirë për ta pas gjithë këtij terrori dhe dëmeve shpirtërore dhe materiale që kanë përjetuar. Ata apelojnë që bashkësia ndërkombëtare të përfshihet në hetimin e plotë të gjithë asaj që ndodhi dhe të ndihmojë në revitalizimin e kësaj lagje. Asan.S nga Kumanova thekson se faktori ndërkombëtarë është e vetmja garancë që mund të bëj hetim transparent dhe të na tregojë se çka në të vërtetë ka ndodhur, por edhe të sigurohen mbështetje dhe ndihma për gjithë popullatën që ka përjetuar dëme të mëdha.
Dy përfaqësuesit shqiptarë të partive kryesore politike BDI dhe PDSH ishin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare tek presidenti Gjorgje Ivanov, por ata nuk janë deklaruar as para dhe pas takimit, për të dhënë vlerësimet për situatën e krijuar.
Banorët shpresojnë tek raporti i OSBE-së për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë
Katër ekipe të OSBE sot nën shoqërimin e policisë së Maqedonisë po vazhdojnë të qëndrojnë në Lagjen e Trimave, ku për gati dy ditë u zhvilluan përleshje të armatosura.
Bëhet e ditur për dëme të mëdha materiale si dhe viktima në njerëz. Autoritetet zyrtare nuk kanë dhënë hollësi për viktima civile, derisa kanë numëruar dhe publikuar 14 të vrarë, që sipas tyre kanë qenë pjesë e grupit të armatosur. OSBE pritet të dalë me versionin e saj përmes një raporti për dëmet dhe gjendjen faktike pas përleshjes. Ndërkohë, bashkë me ta disa orë më parë janë futur ekipet e prokurorëve të Prokurorisë së Shkupit. Që nga mëngjesi ishin ndaluar të shtënat, por për disa orë nuk u lejua ekspertiza e prokurorisë dhe hyrja e OSBE-së.
Mediat ndërkombëtare janë përgjithësisht të një linje kur i referohen dhunës së eskaluar në Maqedoni, duke bërë fajtore krizën politike që ka përfshirë vendin.
Ato i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë situatës së krijuar atje, duke e cilësuar si një përleshje ndërmjet një grupi të armatosur dhe policisë e ndërsa disa media të tjera i kanë cilësuar si ‘aktivistë terroristë’, ashtu sikurse ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Jankullovska.
Prestigjiozja “Ëashington Post” shkruan se aktet kriminale të Kumanovës, përveçse kanë alarmuar Maqedonisë, kanë rritur edhe shqetësimin për destabilitet në rajonin e Ballkanit. Skenari i një krize të madhe në Maqedoni ishte parashikuar deri diku nga “Neë York Times”, e cila i ka dhënë tepër peshë edhe më herët aferës së përgjimeve. Në një artikull tjetër të saj “Neë York Times” shkruan se Maqedonia ka bërë hapa prapa, duke iu referuar BE-së, e cila vitin e kaluar ka shprehur shqetësime serioze në lidhje me politizimin në rritje të institucioneve shtetërore dhe kontrollit të qeverisë mbi mediat. Prestigjiozja shkruan se Unioni duhet të ishte treguar më i ashpër me qeverinë e Shkupit. Sipas saj, duheshin qartësuar gjërat se Maqedonia nuk ka një demokraci funksionale dhe se autoritetet e bllokut 28 vendesh duhet të bashkëpunojnë më tepër me institucionet shtetërore, me qëllim që të sigurojnë një hetim të pavarur të akuzave mbi çështjen e përgjimeve. “Neë York Times” e mbyll duke thënë se kriza që ka kapluar vendin është një dështim i Europës që duartrokiti aq shumë nga Maqedonia më herët. Ndërkohë që buja e dhunës në Maqedoni ka shkuar deri në Australinë e largët, ku një media vendase shkruan se shumë njerëz në Maqedoni, pavarësisht nga përkatësia etnike, janë të mërzitur me ritmin e ngadaltë të integrimit me Perëndimin, duke u përballur kështu edhe me një krizë të madhe ekonomike, si dhe të një papunësie që kap shifrën e 28 %. Po ashtu, liderët perëndimorë janë alarmuar gjithnjë e më shumë për atë që e cilësojnë si një rritje të autoritarizmit në Maqedoni.
Këshilli i Sigurisë me deklaratë, por pa konkluza
Këshilli i Sigurisë (KS) i Maqedonisë ka dënuar fuqishëm prishjen e rendit dhe sigurisë nga ana e siç thuhet të disa grupeve dhe individëve, qëllimi i të cilëve ishte destabilizimi i Maqedonisë.
Presidenti Ivanov ka lexuar deklaratën e përbashkët që është miratuar nga anëtarët e Këshillit, por edhe përfaqësuesit e tri partive LSDM, BDI dhe PDSH. Deklaratën e lexoi vetë kreu i shtetit, presidenti Gjorge Ivanov, edhe pse konkluzat e takimit, sic tha ai, do të jepen më vonë. Ivanov tha se për grupin e armatosur kishte njoftuar më herët edhe shërbimet në rajon dhe Evropë por se shkëmbimi i informatave nuk dha rezultate. Ivanov, tha se nuk do të lejojë përshkallëzimin e tensioneve dhe prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Sipas tij, kjo i kushtoi shumë vendit, andaj duhet të ketë edhe përgjegjësi për të. Ai theksoi se për këtë grup, në fillim të vitit 2015, me anë të letrave janë komunikuar 17 shërbime partnere në Bashkimin Evropian dhe NATO si dhe vendet në regjion. Presidenti kërkoi nga liderët partiakë që t’i rikthehen dialogut politik dhe të kërkojnë zgjidhje për krizën. Në mbledhjen e sotme për herë të parë u ftuan të marrin pjesë edhe liderët e partive më të mëdha politike. Partitë shqiptare BDI e PDSH u përfaqësuan nga deputetët Talat Xhaferi dhe Imer Aliu ndërsa nga LSDM mori pjesë vetë lideri i saj Zoran Zaev. Mbledhja e sotme filloi me një minutë heshtje në nder të policëve të vrarë në përleshjet në Kumanovë.
