Banorët e Krujës protestojnë për mungesën e ujit, 4 muaj pas inaugurimit të ujësjellësit

220
Sigal

Vijon problematika e furnizimit me ujë të pijshëm në Krujë pavarësisht ndërtimit të ujësjellësit të ri katër muaj më parë.

Disa banorë kanë protestuar të premten përpara ndërtesës së bashkisë ku kanë kërkuar zgjidhjen e kësaj problematike.

Më 27 Mars 2021, kryeministri Rama inauguroi ujësjellësin e ri të Krujës dhe deklaroi se pas këtij investimi do të furnizoheshin rregullisht me ujë të pijshëm të gjitha familjet e qytetit.

Por qytetarët thonë se investimi u bë për efekte elektorale pasi sot ata nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre.

Njëri prej tyre shprehet për mediat se njerëzit në Krujë “kanë frikë të flasin” pasi për ujin janë hedhur miliona euro investime.

“Na premtuan 24 orë ujë, ne s’kemi 24 orë në muaj jo në ditë”, thotë një tjetër qytetar.

Një mjek i cili ishte pjesëmarrës në protestë nënvizoi nevojën emergjente të furnizimit me ujë pasi situata pandemike është ende prezente.

Bashkia e Krujës thotë se pasi janë pakësuar prurjet e ujit kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar 4 lidhje të paligjshme, njëra prej të cilave pranë depos kryesore. Personi që ka kryer këtë veprim të paligjshëm është arrestuar nga policia.