Prof. Mirjana Najçevska: ky është krim mbi popullin civil
Profesoresha Mirjana Najçevska, në profilin e saj në facebook, ka komentuar një video në lidhje me aksionin policor në Kumanovë, ku shihet se si helikopteri ushtarak gjuan në drejtim të shtëpive. Sipas saj ky veprim është një krim mbi popullatën civile. “T’ua them kështu, kjo është krim mbi popullatën civile. Për këtë shkohet në gjyq dhe në burgim të përjetshëm. Duke filluar nga realizuesit deri tek ministrja, kryeministri dhe gjithashtu kryetari i shtetit. Po a jeni normal në një vendbanim të ngushtë, të populluar me njerëz dhe gjuani nga helikopteri. Poshtë jetojnë njerëz. Kjo nuk është zonë luftarake por lagje e qytetit. Kjo është sikurse ndonjë bandë të fshihet në një mur të Shkupit dhe të vijnë helikopterët luftarak. Dikush me të vërtetë është humbur dhe për këtë do të duhet të paguhet shumë shtrenjtë”, ka shkruar profesoresha Mirjana Najçevska.
BDI mban mbledhje ne reçicë, PDSH heshtë
Partia shqiptare pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar të Maqedonisë, është duke zhvuilluar një mbledhje të kryesisë, ku sipas informacioneve do të diskutohet gjendja alarmante që ka përfshirë Maqedoninë, ndërsa pritet që pas kësaj mbledhje BDI të dalë me komunikatë për media. Përderisa BDI mban mbledhjen në Reçicë për shqyrtimin e situatës së krijuar, partia tjetër parlamentare PDSH e Menduh Thaçit fare nuk bëhet e gjallë, ndërkaq partitë joparlamentare janë paraqitur me reagimet e tyre që në të vërtetë nuk çojnë ndonjë peshë me relevancë.
BDI deklarohet pas dy ditëve për terrorin në Kumanovë
Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikatë për media bën të ditur se të gjitha organet e kësaj partie kanë ndjekur prej së afërmi të gjitha zhvillimet në Kumanovë më 9 dhe 10 maj dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me popullatën e Kumanovës dhe Likovës, me degët dhe këshillat vendor të BDI-së në këto dy komuna, me pushtetin lokal, legjislativ dhe ekzekutiv si dhe me institucionet përkatëse. “Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që ngjarjet në Kumanovë dhe Goshincë, por pa harruar edhe incidentet e tjera të sigurisë në muajt e fundit, nuk janë në vijë me orientimet tona strategjike dhe nuk paraqesin interes dhe përcaktim të kombit shqiptar në vend dhe rajon”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga partia e Ali Ahmetit pas një mbledhje të Këshillit Qendror të mbajtur në Tetovë. BDI u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve në përleshjen e armatosur në Kumanovë dhe uron shërim sa më të shpejtë dhe të lehtë për të plagosurit. Në komunikatë thuhet se BDI garanton që institucionet e shtetit do të ndihmojnë banorët e Lagjes së Trimave për dëmet materiale. “Bashkimi Demokratik për Integrim do të angazhohet për proces transparent hetimor dhe gjyqësor për të përfshirët në përleshjet e 9 dhe 10 majit në qytetin e Kumanovës”, thuhet në njoftim. Siç njoftohet në komunikatë BDI mbetet e përkushtuar për një Maqedoni stabile dhe të sigurt. “Jemi të përkushtuar, në bashkëpunim me SHBA, BE dhe NATO, që ta arrijmë barabarësi të plotë midis shqiptarëve dhe maqedonasve, të vijojmë zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit në germë dhe në frymë, të mirëmbajmë marrëdhënie të mira ndëretnike por edhe me fqinjët, të tejkalojmë kontestet që po mbajnë peng procesin integrues Euroatlantik në paqe e stabilitet si dhe të anëtarësohemi ditë më parë në Aleancën Veriatlantike dhe të fillojmë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. BDI falënderon ambasadën e ShBA-ve , zyrat e OSBE-së dhe BE-së dhe NATO-s në Maqedoni bashkë me ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe komisarin Hahn për komunikimin intensiv dhe kontributin në tejkalimin e krizës së sigurisë në Kumanovë.
Zaev viziton Lagjen e Trimave në Kumanovë
Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev me bashkëpunëtorë ka arritur në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Zaev ka parë nga afër rrënimet dhe situatën e tmerruar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku dy ditëve të fundit ka pasur përleshje të ashpra. “Më e rëndësishme të ndihmohen familjen pa strehë dhe për nevojat momentale që kanë. Do të sanohen dëmet materiale, edhe pse dëmet shpirtërore nuk mund të sanohen”, deklaroi Zaev. Ai informoi se në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka kërkuar sqarime se përse ka ndodhur ky skenarë, pse autoritetet shtetërore kanë pasur informacion para 8 muajve për ato që thuan për grup të armatosur dhe nuk kanë reaguar. Ekipi i politikanëve opozitarë është pritur me duartrokitje nga disa prej banorëve të mbledhur këtu. Ndërkohë, banorë të këtushëm kanë deklaruar se nuk do të lejojnë t’i vizitojnë zyrtarët e BDI-së.
Mehmet Latifi